Nga Julia Vrapi
Vepra muzikore të autorëve shqiptarë dhe atyre të huaj vijnë në koncertin që ka bërë bashkë tre artistë të njohur njëkohësisht dhe pedagogë të Fakultetit të Muzikës. Një koncert i veçantë vjen këtë mbrëmje me “ SENSUM Trio”, ku tre instrumentistë do të sjellin një program të pasur muzikor, pjesë e tyre dhe vepra premierë. Pianistja Ardita Bufaj, së bashku me Xhovana Marku (oboe) dhe Ilir Kodhima (korno) janë pjesë e kësaj trio muzikore, një formacion i rrallë, por këtë mbrëmje vjen me koncert në hollin koncertor të Universitetit të Arteve. Xhovana Marku pedagoge e oboes në Fakultetin e Muzikës-Universiteti i Arteve thotë se pikënisja e të gjithë programit muzikor ishte trioja nga Carl Reinecke, një kompozitor gjerman.
“Ne u bëmë bashkë për të luajtur këtë vepër dhe më pas menduam, që gjithë pjesën tjetër të programit t’ia dedikonim veprave muzikore shqiptare. Duke zgjedhur programin muzikor për këtë koncert arritëm që të kemi edhe premiera”, thotë ajo. Koncertet janë pjesë e rëndësishme e jetës artistike, ndërsa këtë mbrëmje do të jetë “SENSUM Trio” që do të përcjellë tek publiku tingujt e muzikës. Artistja Xhovana Marku thotë se “SENSUM Trio” me muzikën që përcjell tingëllon bukur. Sipas saj, me rëndësi janë dhe veprat muzikore shqiptare që do të luhen në këtë koncert, duke i cilësuar si pasuri në muzikë. “Ky formacion trio është interesant për t’u parë. Është formacion i rrallë, nuk ka shumë vepra dedikuar këtij formacioni, por është një trio që tingëllon vërtetë shumë bukur.
Veprat shqiptare që do të luhen në koncert janë pasuri, janë realiteti që kemi dhe duhen dëgjuar”, thotë Marku. Në koncert këtë mbrëmje do të luhet “Temë me variacione” Vasil Tole (premierë për oboe dhe piano); “Fantazi” Arian Avrazi – korno dhe piano (premierë); “Aq afër” Haig Zacharian – pjesë për piano solo; Trio për oboe, korno dhe piano – Carl Reinecke; Kcim epik – Klodian Qafoku pjesë për oboe, korno dhe piano.
Stina koncertore
Fakulteti i Muzikës zhvillon një jetë artistike aktive me pjesëmarrjen e gjerë të studentëve dhe pedagogëve. Koncerti që do të zhvillohet këtë mbrëmje në hollin e Universitetit të Arteve sjell për të pranishmit tre pedagogë të Fakultetit të Muzikës, por zhvillohet në kuadër të stinës koncertore. Artistja Xhovana Marku thotë se stina koncertore do të vijojë deri në muajin qershor. “Të tre në jemi pedagogë në Fakultetin e Muzikës dhe koncerti është në kuadër të stinës koncertore që ka nisur. Stina koncertore në Fakultetin e Muzikës do të mbyllet në muajin qershor”, shprehet Marku. Pedagogët dhe studentët e këtij fakulteti, si dhe shumë të ftuar të tjerë u bënë edhe një vit më parë pjesë e stinës koncertore nga muaji mars deri në qershor me koncertet e ndryshme muzikore, që u zhvilluan në ambientet e Universitetit të Artëve në Tiranë.