Në hollin kryesor të Muzeut Historik Kombëtar në shtator 2015 në ekspozitën “Antihomazh” publiku pa për herë të parë maskën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Ekspozimi për herë të parë i një artefakti siç është maska e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha, u shfaq për publikun nga artisti Ardian Isufi, i cili shprehet se krijimtaria e tij, ajo e viteve të fundit dhe qëmtimet e tij artistike, nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror, e nxitën atë të realizojë një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar si në rrafshin historik, por edhe antropologjik. Në intervistën për gazetë “SOT” Ph.D. Assoc. Prof. Ardian Isufi shprehet se për atë si autor nuk ishte shumë e rëndësishme thjesht përballja me maskën në një situatë të tillë të paqëndrueshme destabilizuese, por ishin reagimet që do të kishte publiku. Ai tregon se në vitin 2015 ka regjistruar reagimet e publikut, aspektin antropologjik të tyre, mimikat e tyre, kushtin emocional, shkak pasojën që ajo lë, përballja me kohën, me diktaturën, me izolimin, atë pjesë të rëndë që ka kaluar shoqëria shqiptare. Ph.D. Assoc. Prof. Ardian Isufi thotë se qysh në atë kohë i ka sugjeruar Muzeut Historik Kombëtar që ky artefakt të mund të prezantohej në atë formë instalacioni si Anti-Homazhi dhe të ishte pjesë permanente e muzeut, sepse aty krijohet një marrëdhënie shumë e fortë reflektuese me publikun.
-Instalacioni “Antihomazh” realizuar nga ju u prezantua për publikun në Muzeun Historik Kombëtar. Në hollin kryesor të MHK-së në shtator 2015 publiku pa për herë të parë maskën e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Si lindi ideja për këtë instalacion?
Si çdo artist që e ka gjithmonë vëmendjen përsa i përket gjetjeve dhe detajeve me rëndësi për ti kthyer në një analizë jo thjesht pamore, por dhe artistike e politike, dhe unë rastësisht duke lexuar në një intervistë një nga dëshmitarët e kohës që ishte marrë me pjesën e grimit mortor të diktatorit ku flitej me një ankth dhe tension të madh në kujtimet e tij, gjithashtu aty lexoj një detaj se ekziston dhe maska mortore e diktatorit Enver Hoxha. Ideja ime lindi nga një moment shumë spontan, por gjithmonë artisti, i cili kërkon pafundësisht të qëmtojë gjëra që janë kyç në historinë jo vetëm tonën, por në kuptimin e diktaturave në tërësi ishte “fillesa”. Dhe fillova pak nga pak të bëj një hetim artistik për ta gjetur. Fillimisht mendohej që ishte në arkivin dhe fondin e Piramidës, por më pas me shumë mundime e gjeta që ishte në fondin e Muzeut Historik Kombëtar. Aty nisi dhe sprova, patjetër kisha dhe një mirëkuptim në atë kohë nga titullarët e këtij institucioni MHK, që unë të kisha një kontakt real me maskën mortore të diktatorit. Sapo e pashë menjëherë krijova një “momentum” shumë të fortë që kjo maskë mortore duhet patjetër të përballej me publikun. Jo vetëm thjesht si një objekt, por dhe si një subjekt i ngjarjeve dhe një përballje me historinë. Pas kësaj krijova një mega-instalacion të madh mental, ku në një tunel të bardhë si një dhomë e stërgjatë izolimi ashtu siç janë në spitalet psikiatrike që merren me çështjet mentale publiku përballej me maskën, duke u futur me radhë nga një person përballë maskës.
about:blank
-“Antihomazh” ishte një ekspozitë e cila erdhi në formën e një instalacioni artistik, duke sjellë një sintezë mes elementeve historikë dhe atyre të artit pamor. Në këtë kontekst u prezantua për publikun një qasje e re konceptuale e marrëdhënies që do të kishte çdo individ duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe me historinë e diktaturës. Krijimtaria juaj e viteve të fundit dhe qëmtimet e tuaja artistike, nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror, ju nxitën që të realizoni një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar si në rrafshin historik, por edhe antropologjik. Por si ishin reagimet mbi instalacionin në vitin 2015?
Për mua si autor nuk ishte shumë e rëndësishme thjesht përballja me maskën në një situatë të tillë të paqëndrueshme destabilizuese, por ishin reagimet që do të kishte publiku. Unë kam regjistruar reagimet e publikut, aspektin antropologjik të tyre, mimikat e tyre, kushtin emocional, shkak pasojën që ajo lë, përballja me kohën, me diktaturën, me izolimin, atë pjesë të rëndë që ka kaluar shoqëria shqiptare. Dhe jo vetëm që për mua ishte interesi i marrjes së informacionit të momentit të parë dhe i shkak pasojës psikologjike që lë tek publiku, por mbi të gjitha ishte dhe hulumtimi që unë i bëja jo vetëm gjeneratave që e kanë jetuar atë kohë, por dhe gjeneratave të reja. Sepse në fund të fundit diskutimi im i madh është që ne vazhdojmë të kemi hijet e komunizmit, hijet e diktaturës, në mënyrën se si e shohim pushtetin, në mënyrën se si ushtrohet pushteti dhe të gjitha këto unë i kam sintetizuar në një video-dokument, ku janë të gjithë njerëzit që e shikojnë maskën pa e ditur që ndërkohë ata po regjistrohen. Dhe mbi të gjitha kam konkluduar në një videoart nga një “njeri” që përballë maskës bën një akt duke e përqeshur, duke i nxjerrë gjuhën në formë shtazarake dhe duke larë “hesapet” në mënyrë metaforike me kohën, me diktaturën. I pari në “Antihomazh” pra në këtë performacë-instalative ka hyrë Maks Velo, por ishte edhe Liri Lubonja, ishin antikomunistë apo komunistë, njerëz që kanë vuajtur nga diktatura apo njerëz që diktatura i ka promovuar në një farë mënyre deri tek gjeneratat e reja që dinë nëpërmjet informacionit në atë kohë, pra të gjithë këta m’u sintetizuan tek ky njeri që krijoi këtë akt, këtë lloj mjeti për tu përballur me kohën, me diktatorin dhe me diktaturën.
-Ju treguat se i pari që hyri në muze për të parë instilacionin me maskën mortore të diktatorit ishte Maks Velo. Si ishte reagimi i tij përballë maskës mortore të diktatorit?
Maks Velo ka qenë i pari vizitor që hyri për të parë maskën dhe reagimi i tij është nga reagimet më të mençura të kohës, sepse më tha që “është kontribut Ardi, që ti po na sjell kohën”. Kaq. Nuk më tha as mirë apo keq. Mendoj që ishte një reagim që publiku ka rëndësi të përballet dhe të reflektojë shumë fort për atë kohë që ne kaluam dhe për diktaturat si utopi në tërësi. Ajo ishte diktatura jonë, por sot e kësaj dite ne kemi diktatura edhe në botë. Unë e sjell këtë si histori dhe si reflektim të fortë artistik që mos të përsëritet historia, sidomos dhe për gjeneratat e reja sepse “çdo komb që harron historinë e vet padyshim që mund të ripërsëritet”. Gjithashtu, ishte dhe Liri Lubonja që pati një shkak pasojë shumë të fortë, por ka pasur dhe një akt performativ dhe nga miku im Fatos Lubonja, i cili erdhi deri tek dera e këtij tuneli mental dhe nuk hyri brenda. Kishte një reagim shumë të fortë, sepse më tha nëse do të hynte brenda do ta thyej maskën. Unë i thashë bëj çfarë ty të vjen në pozicionin tënd si qenie humane, si një njeri që e ka mbajtur peshën e asaj kohe. Dhe ai mbajti atë lloj qëndrimi që ishte dhe për mua po pjesë e veprës. Sepse pjesë e veprës nuk ishin të gjitha reagimet për t’u futur brenda, por ishin të gjitha format e reagimit të publikut. Një nga problemet që ka pasur diktatura jonë ka qenë mohimi i individit për të lëvizur, sepse çdo kohë duhet parë me dy anët e medaljes, por unë mendoj që aspekti më negativ ka qenë izolimi i lëvizjes së lirë. Shqipëria përjetoi dy burgje, burgu i vogël që u futën njerëzit kundër sistemit, regjimit, dhe burgu që ishim të gjithë ne të izoluar nga sistemi.about:blank
– A ishte e lehtë për ta marrë dhe ekspozuar maskën mortore të diktatorit, a ju dolën probleme me ekspozimin?
Akte të tilla artistike nuk janë vetëm estetike, por janë dhe politike. Ishte një sfidë e madhe qoftë për t’u ekspozuar, qoftë edhe për ta prezantuar. Unë atë kohë kam pasur shumë diskutime të forta pro dhe kundër, por për mendimin tim kjo është dhe pjesa e rëndësishme përtej përballjes që ka artisti me këtë sfidë. Arti duhet të merret me çështje të forta për njerëzimin dhe në këtë aspekt përtej momentit goditës në një farë mënyre nga ata komunistët e vonuar, të cilët duke i ikur ai pushtet dhe ajo dhunë kanë akoma nostalgjinë e tyre paradoksale, por për mua ka rëndësi që unë e solla si debat gati si në një forum njerëzor, apo demokraci parlamentare mendimesh. Për mua si reflektimi pozitiv apo negativ janë pjesë e të tërës. Por kontributin më të madh mendoj se ka pasur një reflektim të fortë dhe radikal që ne si shoqëri nuk duhet të na ndodhin më diktaturat dhe utopitë që kanë diktaturat në tërësi.
-A jeni takuar në kohën kur nisët punën për ekspozitën me artistët që janë marrë me maskën mortore?
Hulumtova në informacione dhe dëshmi ku gjej se Muharrem Turkeshi që ka qenë një nga realizuesit e maskës mortore, kujtimet që ka pasur ai kanë qenë të rëndësishme ku i përmend edhe në tekstin tim kuratorial, sepse kuptohet që ka qenë një ankth dhe tension i jashtëzakonshëm edhe nga ata të cilët realizuan këtë maskë. Mendoj që ka qenë deri diku dhe jashtë dëshirës së tyre, por urdhrat e kohës kanë qenë të cilët të çonin deri në limitimin e jetës dhe kjo pjesë ndjehet edhe kur e shikon atë. Duket tensioni dhe nxitimi për realizimin e saj sepse nga ana antropologjike brenda maskës gjendet ndonjë qerpik, ka ndonjë pjesëz lëkurore, të cilët e bëjnë akoma dhe më me impakt të fortë këtë përballje fizike me objektin në fjalë, i cili me dritëhijet e tij politike çuan deri në atë degradim të shoqërisë shqiptare, ku përtej propagandës të asaj kohe “të gjithë ishim kundër të gjithëve”.
-Çfarë mund të na thoni për qëndrimin që duhet mbajtur ndaj maskës mortore të Enverit?
Qysh në atë kohë personalisht i kam sugjeruar Muzeut Historik Kombëtar që ky arte-fakt mund ta prezantonim në atë formë instalacioni si Anti-Homazhi dhe të ishte pjesë permanente e muzeut, sepse aty krijohet një marrëdhënie shumë e fortë reflektuese me publikun. Pra nuk është vetëm që publiku duhet të shohë maskën dhe të informohet mbi të, por ai reflekton mbi kohën, mbi historinë dhe mendoj që ajo duhet të shfaqet në këto forma bashkëkohore në pavionet e reja të MHK-së, pra mjetet e artit pamor me koncept të qartë artistik të kontribuojnë në ketë evidentim politik, social dhe shoqëror.
-Disa javë më parë ju hapët një ekspozitë vetjake në mjediset e Teatrit Kursaal, në Bari të Italisë. E titulluar “Ëndërr metalurgjike”, ekspozita erdhi si një kurorëzim i punës së realizuar në ekspozitat e fundit “Fraktura” (ndërhyrje specifike në burgun e Spaçit, Shqipëri 2023) dhe “Konspiracioni i Tiranës” (Galeria Kombëtare e Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2022). Por në këtë ekspozitë u shfaq dhe videodokumenti për instalacionin “Antihomazh”. Si ishte reagimi i publikut të huaj?
Vepra “Antihomazh” ka pasur një interes të jashtëzakonshëm. Për mua ka rëndësi shkëmbimi i kulturave, shkëmbimi i identiteteve, shkëmbimi i historive të shoqërive të caktuara dhe interesi ishte i madh. Teatri Kursaal është një hapësirë shumë domethënëse dhe për qytetin e Barit, ku jam i ftuar nga Fondacioni-Muzeu Pino Pascali, gjithmonë në tërësi dhe shoqëria italiane por dhe ajo ndërkombëtare përtej kuriozitetit duan të dinë dhe reflektojnë mbi faktet reale dhe shkak pasojën reale, që la ai sistem diktatorial dhe padyshim elementi që ata ndjenë shumë është elementi i izolimit. Në këtë aspekt vepra dhe në Bari të Italisë ka arritur parametrat për të qenë pjesë e të mirës publike. Por ky konkluzion i video-dokumentit është prezantuar dhe në ekspozita të tjera të miat personale si në Galerinë Kombëtare të Kosovës, etj.
“Antihomazh” në shtator 2015
Në Muzeun Historik Kombëtar u inaugurua “Antihomazh” nga artisti Ardian Isufi më 16 shtator 2015. “Antihomazh” një ekspozitë që erdhi në formën e një instalacioni artistik, duke sjellë një sintezë mes elementeve historikë dhe atyre të artit pamor, dhe për herë të parë ekspozimin e një artefakti interesant për t’u shfaqur për publikun, siç është maska e vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Ceremoninë e inaugurimit e hapi autori i instalacionit, artisti Ardian Isufi. “Krijimtaria ime e viteve të fundit dhe qëmtimet e mia artistike, nëpërmjet artit pamor në kontekstin social dhe shoqëror më nxisin të realizoj një ekspozitë si ndërhyrje artistike tepër të studiuar si në rrafshin historik por edhe antropologjik. Arkiva e Muzeut Historik Kombëtar ka në përbërjen e saj maskën e vdekjes të Enver Hoxhës që është një artefakt shumë interesant për t’u shfaqur për herë të parë në formën e një instalacioni artistik. Ishte kënaqësi të bashkëpunoja me Muzeun Historik Kombëtar”, tha Ardian Isufi ideatori i këtij instalacioni artistik. Në këtë kontekst prezantohej për publikun një qasje e re konceptuale e marrëdhënies që mund të ketë çdo individ duke u përballur me diktatorin (maskën e tij) dhe me historinë e diktaturës. Pra, publiku përmbyllte instalacionin që rrugëton fillimisht në një “tunel izolimi” dhe qëndron për pak çaste përballë “Enver Hoxhës”, duke krijuar një kontakt imagjinar me kohën. Ky kontakt me maskën-portret të shtyn në një kontakt psikologjik ku mimika apo xhestikulacioni emocional i portretit të çdo vizitori do të dokumentohet si Antihomazh me historinë tonë të diktaturës dhe për këtë arsye rruga e kontaktit përballë kësaj maske vdekje realizohej nëpërmjet një tuneli mental instaluar si labirinth i përroit psikologjik në hollin qëndror të Muzeut Historik Kombëtar. Ekspozita qëndroi deri më 22 shtator 2015 në MHK.
Intervistoi: Julia Vrapi Copyrights/Gazeta Sot