“Katër masa shpirti” titullohet dokumentari që vjen në vigjilje të ditëlindjes së kompozitorit të ndjerë Kujtim Laro, i cili la në trashëgiminë e tij artistike mbi 35 kolona zanore, duke marrë edhe epitetin “Morricone i filmave shqiptarë” nga kolegët.

Radio Televizioni Shqiptar ka realizuar një prodhim ekskluziv për ikonën e muzikës së filmit shqiptar, duke përçuar përmes tingujve dhe rrëfimeve emocionin e thellë të artit të tij.

Dokumentari “Katër masa shpirti”, me autore Albana Kozelin, montazh nga Gjergji Pano, drejtor fotografie Shkëlzen Sinani dhe konsulente artistike Holta Sina, është shfaqur premierë mbrëmjen e 9 majit.

“Kujtim Laro i përket RTSH-së, pasi ka punuar aty, por i përket edhe të gjithë spektrit muzikor të filmit. Ishte mbështetja e RTSH-së, në mënyrë të veçantë e drejtoreshës, zonjës Eni Vasili, që dua ta falënderoj veçanërisht. Patjetër edhe gjithë stafi që më ka ndenjur pranë, që nga drejtori i fotografisë Shkëlzen Sinani, montazhieri Gjergji Pano dhe shumë njerëz të tjerë,” u shpreh autorja Kozeli.

“Muzika e tij e filmave është një ndër muzikat më të bukura që ka lënë gjurmë dhe do të lërë gjithmonë,” tha kompozitori Robert Radoja.

“Nuk ka ardhur ende koha që të thuhet e vërteta për Kujtim Laron në kufijtë e të jashtëzakonshmes.”, tha regjisori Mevlan Shanaj.

Kujtim Laro (1947–2004) u lind në maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve dhe më vonë shërbeu si pedagog për shumë vjet në Akademinë e Arteve. Ka punuar gjithashtu si drejtor artistik pranë Ansamblit të Ushtrisë.

Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë. Ai ka lënë pas rreth 35 kolona zanore filmash shqiptarë, dhjetëra këngë festivalesh dhe krijime të tjera muzikore. Kujtim Laro u nda nga jeta në vitin 2004.

Të pranishmit në sallë u emocionuan nga rrëfimet dhe tingujt e muzikës së Laros, duke e cilësuar dokumentarin si një homazh të denjë për një artist që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën shqiptare.

Në përfundimit të dokumentarit, salla shpërtheu në duartrokitje të zgjatura, duke treguar vlerësimin dhe respektin për veprën e kompozitorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *