Metila DERVISHI
ROMANTIZMI, FRANC SHUBERT, LIEDI.
Problemi që ngre romantizmi, është ai i raportit mes botës dhe individit. Bërthamën e romantizmit, ashtu si çdo traditë tjetër e artit evropian, e gjejmë në botën e pasur të artit mesjetar, sidomos në folklorin e tij. Një prej figurave më të njohura të periudhës romantike është kompozitori austriak Franc Shubert (1797-1828), i shquar për melodinë dhe harmoninë e përdorur në këngët (liderat) dhe muzikën e tij të dhomës.
Muzika e Shubertit kënaq sot shumë më tepër njerëz sesa më parë, ajo shfaqet në një numër të pafund koncertesh dhe recitalesh rreth botës, luhet në stacione të pafundme radiosh dhe ka një numër disqesh që vijnë gjithnjë duke u rritur.
Ka studiues që Shubertin e trajtojnë edhe si përfaqësues të klasiçizmit dhe kjo sigurisht ka disa arsye. Ai jetoi në epokën e fundit të klasiçizmit dhe ishte bashkëkohës i Bethovenit, i cili qe një idhull dhe një shembull për të. Kjo, ngaqë ai shkroi gjini muzikore, të cilat përbëjnë drejtimin bazë të klasiçizmit, si simfoni, sonata etj. Nëntë simfonitë që ai kompozoi, përveç simfonisë së 8, janë shkruar sipas frymës klasike. Pra, si të thuash, ashtu si dhe mjaft bashkëkohës të tij, ai qëndron mes klasikëve dhe romantikëve. Ndërsa ajo që e bën atë përfaqësues të romantizmit, janë këngët e tij dhe simfonia nr. 8. Këto janë tepër melodike. Madje në simfoninë nr. 8, ka elementë tematikë që këndohen dhe në ndërtim të saj ka tematë tipit vokal. Kjo sigurisht përbën një aspekt novator në simfonitë e tij.
Në periudhën e klasiçizmit iu dha përparësi gjinive të mëdha muzikore dhe sigurisht kënga nuk ishte një gjini e tillë. Pra, kënga si gjini, nuk i përket aspak klasiçizmit, ajo është një fenomen i ri i epokës së romantizmit. Shubert qe ai që i dha një rëndësi të madhe asaj. Megjithatë, arsyeja kryesore që Shuberti u mor kryesisht me këngë, përveç të tjerash, lidhet dhe me ngjarjet historike të kohës së tij. Periudha në të cilën ai jetoi, ishte epoka e lëvizjeve demokratike borgjeze. Ndoshta, pikërisht për të qenë sa më afër realitetit të kësaj periudhe, u zgjodh dhe kënga si gjini, e cila u bë dhe gjinia më e preferuar e asaj epoke.Gjithashtu ajo është dhe më e e qartë për masën. Estetika romantike solli gjëra të reja në art e në muzikë. Disa nga këto të reja i shohim tek arti shubertian, në të cilin perceptimi i përmbajtjes artistike realizohet përmes konceptimit subjektiv. Përmbajtja e veprave të tij lidhet kryesisht me transmetimin e ndjenjave dhe të mendimeve të njerëzve të thjeshtë. Tema e dashurisë, gëzimeve dhe vuajtjeve të njeriut, figurat e ndryshme të natyrës përbëjnë thelbin e përmbajtjes së veprave të tij. Përmes këtyre motiveve kompozitori zbulon dramën shpirtërore të heroi romantik. Këtë e shohim kryesisht tek kengët. Me këngën ai, sa ç’qe përfaqësues i periudhës romantike, qe njëkohësisht dhe përfaqësues i vetvetes. Në periudhën e romantizmit ndryshoi qëndrimi ndaj formave muzikore, ndryshoi koncepti i mëparshëm, kështu dhe kënga u kërkua ashtu si edhe simfonia.. Pra, kënga e Shubertit u bë shprehje e ndryshimeve të epokës.
Që Shubert ishte melodist i madh, madje “sipëror” kjo është një aksiomë që përsëritet çdo ditë. Por melodia duhet të prkufizohet më saktë në raport me elementët e tjerë të krijimeve muzikore si p.sh tema. “Melodia” mund të përcaktohet “ një ide muzikore e shprehur plotësisht dhe në të njëjtën kohë e rrethshkruar”. Nga ana tjetër tema është një syth, është një qelizë jo e plotë dhe në sipërfaqe, më pak tërheqëse se një melodi e përmbushur. Por ka si kompensim mundësi pjellshmërie, ka mundësinë e zhvillimit, të cilën melodia nuk e ka. Mund të themi gjithashtu që tema përfaqëson elementin dramatik dhe dinamik dhe për këtë ka një impuls ritmik që shpesh i mungon melodisë. Melodia përfaqëson elmentin lirik dhe soditës, e lindur ose nga një improvizim intuitiv, ose nga një kapërcim i lumtur. Shuberti ishte një kompozitor kryesisht melodik, idetë e tij në “hyrje” janë pothuajse të një një bukurie mrekulluese, por në “zhvillim” rëndohen ose shpërndahen në përsëritje të padobishme. Kur Shuberti ia del të ndërkëmbejë dy koncepte, të bëjë melodi me temat dhe tema me meloditë, atëhere realisht mrekullia kryhet.
Meloditë te kënget ose lirikat e tij përbëjnë sigurisht monumentin e tij të madh, në të cilin ai mbetet mjeshtri i pakapërcyeshëm dhe i padiskutuesëhm, më i madh në këtë fushë se sa parardhësit ( Moxart, Hajden, Bethoven) dhe më i madh se sa ato që e ndoqën (Shuman, Brahms edhe Volf). Asnjeri prej tyre nuk ka pafajësinë e përkryer të Shubertit, ngrohtësinë e panjollë dhe lumturinë shprehëse. Atje ku atë nuk e turbullonin problemet e formës, ai i jepej tërësisht frymëzimit të tij.
Koncepti romantik i heroit ishte mishëruar virtualisht tek Shuberti. Jeta e tij karakterizohet nga një krijimtari pothuajse e pabesueshme, por gjithashtu dhe nga varfëria dhe vuajtjet e shumta, sëmundje, vetmi, mungesë e njohjes nga publiku. Në subjektet e tij kishte ekstreme të mëdha emocioni, të cilat padyshim dëshmojnë për mjeshtërinë e tij. Ka një numër anekdotash që tregojnë për spontanitetin e tij në krijimet e tij më të mëdha. Thuhet se ai ka shkruar më shumë se shtatë këngë në një ditë të vetme. Dhe mendohet se ai ka qenë një kompozitor instiktiv, një talent natyral që vendosi t`i këndonte natyrës, përroit, fushave, përvojës së dashurisë. Ashtu si poetët romantikë si, Bajroni, Kits dhe Sheli, Shubert vdiq i ri, por ai i kishte realizuar më shumë se gjysmën e 600 këngëve të tij, që në moshën 19-vjeçare.
. Por, ç`nënkupton fjala Lider. Në gjuhën gjermane lider do të thotë këngë. Termi i referohet në veçanti artit të këngës, të shkruar nga kompozitorët gjermanë gjatë periudhës romantike të 1800-tës. Franc Shubert ka qenë një nga kompozitorët më të famshëm të liderave. Shumë prej lidereve janë shkruar për vepra vokale të shoqëruara me piano. Kryesisht në to shprehet dashuria për natyrën dhe kjo është shprehur me fjalët e poetëve të mëdhenj gjermanë, duke përfshirë këtu Gëten dhe Hajnen.
Liderat e Shubertit janë të mbushura me shkrime piktoreske, tinguj muzikorë që synojnë të prezantojnë ndjenjat e jetës së tij. Zakonisht diçka e tillë jepet në partin e pianos, ku Shuberti paraqitet një novator i madh. Duke u mbështetur në arritjet e mëdha të muzikës pianistike të shek.XVIII dhe fillimit të shek. XIX, Shuberti i zgjeroi jashtëzakonisht funksionet e partit pianistik në këngë. Megjithëse i ndërtuar shpeshherë thjeshtë, ky part lidhet ngushtë me përmbajtjen dhe frymën e përgjithshme të melodisë vokale, herë duke u bërë pjesë e veprimit aktiv, herë duke krijuar dekorin dhe herë duke dhënë në mënyrë figurative gjendjen shpirtërore të heroit të këngës. Kështu p.sh. te Margarita në çikrik, faktura pianistike e thjeshtë dhe monotone krijon sfondin psikologjik dhe dekorativ të këngës. Imitimi figurativ i lëvizjes së çikrikut sugjeron gjendjen e rënduar shpirtërore të personazhit. Te balada Mbreti i pyllit piano flet me një gjuhë gati simfonike, krijohet figura e xhindit të frikshëm, paralajmërohet vdekja e djalit të vogël. Ndërsa te Mullixhesha e bukur na jepet përroi nëpërjet partit të pianos.
Shuberti shkroi dy cikle me këngë, Mullixhesha e bukur(1820) dhe Rrugë dimërore (1827) , subjekti i të cilave është marrë nga poemat e shkrimtarit Vilhem Myler( 1794-1827).Karakteristikë e këtyre cikleve është se në to subjekti poetik shtjellohet në vetën e parë, gjë që i jep tregimit tipare të theksuara autobiografike. Të dy ciklet kanë një lidhje të ngushtë midis tyre së pari, në linjën e përbashkët liriko-dramatike, linjë e cila merr tipare tragjike në ciklin Rrugë dimërore dhe, së dyti, në gërshetimin e jetës dhe të peripecive të heroit shtegtar me figurat e natyrës. Nëse këngët e ciklit Mullixhesha e bukurkanë si sfond natyrën e pranverës, tek Rrugët dimërore mbizotëron peisazhi i acartë i dimrit. Në mënyrë figurative, në të dy ciklet, përshkrimi i jetës dhe i natyrës lidhet ngushtë me gjendjen psikologjike dhe botën e brendshme të heroit.
Mullixhesha e bukur mbështetet në 20 këngë. Përmbajtja e tij tregon për një djalosh të ri të gëzuar, i cili is rrugën e jetës dhe pas endjesh të shumta zë vend si punëtor në një mulli. Djaloshi bie në dashuri me vajzën e mullisit.Por mullixhesha e bukur nuk u përgjigjet ndjenjave të zjarrta të djaloshit, sepse bie në dashuri me gjuetarin, I dëshpëruar thellë djaloshi kërkon t`i japë fund brengave në ujërat e kulluarar të përroit. Këtë subjekt të thjeshtë dhe naiv, Shuberti e mishëroi në mënyrë poetike në këngët e tij, duke u dhënë vlera të reja vargjeve të Mylerit. Tema e dashurisë i nënshtrohet një plani dramaturgjik të qartë: kalimi prej gjendjeve të gëzuara e të frymëzuara që ngjallin dashuri, drejt hidhërimit të pashpresë të heroit. Këngët e ciklit përbëjnë etapa të ndryshme të zhvillimit të idesë poetike. Ato japin evoluimin psikologjik të personazhit. Një vend të rëndësishëm zë në cikël personazhi i dytë, përroi . Kjo figurë ndihet në çdo këngë të ciklit, herë duke krijuar sfondin dekorativ të shtegëtimit, herë duke ndihmuar për zbërthimin e ndjenjave dhe të gjendjeve psikologjike nëpër të cilat shkallëzohet ngjarja.
Pjesa më e madhe e këngëve janë ndërtuar në formën tradicionale të këngës strofike. Por, duke ia nënshtruar strukturën e këngës dramaturgjisë së zhvilluar të ciklit, Shuberti i dha kupletit pamjen e një miniature të lirë romantike. Haset në këtë cikël edhe forma tripjesëshe e, në ndonjë rast, ajo e zhvillimit të lirë në materialin muzikor, shembull i të cilit është kënga Dëshira për të ditur (nr.13), një meditacion lirik që shtjellohet në një formë më të ndërlikuar.
Një ndër këngët më ekspresive të ciklit është ajo me titull Ngjyra e dashur, nr. 16. Në formën e thjeshtë të kupletit, kompozitori trajton mendimin dhe ndjenjën e thellë që të mahnit. Kënga përshkohet nga intonacione elegjiake, që ngjallin dhimbje e trishtim. Këto intonacione fiksohen, së pari në hyrjen pianistike, në melodinë e thjeshtë, por të zymtë të basit, në tonalitetin minor, që përshkon gjithë këngën. Gjatë ndërhyrjeve të partit vokal, pianoja luan një figuracion monoton ostinato, nëpër të frenohet çdo lloj përshtypjeje që mund të ngjallin këmbimet midis modit minor me atë mazhor.
Cikli përfundon me ninullën e përroit për të dashuruarin. Uji i përroit rrjedh butësisht dhe i ofron ngushëllim djaolshit për zhgënjimin në dashuri. Në melodinë e saj të qetë e të këndueshme shprehet një melankoli dhe trishtim i përmbajtur. Pa bujë e tragjizëm të theksuar, kompozitori krijon figurën e qetësisë së vdekjes.
Nëpërmjet ciklit Shuberti tregon gjerësinë e tij krijuese në linjat melodike dhe gjenialitetin e tij në shoqërimet e këndshme që i lidhin fjalët me melodinë aq mirë.
Shuberti ndonjëherë ishte i paaftë të mbështeste idetë e tij muzikore, të cilat dikur i kishte paraqitur në një formë të zgjeruar. Ai kishte një ndjeshmëri shumë të madhe në krijimin e melodive, kishte frymëzim poetik, i cili kapej lehtësisht nga dëgjuesit nëpërmjet disa përsëritjeve. Këngët e tij i kanë dhënë, padyshim, Shubertit një vend mes kompozitorëve më të mëdhenj edhe sikur ai të mos kishte shkruar asgjë tjetër. /artmagazine.al