Lekë Tasi “Njeriu si subjekt i vënë në provë”

-Rrëfimi i veprës dhe artistit përmes lectio magistralis, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë

Akad. asoc. Stefan Çapaliku: “Lek Tasi është një rast i veçantë, për faktin se kaloi epokën e socializmit shqiptar, pa kaluar asnjë ditë në eksperiencën e realizmit socialist.”

Drejtori i Qendrës së Artit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad.asoc. Stefan Çapaliku, e çeli veprimtarinë në praninë e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akad. Skënder Gjinushit dhe kryesisë së ASH, akad .Vasil Toles, akad. Shaban Sinanit, si dhe akademikëve, studiuesve dhe artistëve.

Ai tha se Lek Tasi është një artist multidisiplinor, në kuptimin që rruga e tij e jetës, bukur e gjatë, ka kaluar nëpër disa mediume, ku lidhjet e para i pati me muzikën deri në vitin 1967, në kohën kur u pushua për motive politike si celist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operës, dhe ndërsa është marrë paralelisht me pikturën, duke përfunduar me letërsinë më vonë, por pa e lënë mënjanë asnjë ditë pikturën.

“Lek Tasi është një rast i veçantë, për faktin se kaloi epokën e socializmit shqiptar, pa kaluar asnjë ditë në eksperiencën e realizmit socialist.” -theksoi akad.asoc. Çapaliku.

Dr. Agron Mesi e nisi bisedën duke kujtuar arkivën e tij fizike dhe memoristike.

Ai i kujtoi artistit Lekë Tasi vështirësitë, privimet dhe deri dhunën shtetërore që shoqëron pjesën më të rëndësishme të jetës së tij, që nisi me adoleshencën, me moshën 16-17 vjeçare, dhe me vitin 1945, e që vazhdoi pa ndërprerje e gjithnjë duke u rënduar, deri në moshë madhore me fitoren e lirisë në prag të 60-ave, në vitin 1990.

Dr. Agron Mesi tha se Lek Tasi ia ka dalë të mbijetojë fizikisht, por ç’është më e rëndësishmja të jetojë shpirtërisht dhe moralisht, i pasur, i dlirë, i vyer, i padeformuar nga trysnia e deri dhuna shtetërore e shoqërore e ushtruar absolutisht pa të drejtë ndaj tij dhe familjes së tij. Falë kësaj rezistence të pashoqe, shoqëria shqiptare, e djeshme dhe e sotme, ka fatin të ketë të pranishme si pjesë të vyer të saj një figurë të tillë, një artist pamor të spikatur, një shkrimtar dhe një njohës profesionist të muzikës.

Në fillim dr. Mesi bëri paraqitjen e albumit të familjes Tasi, që zë fill më 1925-n në Athinë . Artisti rrëfeu se ka lindur në Athinë, në një familje patriotike.

Dr. Agron Mesi kujtoi më tej se babai i Lek Tasit ka qenë një patriot demokrat i bindur në kauzën e tij. Ishte pjesë e revolucionit demokratik të 1924-s të udhëhequr nga Fan Noli, dhe e vazhdoi ta mbante këtë qëndrim pro demokratik edhe më pas në Athinë, ku u detyrua të emigronte për 15 vite në periudhën e ushtrimit të pushtetit të Ahmet Zogut.

Lek Tasi rrëfeu raportet e vështira me të atin, për karakterin e rreptë, dhe kujtoi se në studimet e tij kanë ndikuar, përtej afeksionit familjar, më tepër daja që e ndihmoi për dijet, si student në Athinë që kishte bërë shkollën e Fullcit, dhe xhaxhai që ka ndikuar shumë në muzikë.

U prezantuan punimet e para, vitet 1942-‘43.

Familja Tasi pas 17 viteve qëndrimi në Athinë, u riatdhesua në vitin 1941, duke u vendosur fillimisht në Përmet, dhe një vit më vonë, më 1942 në Tiranë. Punimet pamore më të hershmet të Lekë Tasit datojnë disa vizatime që iu përkasin viteve 1942, ‘43.

Këto vizatime karakterizohen nga një format krejt romantik. Edhe kur merreshin nga realiteti ishin romantike të idealizuara. – tha artisti.

Dr. Agron Mesi prezantoi disa nga vizatimet e para grafike, pa ngjyra, që paraqesin një gjeografi dhe arkitekturë, e kanë një stilistikë disi më ndryshe trajtimi.

Mbresëlënëse është fletorja me vizatime, viti 1945. Të vitit 1945 janë disa vizatime të përfshira në një fletore, në mbulesën e së cilës janë shënuar dhe lokacionet Përmet, Korçë dhe Ogdunan.

Lek Tasi rrëfeu se ishte ai moment krijues i jetës së tij, që kuptoi se në pikturë mund të mësosh ekskluzivisht me vizatime nga natyra. Ai rrëfen se në pikturën e 1 gushtit, të 1945-s ka qenë në një moment historik duke udhëtuar, ku dëgjohej zëri i kuvendit antifashist që çoi në zgjedhjet qeveritare…

Dr. Mesi tha se vizatimet ngjajnë mjaft të avancuara për sa i përket shkathtësisë së ekzekutimit, duke u trajtuar në formën e krokive apo të skicimeve direkt nga natyra.

U prezantua më pas blloku me vizatime i kohës së ushtrisë, vitet 1952- 1953. Lek Tasi rrëfeu për ndikimet nga mësues të vizatimit si Nexhmedin Zajmi dhe Abdurrahim Buza, ndërsa u diplomua në vitin 1949.

Dr. Agron Mesi u përqendrua më tej në krijimtarinë e viteve ’50, që nga disa vizatime të kohës së ushtrisë, që i përkasin gjysmës së parë të kësaj dekade dhe periudhës kur Lek Tasi vazhdoi punën si instrumentist pranë orkestrës së Teatrit të Operës, ku janë zhvilluar dy vokacionet artistike, muzika dhe piktura, ku në këtë të fundit ndjehet një farë ndikimi nga fryma e shkollës tradicionale italiane apo dhe asaj ruse.

Vizatimet e familjarëve janë më së shumti të periudhës së viteve ‘50 dhe ’60, ku janë disa punime ku Lekë Tasi i trajton si motive të intimitetit familjar, si dhe disa etyde të ambienteve të banesave dhe të figurave të familjarëve, por edhe disa studime me portrete të tyre.

Një etyd brendie mban shënimin “në bodrum”.

Si është kalvari i banesës dhe banimit tuaj në këto vite, dhe si ju ambientoheshit dhe vijonit të vizatonit dhe pikturonit me shumë zell dhe dashuri në ato kushte aspak komode? – e pyet dr. Mesi artistin.

Lekë Tasi tha se, në fakt, vuajtjet, persekutimet për të riun, për adoleshentin kalojnë në një filtër egoizmi, që nuk i ndjejnë aq sa të rriturit. Ai kujton se ishte nëna ajo që shkonte nëpër kampe internimesh për të takuar të afërmit, një odise e tërë e atyre viteve, derisa ata dolën, ose vdiqën ne burg.

I pyetur se pse vepra e tij nuk ka elementë tragjikë, Lek Tasi tha se ajo freski që quhet egoiste e bën njeriun që të japë diçka dhe të mos ndrydhet në pesimizëm ose depresion. E quaj për të gjithë një lloj justifikimi, sepse ajo freski e adoleshencës e mban të gjallë edhe krijimin.

Për lidhjet e tij me muzikën Lek Tasi tha se nisën në vjeshtën e vitit 1943, ku u shpall krijimi i një shkolle muzike pranë RTSH, ku ai u regjistrua për violonçel dhe e motra Tefta për kanto.

Dr. Agron Mesi i tha Lek Tasit se shquhen punimet e kësaj periudhe, ku ndjehet interesi për peizazhin urban, për qytetin e Tiranës, kryesisht për zonën e pazarit.

Ai e pyeti pse një punim nga këto, i vitit 1959, mban shënimin: “ditën që filloi prishja e pazarit të vjetër”.

“Që kur filloi buldozeri që të shembi pazarin e jetës, unë kam “regjistruar” këtë akuarel dhe të tjera që i kam akoma.

Dr. Mesi i kujtoi Lek Tasit edhe përpjekjen për të realizuar skenografitë e operës “Carmen”, që po vihej në skenë, projekt që nuk u pranua, ndërsa në vitin 1967, ndodhi përjashtimi nga puna si instrumentist.

Pas kësaj nis kalvari i peripecive dhe vështirësive të Lek Tasit.

Më dërgimin me punë nëpër ndërmarrjet bujqësorë rreth Tiranës, Lek Tasi ndërpreu lidhjen e ngushtë me instrumentin dhe interpretimin, në përpjekje për t’u adoptuar me pikturën, duke punuar peizazhe tepër lirike, jo aq të gjalla apo të ekzaltuara në ngjyra, por prapë të këndshme, të lehta, transparente, disi melankolike, por kurrsesi të shqetësuara apo dramatike.

Unë në fakt i kam të gjitha akuarelet pa shumë ujë dhe këtë sekret e ruaj ende në krijimtari, që të krijon atmosferë më të gjallë, e që është një regjistrim i natyrës, një etyd më tepër. –tha Lek Tasi.

Më pas u prezantuan punët e fillimviteve ‘ 70, kolazhet.

Shfaqen si krejt të papritura disa kolazhe, me teknikën e letrave me ngjyra të prera dhe të ngjitura në sfonde. Këto punime të sugjerojnë si referent artistë modernistë të disa drejtimeve të periudhës së gjysmës së parë të shek. XX si të konstruktivizmit, suprematizmit apo neoplasticizmit. Dhe duken të përfshira në gjithë atë atmosferë të kërkimeve stilistikore që edhe artistë të tjerë shqiptarë bëjnë paralelisht në këtë periudhë, pra në fund të ’60-s e fillimeve të ’70-s, ndikuar nga këto korrente artistike moderniste, megjithëse të hershme apo tashmë të tejkaluara në historinë e artit botëror.

Dr. Mesi tha se kjo periudhë (fundi i viteve’60, gjysma e parë e viteve ’70) përbën dhe momentin e thyerjes në krijimtarinë e Lek Tasit, me përpjekje për të gjetur një gjuhë më moderne të trajtimit të veprës së artit.

Dr. Mesi prezantoi edhe punët pas viteve ’70, duke nisur nga viti 1975, internimi në Grabjan. Kjo situatë tensioni ndjehet apo reflektohet edhe në krijimtarinë e Lek Tasit.

Bëhet fjalë për një qasje krijuese në këtë periudhe kohore 15 -vjeçare, që vijon e tillë unike deri në vitin 1990, ku Lek Tasi si një intelektual aktiv i shoqërisë civile vijon të merret seriozisht me pikturë dhe ekspozon vazhdimisht në vite me tematika të tilla si “Teatri dhe Muzika”, “Kafenetë”, “Bixhozi”, “Grabiani”, “Në autobus”, dhe një sërë temash të tjera sociale universale apo aktuale që e kanë pasuruar dhe çuar krijimtarinë e tij në dimensione tepër të admirueshme, duke u bërë një zë unikal dhe i rëndësishëm në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.

Në fund të veprimtarisë akad. asoc. Stefan Çapaliku e vlerësoi Lekë Tasin si një person që nuk njeh moshë, që sfidon kohën, që jeton në paqe me të kaluarën e tij jo të lehtë, që jeton aktiv në tërë plotësinë e saj të sotmen, dhe është plot shpresa e plane për të ardhmen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *