“Trishtimi i Zonjës Shnajder” është një ndër filmat më të bukur të regjisorit Piro Milkani, i cili në emisionin “Pas Mesnate” ka pranuar se ka shumë elemente autobiografik.
I portretizuar nga aktori Nik Xhelilaj, Milkani ka treguar se ky film tregon një nga historitë e jetës së tij, se si u lidh me një zonjë të martuar nga Çekia, kur ishte student.
Ai ka zbuluar se pas 30 vitesh, ka kërkuar për ta gjetur këtë zonjë, por nuk e ka gjetur, pasi kishte ikur nga fshati ku jetonte.
“Skenarin e kam shkruar për 6 netë në spitalin Neurologjik të Tiranës, kur rrija roje pranë shtratit të nënës sime e cila kishte pësuar hemoragji cerebrale dhe kur mbarova dorëshkrimin e parë ia dedikova atë skenar nënës sime. Kështu arrita të realizoja një film shumë të bukur, me të vërtetë ka elemente autobiografike, por është një përgjithësim artistik i jetës së një studenti që i ngelen ëndrrat në mes.
Natyrisht në një film artistik nuk mund të ketë trill, por e vërteta është se Nik Xhelilaj ra në dashuri me një grua të martuar. Ishte një koncidencë që unë takova një grua të trishtuar sepse në momentet e fundit unë u largova sepse nuk i premtoja dot asgjë.
Ajo kishte një burrë, shef policie i cili nuk ia varte shumë dhe unë i bëra bisht asaj derisa një ditë më ndaloi në rrugë dhe më pyeti se kur do të ikësh për në fshat. Unë e kisha mbajtur sekret dhe nuk e dinte asnjëri, as shokët e mi çek dhe as drejtoresha. Më erdhi shumë keq që nuk mund t’i premtoja asaj një jetë të lumtur.
Filmi u xhirua në fshatin e vërtetë, por për fat të keq nuk e takova dot, sepse nuk e gjeta, e kërkova dhe shpresoja që mos e mori vesh përmes shtypit çek që shkruajti për filmin, por nuk e di a e mori vesh”, u shpreh Milkani.