Intervistë me kompozitorin Haig Zacharian


Mirë se erdhët i nderuar profesor, është nder dhe kënaqësi të jemi me ju në këtë intervistë. Ju kemi ftuar sot për të njohur më shumë rreth jush, për jetën tuaj të mbushur me tinguj, por jo vetëm, pasi gjatë kësaj bisede do të zbulojmë edhe pasione të tjera tuajat.

Profesor, me sa dimë ju keni një lidhje ndryshe me muzikën në raport me kolegët e tjerë, kjo në lidhje me shkollimin, ç’mund të na thoni?

Po është e vërtetë, shkollimi im është krejt i rastësishëm; nisa shkollën si dëgjues (dëgjues në atë kohë nënkuptonte se para moshës 7-vjeçare mund të pranoheshe në shkollë, ku mund të merrje pjesë si dëgjues në klasë dhe, në bazë të ecurisë së nxënesit, mund të kaloje në klasën e dytë apo të përsërisje klasën e parë), kështu nisa klasën e parë. Pak para se të niste viti i ri shkollor, kur ishte ngritur edhe shkolla e muzikës në Durrës, kompozitorët e njohur si Fehim Ibrahimi, Kozma Lara etj. bënë një fushatë për përzgjedhjen e fëmijëve që do të hynin në shkollën e muzikës, ndërmjet tyre edhe unë. Fillova në klasën e pianos menjëherë në klasën e dytë. Në atë kohë nuk ishte ndonjë pasion i madh, isha fëmijë dhe nuk kuptoja asgjë, por megjithatë karakterizohesha si një femijë i rregullt dhe i urtë, i cili vazhdonte studimin pa diçka të veçantë. Ky ishte fillimi dhe, pas transferimit në shkollën e muzikës, vazhdova deri në klasën e shtatë për të vijuar më tej gjimnazin, ndërsa instrumentin e pianos e vazhdova si i jashtëm (si element sekondar). Me përfundimin e maturës, për të vijuar shkollën e lartë nuk ishte e thjeshtë, pasi kishte disa kritere (që ndoshta sot edhe nuk kuptohen, sepse sipas rregullit të asaj kohe, një familje me tre fëmijë, ku dy prej tyre ishin me shkollë të lartë, të tretit nuk i jepej kjo mundësi). Për rastësi një alternativë ishte konkursi për në Konservator, i cili mund të bëhej dhe, më pas, në varësi të kontigjentit të studentëve, bëhej edhe përzgjedhja. Kështu m’u dha e drejta të studioja në këtë fushë, në degën e kompozicionit me pedagogun Tonin Harapi, duke ndalur në këtë mënyrë dëshirën dhe prirjet e mia, të cilat ishin më tepër në drejtim të shkencave ekzakte.

Në hapat e para drejt muzikës, kush ishte për ju njeriu/profesori/kompozitori, të cilin e shihnit si një model për t’u ndjekur?

Zakonisht edhe nga historia, pedagogu i degës është modeli që ndjek studenti, të paktën edhe nga ato që kemi dëgjuar, por pavarësisht nga influenca e pedagogut mbi studentin, pedagogu ka edhe një detyrë tjetër, e cila është të orientojë studentin për të parë më tej se pedagogu, për t/u njohur edhe me kompozitorë të tjerë. Gradualisht njohja me literaturën muzikore dhe me kompozitorë të të gjitha epokave, si për të gjithë studentët, krijojnë ato preferenca rreth kompozitorëve, por përgjithësisht udhëheqja më e mirë është drejt muzikës së mirë.

Ju nisët që në moshën 24 – vjeçare të kishit një jetë artistike intensive, si erdhi kaq herët (menjëherë pas shkollës së lartë) dhe a mendoni se kjo ka qënë një prej arsyeve (përpos pasionit tuaj) që bëri krijimtarinë tuaj muzikore të larmishme dhe më të gjerë në shumë gjini?

Kur individi përfundon një shkollë, ai beson se ka një profesion (qesh) megjithëse nuk është i perfeksionuar. Në atë kohë krijimtaria ishte e stimuluar nga vetë politika e regjimit; kishte aktivitete kulturore, muzikore ku dashje-padashje ishe pjestar, duhet të ishe aktiv në profesion, por edhe për faktin se nuk ishim të shumtë në numër ne të cilët krijonim. Ne ishim në njëfarë mënyre ‘të detyruar’ të krijonim që nga këngët për fëmijë, muzikë për ansamblet amatore dhe deri te veprat e mëdha simfonike, pra edhe për shkak të numrit të vogël të kompozitorëve që mund ta bënin këtë punë. Ishte domosdoshmëri për studentët që mbaronin një shkollë, që të krijonin mundësinë për të qenë aktiv, përmes festivaleve apo aktiviteteve të shtëpive të kulturës të asaj kohe.

Filmi juaj i parë, i cili mban firmën tuaj si kompozitor është filmi “Ilegalët”, i vitit 1967 i Kinostudios “Shqipria e Re”; si erdhi ky bashkëpunim me regjisorët Rikard Ljarja dhe Saimir Kumbaro dhe a shënoi ky film diçka për jetën tuaj artistike?

Kjo ishte një rastësi, një shok i imi, i cili kishte shumë afërsi me Rikard Ljarjen më thotë: a mund të bësh një muzikën e një filmi me Rikard Ljarjen si regjisor, pasi ai dëshiron një kompozitor të ri (në moshë të re)? I them se nuk kisha bërë më parë muzikë filmi, por ai përsëri insistoi duke me thënë “po mirë provoje njëherë”. Në shkollë nuk kishim marrë ndonjë informacion rreth muzikës së filmit dhe më është dashur të shoh me orë të tëra filma, por tani me syrin se si mund ta realizojë unë. Ajo çfarë unë duhet të bëja ishtë të shihja çfarë kishin bërë të tjerët para meje, kjo lidhet edhe me një shprehje të Ennio Morricone-s, e pyesin – “ku e gjeni frymëzimin që keni krijuar mbi 400 muzikë filmash?” – ai përgjigjet “nuk e kuptojë çfarë thua, unë kur duhet të bëjë diçka shoh çfarë kanë bërë të tjerët më para dhe vazhdojë punën, çfarë është frymëzimi?” (qesh). Këtë gjë bëra edhe unë. Për fat, ky film shkoi mirë dhe pas këtij filmi filluan edhe kërkesat për bashkëpunime të tjera, ku fillova të merrja edhe pak eksperiencë.

Dimë se kolona zanore e filmit “Yje mbi Drin” (1978) është krijuar nga ju në hidrocentral, si ishte kjo eksperiecë ndryshe për ju?

Jo nuk isha në hidrocentral në atë kohë, filmi është xhiruar atje, unë isha kthyer në Durrës në vitin 1977, por kuptohet pasi kisha kaluar katër vite në hidrocentral, në kantier. Kantieri kishte dy shtëpi kulture, një sallë për estradë, por edhe për teatër, sallë me 400 vende me një skenë relativisht jo shumë të madhe, ku shfaqeshin edhe filma apo realizoheshin aktivitete masive. Ideja e së gjithës për shtëpitë e kulurës ishte që punëtorët të edukohen pas përfundimit të punës.

Filmi “Përtej mureve të gurta” (1979) ka qënë një film i veçantë për tematikën e trajtuar, pasi tema e luftës ndërlidhet edhe me një tematikë tepër të mprehtë për kohën: emancipimi i gruas shqiptare, dalja e saj përtej mureve të ndrydhjes, tuteles, perçes dhe gjithë zakoneve të vjetra dhe patriakale (që i hasim edhe sot në forma të ndryshme); si ka ndikuar ky skenar te ju për krijimin e kolonës zanore të filmit në fjalë?

Ky është një film bardh e zi, gjë që i shkonte përmbajtjes së filmit, ku tregonte për një jetë me shumë strese, ndrydhje, shumë privime nga jeta e lirë, patjetër që ky nuk ishte qëllimi i filmit, sepse me këtë nuk është marrë ndonjëherë regjimi i asaj kohe, kjo lloj popullësie gjeti frymëzim dhe lirinë te lëvizja komuniste. Megjithatë është një muzikë (jo nga më të mirat të miat), e cila anon më tepër nga karakteri sinfonik, se nga tiparet e tjera të muzikës së filmave të zakonshëm, që afrojnë edhe me muzikën e lehtë ndonjëherë.

“Dora e ngrohtë” (1983) ka në qendër një personazh problematik në adoleshencën e tij që gjen mbështetjen te shoqëria, konkretisht më tepër te profesori dhe shokët e tij të klasës (gjimnazit), të cilët e ndihmuan për të dalë nga situata ku ishte përfshirë (sidomos pas daljes së tij nga burgu), një tematikë e re kjo për kohën. Ky film pati shumë impakt te publiku, po te ju si erdhi?

Dora e ngrohtë, ishte një film shumë i mirë. Kur e pash materialin (pa muzikë kuptohet) kishte jetë brenda, kjo e ndihmoi edhe zgjidhjen muzikore. Muzika e filmit ka shumë zgjidhje të ndryshme; ka filma që muzika qëndron në sfond dhe e shoqëron gjithë filmin, por pa luajtur një rol në të, por ka dhe raste të tilla ku muzika bëhet edhe personazh (ndonjëherë kur muzika është aq e bukur sa e dominon edhe filmin). Për rastësi nuk pata fare vështirësi për të krijuar këtë muzikë, për fatin e mirë edhe ky film u prit mjaft mirë nga publiku.

Përsa i përket filmave dhe teamtikave të tyre, ata klasifikohen (në ndarjet kryesore) në filma me temën e luftës dhe filma me temë sociale. Vetë ju si e keni gjetur veten ndërmjet këtyre dy kategorive?

Muzika është pjesë e filmit, por muzika merret me emocionet si në filmat e luftës, ashtu edhe në filmat lirikë; pikërisht janë ato (emocionet) që dominojnë muzikën dhe muzika vetë në këtë plan dominon. Për shembull, në një film me temën e luftës ka edhe skena që në mënyrë figurative shërbrjnë për të mbushur dramaturgjinë, kjo është diferenca, por muzika merret me emocionet, diferenca nuk është te përmbajtja aq sa është te askepti i perceptimit të regjisorit së bashku me kompozitorin për një film të caktuar.
Ju jeni rikthyer pas viteve ‘90 nga një shkëputje 15-vjeçare nga muzika e filmit, pse dhe si erdhi kjo shkëputje?

Kjo shkëputje erdhi natyrshëm pasi u ul numri i filmave, madje pati një periudhë ku u ndalën plotësisht, por edhe zhvillimi i teknologjisë luajti një rol të rëndësishëm (elektronika, kompjuteri, studiot etj.), ku u krijuan mundësi të reja për muzikën e filmit megjithatë, për fatin tim të mirë, më janë ofruar bashkëpunime edhe pas kësaj periudhe (sepse kompozitori nuk mund të kërkojë vetë të krijojë muzikën për një film).

Për të mos qëndruar vetëm në muzikën e filimit, e cila është ndër më të parapëlqyerat për publikun, do të donim të dinim, cila është gjinia juaj që ju rrëmben dhe ju bënë të shfaqni gjithë shpirtin tuaj artistik?

Nuk kam ndonjë gjini të veçantë që e preferoj, pasi kam krijuar që nga kënga për fëmijë e deri te muzika simfonike e skenike. Kështu që preferencë nuk kam patur, por për gjërat që nuk i kisha bërë më parë, apo nuk kisha shumë krijime në atë zhanër, kisha më tepër kuriozitet për të hyrë në ato fusha.

A keni një krijim tuajin, të cilin e veçoni nga të tjerët?

Jo nuk kam! Çdo punë për mua ka cilësitë e saja, mund të më pëlqejë edhe ndonjë këngë e vogël që kam bërë, por përgjithësisht nuk mund të veçoj asnjë krijim timin.

Përpos gjinive të tjera nga ato më të vogla e deri te poema simfonike, ju keni krijuar edhe në gjininë e baletit, konkretisht baleti “Legjenda e lules Honinë”, si erdhi ky krijim i veçantë si mbështetja në një legjendë, ndoshta të panjohur për publikun dhe a gjen kjo gjini hapësirë në aspektin e vënies në skenë?

Kjo ishte një propozim që më bëri në atë kohë koreografi Gëzim Kaceli, një koreograf shumë i dashur për përpunimin e muzikës popullore, por edhe më tej. Përalla është shumë e bukur është një Hirushe (alla shqiptare), pa ato zhvillimet e mëdhaja të Hirushes origjinale) edhe kjo ishte një eksperiencë si ajo e filmit (për herë të parë), ku më duhet të shihja balete të tjera, ndonëse nuk është një balet i madh/ i gjatë (është rreth 30 minuta). Ky balet shkoi mirë, vetëm se më vjen keq, pasi më ka mbetur vetëm një copëz inçizimi nga finalja e baletit, i shfaqur në një emision në RTSH – “Koha në pentagramin tim”. Mbi atë muzikë kam krijuar një Prelud ku, konkretisht, mbi një pjesë të temave muzikore të baletit u realizua një vepër për orkestër simfonike (njihet kjo metodë, ku këto realizime mbi temat e operave, baleteve apo filmave siç mund të jenë prelude, uvertura etj., interpretohen nga orkestra pa koreografi).


Ju nuk keni lënë ‘pas dore’ as muzikën e teatrit, pra një vend të rëndësishëm zë edhe teatri në krijimtarinë tuaj; si jeni gjendur në këtë zhanër?

Kryesisht për teatrin kam shkruar kur isha në qytetin e Durrësit; ishim një ambient ku ishte normale që unë ose ndonjë tjetër kompozitor do të shkruanim për teatrin. Ishim pak dhe kishte mundësi për të gjithë, teatri është një gjini shumë interesante, është krejt ndryshe nga muzika e filmit. Teatrit nuk i nevojitet aq shumë material muzikor, përveç kur vijmë te llojet e reja të teatrit, të cilat nuk ishin të njohura në atë kohë. Në fund të fundit muzika është muzikë, prandaj ajo mbijeton edhe pa elementin tjetër si teatër, film apo balet, ky është fati që ka muzika.

Për t’u rikthyer gjinisë së filmit “Taulanti kërkon një motër” (1984) mbetet një ndër filmat më të mirënjohur e të pëlqyer ndër vite, kjo përsa i takon tematikës që trajton, por edhe në aspektin e materialit muzikor sa të thjeshtë e të qartë, motivit që të mbetet në mendje menjëherë, por edhe për atë zhvillim koncertal që merr kjo temë në duart e personazhit kryesor, Yllka Mujos. Ç’mund të na thoni për këtë krijim; a gjendet ky film në listën e filmve tuaj të preferuar?

Po, edhe si muzikë edhe si film ishte shumë i bukur, ishte një arritje e regjisores Xhanfize Keko, pasi ishte një muzikë e thjeshtë, pa shumë ndërlikime. Bënë pjesë në grupin e atyre kolonve zanore që jo vetëm ilustrojnë, por edhe marrin pjesë gati-gati si personazh. Madje kjo ka një specifikë të veçantë që ndodh në filma, sepse më është dashur që muzikën ta shkruaj përpara xhirmieve të filmit, pra filmi është xhiruar mbi muzikën. Në skenën me aktoren Yllka Mujo dhe djalin e vogël, të cilët luajnë së bashku në piano, ata e kanë mësuar më përpara muzikën dhe mbi muzikën është xhiruar ajo skenë.

Në intervista të tjera nga ju kemi kuptuar se muzika nuk është pasioni juaj i vetëm, pasi ju keni edhe pasione të tjera si ai për inxhinierinë elektrike, elektronike etj., ky duhet të jetë ai pasioni ‘në sirtar’ i fëmijërisë! A e praktikoni në kohën tuaj të lirë?

Unë besoj se çdo njeri ka një pasion të dytë, një nga këto pasione te unë lindi që në vegjëli për t’u marrë me paisjet elektrike, përsëri më pëlqen akoma edhe pse tani gjërat janë ndërlikuar shumë me hyrjen e informatikës, si pasojë nevoijtet më shumë njohuri në drejtim të infomatikës dhe programeve kompjuterike, megjithatë e ndjej veten mirë kur merem me to, plotësoj një dëshirë të hershme. (qesh)

Në përfundim të kësaj interviste do të doja të preknim edhe muzikën e filmave tuaj të fundit që janë krijuar pas viteve ’90. Në këto vite, bashkëpunimet ndonëse jo të shumta në numër, sërish kanë rezultuar të suksesshme, duke përmendur së pari filmin “Maja” (2010) me regji të Pluton Vasit. Pikërisht ky film ka një tjetër trajtim muzikor edhe në aspektin e përzgjedhjes së formacionit të saj (muzikë dhome), ç’mund të na thoni për këtë krijim?

Po ti vëmë re të gjithë filmat pas ’90, rrallë gjenden formacionet simfonike, orkestrat pothuajse nuk ekzistojnë fare edhe në raste kur ato janë, krijohen orkestra virtuale. Filmat e realizuar nga unë janë krijuar me pak instrumenta. Kryesisht kam punuar me regjisorin Pluton Vasi dhe këto i përkasin këtij formacioni.
Filmi juaj i fundit mban titullin “Këtu vallëzohet me hijet” (2023), përsëri një film nga regjisori Pluton Vasi, si erdhi sërish ky bashkëpunim?

Ky bashkëpunim i dytë erdhi pasi të merr në telefon regjisori dhe të pyet kam një skenar (qesh), nuk ka diçka të veçantë këtu, nuk bëhen takime të veçanta zyrtare (qesh).
Për këtë film mund të them një fakt, ky film ka marrë pjesë në një festival në Angli dhe shfaqet në kinematë e Londrës.

Filmi “Njeriu i mirë” (1982), një film që ju identifikon së tepërmi edhe ju si njeri (dhe jo pa qëllim e lamë të fundit, pikërisht për ketë arsye), sepse kemi vënë re te ju jo vetëm profesionistin e vlertë, por edhe njeriun e mirë brenda jush, tepër modest e pozitiv…

Më vjen mirë që opinioni është pozitiv (qesh) se ndonjëherë njerëzit mundohen të gjejnë defekte, rrallë shohin aspektin pozitiv.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *