Posted on

Në Tiranë u çel sot Panairi Ndërkombëtar i Turizmit, i cili hap siparin e një jave të rëndësishme për turizmin në Shqipëri, që do të vazhdojë me takimin e 70-të të Komisionit për Europën të Organizatës Botërore të Turizmit dhe Konferencën e Investimeve në Turizëm, organizuar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Drejtoresha Ekzekutive e Expocity Albania, Aulona Hoxha celi zyrtarisht Edicionin e 6-të të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit duke theksuar se,” “Ky edicion zhvillohet në zemër të Tiranës duke qëndruar në sheshin Italia“. Sot fillon një traditë e re dhe kjo është falë mbështetjes tuaj. Bashkë me partnerët tanë, nga Mali i Zi, Kosova, Bashkia e Tropojës, Gramshi, Pogradeci, Belshi dhe Bashkia e nderit Tirana, do të organizojmë konferenca dhe forume për shkëmbimin e ideve. Le të festojmë së bashku për të bërë këtë event një qendër promovimi për sektorin”, – u shpreh Hoxha.

E ftuar në ceremoninë e hapjes, Ministrja Mirela Kumbaro, u shpreh se, Tiranës i duhet një pikëtakim i tillë, pasi ka arritur të jetë një destinacion turistik i 365 ditëve të vitit dhe i paraprin një ngjarjeje historike si ajo e mbledhjes së Komisionit të Europës për UNWTO.

Nëse objektivin 365 ditë turizëm nuk e kemi arritur në Shqipëri, në Tiranë e kemi tejkaluar. Tirana është një destinacion turistik. Edhe kjo është një ndër arritjet më të mëdha të bashkisë së Tiranës. Tirana, arsyen kryesore për të cilën i tërheq sot turistët, siç thonë ata vetë, e ka sepse është një laborator i artit, arkitekturës bashkëkohore. Më vjen shumë mirë sot që në të gjitha raportet dhe kontaktet me partnerët kërkojnë vizitë turistike në Tiranë, që nga Sheshi ‘Skënderbej’ deri tek liqeni që është një atraksion më vete falë rikualifikimit dhe gjithë ndërhyrjeve që janë bërë”, u shpreh Ministrja Kumbaro.

Ministrja Kumbaro gjatë fjalës së saj gjithashtu, u ndal tek shifrat dhe tek kërkesa e lartë për punësime në turizëm duke theksuar se po punohet për të arritur marrëveshje me vende të tjera në turizëm.

“Nëse arritëm 10.1 milionë vizitorë të huaj në vitin 2023, për dy muajt e parë të këtij viti ne e kaluam me 50% më shumë vitin e kaluar. Jemi duke parë një realitet, treg, biznese, që po ecin më shpejt se sa statistikat dhe nuk kemi më dyshim që Shqipëria turizmin e ka industri kryesore, e ka pasaportën kryesore, e ka imazhin më të mirë. Dhe përtej shifrës 4,2 miliardë euro që hynë në ekonominë shqiptare vetëm nga turizmi vitin e kaluar, krahasuar me 2,8 miliardë euro të vitit 2022, përtej sektorit që punëson gjithmonë e më shumë, përtej faktit që po arrijmë marrëveshje me vende të tjera për të huazuar forca punëtore dhe burime njerëzore siç sapo kemi bërë me Filipinet dhe po vazhdojmë edhe me vende të tjera siç është Indonezia”, vazhdoi ministrja Kumbaro.

I ftuar në ceremoninë hapëse, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi këtë panair si një mundësi fantastike për promovimin turistik të kryeqytetit.

“Kush merret me turizëm e di që nuk është një punë 08.00-17.00, që ti mbyll qepenin dhe fle gjumë. Është një punë që bëhet obsesion, në ditë jave, në fundjavë. Më vjen mirë që qyteti pas 8 vitesh, 25% të produktit të vet të brendshëm e ka turizëm dhe 25% teknologji informacioni. Ndonjëherë, të dyja bëhen bashkë. Fjala vjen, Piramida e Tiranës, si transformim, si metaforë, si një hapësirë e jashtëzakonshme urbane, është edhe turizëm edhe IT. Aty shkohet edhe për të bërë foto në Instagram, edhe për të parë arkitekturën, edhe për të kuptuar se si simbolika e fortë e Piramidës është kthyer sot në një hapësirë të jashtëzakonshme, të hapur për të rinjtë, që mësojnë zanatet e reja, kupton se si mund të gërshetohen të dyja këto industri”, tha Veliaj.

Mandej, ai tha se me rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve në Shqipëri dhe me rritjen e ndjeshme të investimeve që po bëhen, duhen edhe burime njerëzore të kualifikuara, teksa vuri theksin te investimi dhe shtimi i shkollave profesionale.

“Kemi nevojë absolute për të investuar tek burimet njerëzore sepse nuk na mjaftojnë sot shkollat profesionale, se s’ishin konceptuar për këtë boom turistik, as për Tiranën, as për Shqipërinë me 10 mln turistë. Me gjithë respektin dhe dashurinë që kemi për kolegët tanë nga Ballkani, që punojnë në Tiranë, ardhja e tyre këtu është një apel për faktin që na duhet menaxherët tanë të hoteleve, të resorteve, menaxherët tanë të sallave, menaxherët tanë të gjithë këtyre operacioneve të kateringut dhe organizimit të eventeve. Unë besoj që ka një moment për të folur edhe politikisht dhe më vjen mirë që jo vetëm do jenë ministrat e Turizmit nga gjithë Evropa në këtë organizim fantastik, për të sjellë gjithë Evropën këtu, për të parë se si ky laborator turizmi mund të replikohet. Poor unë besoj shumë fort që ne politikisht duhet ta shohim turizmin me më shumë dashuri. Ftesa për të gjithë është: Nuk ka rëndësi nëse jemi sot opozitë, nesër në qeveri. Rëndësi ka që të gjithë të shërbejmë si agjentë marketingu, për atë që mund të kthehet në burimin tonë të të ardhurave, mirëqenies dhe jetës me dinjitet në Ballkan”, u shpreh ai.

Edicioni i 6-të i këtij panairi synon të vazhdojë promovimin e Shqipërisë si destinacion për 365 ditët e vitit, duke u fokusuar në turizmin e kohës së lirë, konferencat dhe eventet e korporatave (MICE) nga e gjithë bota, turizmin digjital dhe turizmi mjekësor po zhvillohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *