Posted on

Nga Kristaq Jorgo

Kështu jetoi… dhe kështu kaloi në tjetrën jetë, në lulen e moshës – “veshur me diell, mbathur me hanë”, siç thotë vargu i mrekullueshëm – njeriu, qenia e të cilit ishte veç buzëqeshje, dritë shpirtërore, mirësi e rrallë, fisnikëri e kushtim i palodhshëm për të tjerët.

Me të shenjuarit gjithçka punon të bëjnë atë për të cilën kanë ardhur. Tristani-plot-dritë pati profesion jete çka lidhej me thelbin e vet – dritën: fotografinë, filmin, duke fiksuar ndër breza mijëra e mijëra kujtime, tinguj hyjnorë e vallëzime harmonie që nuk njohin mort.

Pikëlloi, tronditi, dërrmoi, rrënoi largimi i Tristan Sherifit: familjen – shoqen e jetës, Enkeleidën e tre djemtë – të afërmit, miqtë dhe të njohurit e panumërt, një qytet të tërë, Durrësin, ashtu si njerëz nga dhjetëra qytete të tjerë brenda e jashtë Shqipërisë, çdonjërin që drita e tij preku.

Kur dielli bie, tokën e shpirtërat i mbulon errësira, por del hana që dritë prej tij merr e pastaj dielli rishfaqet sërish. Me njerëzit, kur bien, nuk ndodh kështu, veçse ME TË VEÇANTËT, ATA TË DRITËS – PO! Kanë rrezatuar aq shumë energji, buzëqeshje, mirësi, fisnikëri përgjatë ditëve të jetës së tyre, kanë dhuruar aq shumë dritë, sa ajo, DRITA, që është JETA VETË, që është SHPIRTI I TYRE VETË, I MBAN TË GJALLË BASHKË ME TË GJALLËT JETË E MOT.

Mirënjohje e fat që të patëm dhe do të t’kemi përgjithmonë në jetët tona, “veshur me diell, mbathur me hanë”, NJERIU I DRITËS, TRISTAN SHERIFI!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *