Figurat femërore të barokut’, Daorsa Dervishi-flaut traversier Barok, Alessia Travaglini-Viola Da Gamba, Jusuf Beshiri-klavicembalo

Nga Metila Dervishi

Mbrëmja e 11 Marsit, shënoi një nga netët më të bukura koncertale për kryeqytetin, ku performanca artistike e protagonistëve kryesor: Daorsa Dervishi në flaut traversier, Alessia Travaglini-viola da gamba, Jusuf Beshiri-klavicembalo, sëbashku me skenografine impresionuese, publikun artedashës dhe elitar intelektual, krijuan komponentët e një mbrëmje të paharrueshme….

Në qender të tematikës së koncertit ishin veprat e kompozitoreve femra të periudhës baroke, ku, kryefjalë ishin tre kompozitore barok, te trea me një lidhje të ngushtë me Federikun II të Prusisë:  Ëilhelmine von Bayreth, Anna Amalia e Prusisë, motrat e tij, dhe Anna Bon, si një nga vajzat me virtuoze në muzikën e dhomës në oborrin mbretëror të Federikut II. Publiku u njoh me interes me këto vepra dhe të vështira për t’u ekzekutuar, por që u sollën shumë mirë profesionalisht.

Ndërkohë,  e ftuar në këtë mbrëmjë ish dhe soprano e mirënjohur Linda Kazani, e cila kryesisht karrieren e saj e zhvillon mes Austrisë dhe Shqipërisë, ajo interpretoi; ‘Parasti in Dulcedine’ për soprano e b.c, të kompozitores veneciane të  viteve 1600, Barbara Strozzi (1619-1677). Strozzi ka qenë tepër e njohur, pasi ishte gruaja e parë që këmbënguli që kompozimet e saj të publikoheshin dhe stampoheshin. Përpos aftësive të saj si instrumentiste e këngëtare ajo donte të kujtohej, me të drejtë, dhe për kontributin e saj kompozicional. Strozzi njihet kryesisht për muzikën e shenjtë (sacra) dhe vokale, dhe pjesa që u ekzekutua dhe intepretua në mënyrë dinjitoze dhe mjaft emociounuese nga Kazani, është pikërisht nga pjesët e vëllimit të titulluar ‘Sacri Musicali Affeti’.

Ndërkohë Sonata për cembalo solo e një tjetër kompozitoreje femër, Marianna Von Martines,  u ekzekutua nga kalvicembalisti dhe pedagogu, Jusuf Beshiri. Beshiri, një emër i konsoliduar në jetën artistike në vendin tonë, shquhet për idetë dhë kulturën që do të përcjellë në ngjarje të ndryshme artistike në vend dhe kish një rol thelbësor në organizimin e këtij koncerti dinjitoz, të vecantë në llojin e tij. Në biografinë artistike të Beshirit, vihet re aktiviteti i tij artistik mes Italise, që ka nisur që në vitin ’91 në Milano dhe vendit të tij shqipërisë. Është për t’u vlerësuar pjesëmarrja e tij si pjesë e ‘United Europe Chamber Orchestra’ përgjatë viteve 2000-2011, si klavicembalist, organist, fortepianist, duke zhvilluar një aktivitet të gjerë koncertal me repertorin barok dhe të muzikës ‘sacra’. Ndërkohë që aktiviteti i Beshirit, shtrihet dhe në vende të ndryshme të europës.

Foto Kyd Zacharian

Një nga pikat më të rëndësishme të karrierës së Jusuf Beshiri, është fakti që themeloi festivalin ndërkombëtar  Vox Baroque  në Shqipëri, i pari në llojin e tij.  Kjo ide erdhi si një pasion dhe dëshirë e Beshirit dhe formimit të tij, për të shtrirë kulturën baroke në vend, por edhe dëshira për të promovuar trashëgiminë kulturore shqiptare.

Ndër të tjera jep dhe kontributin pedagogjik në instrumentin e klavicembalit në Universitetin e Arteve, si i pari pedagog që jep leksione mbi këtë instrument epoke, por pa i shkëputur dhe aktivitet didaktike dhe koncertale në  Itali, ndaj dhe një nga protagonistet e mbrëmjes, ish e ftuara e tij , Alessia Travaglini.

Travaglini e diplomuar për Viola Da Gamba në Konservatorin ‘G. Verdi’, Milano,  ndonëse e re në moshë, mban një cv profesionale në këtë drejtim. Me studime dhe në Konservatorin Mbretëror të Hagës dhe Konservatorin Kombëtar Superior të Lionit, mbrëmjen e së hënës, mbajti një peshë me rëndësi në Koncert.

Ndërkohë  e ftuar nga Beshiri, ishte dhe një nga bashkëpunëtoret dhe bashkëthemeluese e Albanian  Baroque Ensemble, Daorsa Dervishi, e cila shpjegoi me detaj programin e kësaj mbrëmjeje.

Foto Kyd Zacharian

Dervishi , e cila realizon aktivitetin e saj artistik ne Itali, kryesisht në Milano, që prej viteve ’99, kur hodhi hapat e para në Konservatorin ‘Verdi’, Milano për flaut modern, pastaj duke vazhduar edhe studime për flaut barok, etj,etj performoi si soliste, me profesionalizëm dhe pjekuri pjesët që i prezantuam më sipër. Një nga arritjet më të mëdha të fundme të Dervishit, është që përvcse është flautistia e parë baroke shqiptare, ajo së fundmi ka realizuar Premierë Botërore, veprat e kompozitorit anglez John Stanley, të publikuara nga një  prej shtëpive diskografike me prestigjioze Botërorë, Brilliant Classics.

Një mbrëmje plot magji, tinguj elegant, shpirtëror e profesional, ku i tërë publiku u bë NJë, mbledhur në një aureolë gjigande ku nga tingujt barok dhe estetika e lartë e një kohe të shkuar edhe Tirana nga lart, dukej më e bukur, ashtu sic muzika e mirë i bën njerëzit…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *