Arti shqiptar ka gjurmë të hershme që mund të ndiqen që prej parahistorisë, në trajtën e vizatimeve amorfe, simboleve dhe skenave të gjuetisë. Më vonë, ai pësoi një transformim që nuk do ta ndalonte zhvillimin e vet të natyrshëm nën ndikimin e epokave deri në vendosjen e sistemit komunist në Shqipëri. Prej statujave të antikitetit, artit mesjetar të ikonave dhe afreskeve, rilindjes shqiptare dhe [post]modernitetit kemi zgjedhur dhjetë vepra arti që mendojmë se do të keni dëshirë t’i vizitoni në Shqipëri.
DEA E BUTRINTIT (HYU APOLLON)
Në vitin 1928, para se të zbulonte teatrin e Butrintit, arkeologu italian Luigi Maria Ugolini nxorri prej tokës shqiptare një numër goxha të madh statujash antike. Mes tyre doli në dritë Dea e Butrintit, koka e së cilës, siç kemi mësuar prej historisë dhe studimeve, identifikohet me figurën e hyut Apollon. Busti i përket periudhës antike klasike, shekullit IV para Krishtit dhe duke gjykuar prej madhësisë, së bashku me trupin duhet të ketë qenë një statujë tempullore. Fytyra e tij/saj, femërore kur e sheh përballë, por me dukje mashkullore në profil, është figura androgjene më e njohur në artin shqiptar. Flokët e ndara, tiparet e ëmbla të gojës, sytë shprehës dhe gropëza në mjekër, krijojnë një ansambël tiparesh ku adhurohet bukuria femërore dhe mashkullore. Kjo lidhet me faktin se Apolloni ishte hyu i muzikës, poezisë dhe prijës i nëntë nimfave të frymëzimit sipas mitologjisë. Figura e tij lidhet gjithashtu edhe me diellin. Koka e Deas ngjason jashtëzakonisht me figurën e Afërditës. Bukuria e saj dhe gjendja e përsosur, pa asnjë plasaritje, bënë që Ugolini të përpiqej ta çonte në mënyrë të jashtëligjshme në Itali. Ndonëse u kap prej forcave shqiptare, Perëndesha e Butrintit shkoi përtej detit, por nën pretendimin e mbretit Zogu i Parë se ajo ishte dhurata e tij për Mussolinin. Në vitin 1981 shteti italian ktheu vetëm kokën e statujës dhe prej asaj kohe, Dea qëndron në Muzeun Historik Kombëtar, si një margaritar i rrallë i artit antik shqiptar.
KODIKËT E BERATIT
Koleksioni i Kodikëve të Shqipërisë, njohur ndryshe si Fondi 888, është prej pasurive më të mëdha arkivore të vendit. Mes gjithë këtyre teksteve të shenjta, dy kodikë historikë të jashtëzakonshëm, të zbuluar poshtë absidës së kishës së Shën Mërisë (Hyjlindëses) në vitin 1968 në Berat, zhdukën çdo dyshim se ungjijtë famëmëdhenj ishin veçse mit. Codex Purpureus Beratinus (Beratinus 1): Kodiku i Purpurt i Beratit. Codex Aureus Anthimi (Beratinus 2): Kodiku i Artë i Anthimit. Përgjatë shekujve, etërit e kishave të Beratit dhe vetë qytetarët i rezistuan pushtuesve, ushtrive dhe vetë vdekjes për të mos e treguar vendin e fshehjes së kodikëve.
Beratinus 1 i përket shekullit VI, kurse Beratinus 2 i përket shekullit IX. Prej të dyve, Kodiku i Purpurt i Beratit, si një prej katër kodikëve më të vjetër në botë; një prej shtatë kodikëve të purpurt që mbijetojnë sot në botë dhe vlerave të papërsëdytshme është pjesë e koleksionit të “Kujtesës së Botës” së trashëgimisë jomateriale të UNESCO-s. I shkruar në fletë pergamene të purpurta, me gërma të derdhura prej ari e argjendi, Beratinus 1 përmban tekstet e Ungjillit sipas Mateut dhe Markut. I restauruar në vitet ’70 prej specialistëve kinezë, prej asaj kohe ai ruhet në masat me të larta të sigurisë në Arkivin Qendror të Shtetit. Replikime të Kodikëve të Beratit gjenden në Muzeun Historik Kombëtar. Beratinus 1 është dokumenti historik më i vjetër që ruhet në Shqipëri.
BUKUROSHJA E DURRËSIT
Dea e Butrintit ka një mikeshë bashkëkohëse. Kësaj radhe studiuesit janë të bindur për identitetin femëror të saj, jo më kot e quajnë Bukuroshja e Durrësit. Ky mozaik i shekullit IV para Krishtit u zbulua në vitin 1918 nga arkeologu austriak Camillo Praschniker. Në qendër të mozaikut qëndron figura e një vajze të re në moshë, e cila nuk identifikohet me ndonjë figurë të caktuar. Ajo rrethohet nga zbukurime floreale: më së shumti lule dhe rripa dekorativë të spërdredhur. Gurët që janë përdorur për mozaikun janë të nuancave të së kuqes, portokallisë, të zezës, blusë dhe të bardhës. Ky mozaik është ndër më të lashtët e gjetur ne Shqipëri dhe është cilësuar nga shumë studiues si një kryevepër e arteve pamore. Mozaiku zbukuronte një banjo publike të Durrësit antik. Sot gjendet në pavijonin e lashtësisë në Muzeun Historik Kombëtar.
EPITAFI I GLLAVENICËS
Gjergj Arianiti, një prej princërve feudalë dhe figurave më në zë të mesjetës shqiptare, porositi në vitin 1373 krijimin e një epitafi, i cili për pjesën më të madhe të mesjtës i përkiti kishës së Gllavenicës (Ballshi sot) dhe kur Gllavenica e humbi rëndësinë e saj si qendër paleokristiane, rezidenca peshkopale u shpërngul në Berat. Disa qidra vite më vonë, epitafi u zbulua në qilarin e një shtëpie të rrënuar në Ballsh. I gjatë 212 centimetra dhe i gjerë 114 centimetra, epitafi ka në qendër figurën e Krishtit të shtrirë mbi çarçaf. Në këmbën e djathtë të tij dallohen shenjat e gozhdëve të kryqëzimit. Epitafi plotësohet prej figurave të tjera më të vogla në përmasa, si ajo e Shën Mërisë, profetëve dhe luleve. Copa e tij është mëndafsh dhe mbi të është qepur me fije argjendi të lara në ar. Në vitin 1981 pasi iu nënshtrua një pastrimi dhe restaurimi, epitafi i kuruar prej brejtjeve, nxirjeve dhe njollave, u ekspozua në Muzeun Historik Kombëtar ku qëndron edhe sot. Sipas studiuesit Andrea Grabar, ai është një prej tre epitafëve të llojit të vet në Evropë.
IKONAT E ONUFRIT
Onufri është artisti shqiptar më i rëndëisshëm i periudhës mesjetare postbizantine. Ikonografi Onufri, besohet të ketë qenë me origjinë nga Elbasani dhe gjatë jetës së tij ka pikturuar brenda dhe jashtë trojeve shqiptare. Punimet e Onufrit shquhen për kompozicionin e tyre elegant dhe paraqitjen e skenave që ngërthejnë përjetimin njerëzor me misticizmin e fesë. Shenja dalluese e tij, që është bërë edhe subjekt i diskutimeve të shumta mes ekspertëve e studiuesve është ngjyra e kuqe, e cila tek punimet e Onufrit vjen në një nuancë të veçantë. E gjallë, e ndezur dhe e pahasur në artistë të tjerë të kohës, kjo nuancë e veçantë e së kuqes, ndonëse janë bërë përpjekje për ta përcaktuar, njihet ende sot si e kuqja e Onufrit. Ka madje disa teori, që marrin parasysh mundësinë që Onufri të ketë përdorur rrënjët e kuqe të një bime tipike të Myzeqesë për të krijuar këtë të kuqe të mrekullueshme. Punimet e tij të shkëlqyera tregojnë për një artist përparimtar dhe koha ka treguar se vepra e tij frymëzoi një gjeneratë të shkëlqyer artistësh. Punimet e Onufrit mund të shihen nga afër në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat, në pavijonin e ikonave postbizantine në Muzeun Historik Kombëtar, në Muzeun e Artit Mesjetar në Korçë dhe në kishat e qarkut të Elbasanit.
“MOTRA TONE”
Të rrallë janë artistët që me veprën e tyre arrijnë të njësohen me perceptimin e përbashkët të artit të një kombi. Kolë Idromeno, piktori virtuoz Shkodran e ka arritur këtë status dhe në trashëgiminë e tij artistike ka lënë “Motrën Tone”, apo siç përfytyrimi publik dhe kritika e kanë cilësuar: “Mona Lisa Shqiptare”. Idromeno i përket realizmit shqiptar dhe është ndër të parët artistë që e përqafoi këtë rrymë, apo më mirë të themi ndër të parët që e sintetizoi parimet e saj. Në fakt, “Motra Tone” është piktura e parë realiste shqiptare. E paraqitur në të është Antonia, motra e piktorit, një grua e re shkrodrane njëzetekatër vjeçe, e para modele që shërbeu për një pikturë shqiptare. Idromeno lidhi një vepër të ndërlikuar artistike dhe ideo-filozofike, ku paraqet me realizëm figurën e të motrës veshur me veshjen tradicionale të gruas katolike shkodrane. Kjo është edhe prej veçorive të Idromenos. Ai parapëlqen dhe zgjedh t’i pikturojë subjektet e veprave të veta me veshje popullore. Në rastin e “Motrës Tone” i shërbente faktit se piktura u nis si portret familjar dhe plotësonte gjithashtu edhe dëshirën e Antonias. Në një botëkuptim më të gjerë, paraqitja e personazheve me veshje tradicionale i shërben realizmit dhe muzës artistike prej etnografisë. “Motra Tone” dallohet për pozicionimin elegant të duarve. Ajo paraqet figurën e femrës shqiptare në kapërcyell të shekujve dhe pozicionin shoqëror mes të tjerëve. Në figurën e saj ka shtresëzime të thellësisë psikologjike dhe sugjestionimit artistik. A është Antonia duke vëzhguar diçka? A është duke ju ruajtur dikujt që të mos e shohë? A është në siklet? A është duke gjykuar me sy dikë/diçka? Kolë Idromeno e pikturoi të motrën kur vetë ishte njëzetetre vjeç. Talenti i tij përparimtar, e kapërceu artin shqiptar në një epokë të re. Piktura mund të shihet nga afër në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.
ARKIVI MARUBI
Fotografia erdhi në Shqipëri nga përtej detit, kur në vitin 1858 italiani Pietro Marubi, i vendosur prej pak kohësh në Shkodër hapi studion e parë të fotografisë. Pa e ditur, Marubi hodhi gurin e themelit për krijimin e një insitucioni absolut të fotografisë në Shqipëri. Së bashku me djemtë e tij, Kelën e Matin, e më pas Gegën, ata modernizuan përnjeherë jo vetëm konceptin e fotografisë që ishte i ri në mediumin artistik shqiptar, por edhe përqasjen e artistëve të tjerë në lidhje me mendimin, kompozicionimin dhe guximin artistik për ta kthyer fotografinë në art. Me qindra mijëra foto u shkrepën nga studio “Marubi” në Shkodër para dhe gjatë komunizmit. Arkiva Marubi mban dëshmi të jashtëzakonshme të fotove eksperimentale, personaliteteve të shquara të kohës, si dhe dokumentimit nëpërmjet fotografisë të jetës shoqërore. Sot, arkivi është konfiguruar në Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi dhe dhjetë për qind e tij është i aksesueshëm në internet. Fotot e familjes Marubi janë një pasuri e jashtëzakonshme e kulturës shqiptare. Në një rrafsh më personal, fotot dëshmojnë natyrën kurioze dhe lojën artistike të këtyre fotografëve të mëdhenj. Muzeu gjendet në Shkodër.
REGJISTRIMET E TEFTA TASHKO KOÇOS
Diva e lirikës shqiptare. Zonja e parë e skenës. Bilbili shqiptar. Këto janë veç disa prej cilësimeve që i janë bërë Tefta Tashko Koços gjatë karrierës së saj të shkurtër, por të mbushur me shkëlqim dhe dashuri. Muzika shqiptare ka njohur në kohë të ndryshme emra të mëdhenj, të cilët herë janë kthyer në fenomene mbarëbotërore, e herë kanë mbetur brenda kufijve të vendit për shkak të rrethanave historike. Tefta Tashko Koço është absolutisht prej personaliteteve të muzikës shqiptare që ka mabjtur me dinjitet mbi supe peshën e disa prej skenave të mëdha evropiane. Tefta lindi në Egjipt dhe u kthye fare e vogël në Shqipëri. Ndonëse u nda nga jeta në një moshë shumë të re, sopranoja me zërin lirik të ndritshëm koloraturë (Soprano Lirico-leggiero Coloratura) përjetoi një rrugëtim të lavdishëm. Zëri i saj është përjetësuar në regjistrimet pranë kompanisë italiane “Columbia” në vitin 1937 dhe mjafton ta dëgjosh një herë për të rënë në dashuri me dhuntinë e saj. Përveç repertorit të pasur operistik, Tefta studioi dhe interpretoi edhe shumë këngë të muzikës qytetare. Nuk mund të zgjedhim vetëm një, ndaj sugjerojmë t’i dëgjoni të gjithë regjistrimet e saj.
Një pjesë e sendeve të saj personale i janë dhuruar Muzeut Historik Kombëtar dhe kushdo që ka kureshti për t’i parë nga afër mund t’i vizitojë atje.
MONUMENTI I GJERGJ KASTRIOTIT SKËNDERBEUT NË SHESHIN “SKËNDERBEJ”
Shpesh i janë referuar si fari orientues në qendër të Tiranës, ndaj nuk duhet të habiteni nëse dëgjoni takohemi “te Skënderbeu”. Ka më shumë se pesëdhjetë vite që ky togfjalësh nënkupton qendrën e sheshit “Skënderbej”. Statuja e Gjergj Kastriotit mbi kalë, vepër e realizuar nga skulptorët Odhise Paskali, Janaq Paço dhe Shaban Hadëri u realizua me rastin e pesëqindvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Statuja është një vepër monumentale që përkujton madhështinë e figurës së Skënderbeut dhe e paraqet me të gjithë elementet e lidhura me të: përkrenaren me kokën e dhisë, shpatën e tij dhe kalin besnik. Sheshi “Skënderbej” ka ndërruar pamje disa herë, por monumenti njëmbëdhjetë metra i lartë, ka mbetur pikëtakimi i përbashkët i shqiptarëve në Tiranë.
MOZAIKU “SHQIPËRIA”
Sheshi “Skënderbej” mbizotërohet nga mozaiku gjigand ne fasadën kryesore të Muzeut Historik Kombëtar. I porositur nga sistemi i vjetër komunist posaçërisht për inagurimin e muzeut në vitin 1981, ky ansambël figurash imagjinare, paraqet historinë e kombit shqiptar që prej civilizimit ilir deri në fitimin e luftës antifashiste. Materialet për krijimin e tij u porositën dhe u morën nga Italia në dy parcela të veçanta. Në qendër të mozaikut qëndron figura e një gruaje, e cila përfaqëson “Mëmën Shqipëri”. Ky është një detaj i veçantë, po të mendosh që në shoqërinë e kohës, sistemi patriarkal qendërzonte figurën e burrit, por Shqipëria është parë gjithnjë si “nëna”. Mozaiku dhe tjetërsimi i tij në kohë të ndryshme me qëllim heqjen e simboleve të sistemit të kaluar ka hapur herë pas here debate dhe diskutime, por fakti është se ai është kthyer në një pjesë organike të hapësirës së shëshit “Skënderbej”, pa të cilin nuk mund të përfytyrohet tërësia e tij. Ndonëse mozaiku është një vepër e porositur gjatë sistemit të kaluar, vlerat artistike dhe estetike dëshmojnë për një vepër ku ndjeshmëria e krijimit ka prodhuar një imazh të gjithëkohshëm, ku kombinohen temperamenti, historia dhe qëndresa e popullit.