Në datat 5, 6 dhe 7 qershor, Katedralja e Shkodrës do të organizojë edicionin e parë të Panairit të Librit me emërtimin “Libri të ban të lirë”, një nismë që vjen si dëshmi e gjallë e përkushtimit të qytetit ndaj kulturës dhe letërsisë.

Kisha në misionin e vet kërkon promovimin, zhvillimin e jetës njerëzore në të gjitha dimensionet e saj, prandaj nuk habit fakti i një panairi libri në oborrin e Katedrales, sepse panairi është i lidhur ngushtë edhe me këtë ambient që i përket kishës, Katedrales, siç është biblioteka. Besoj që kjo bibliotekë e vogël është bërë shkas i mirë për këtë ngjarje,” tha dom Vlash Palaj, famullitar i Shkodrës.

Me pjesëmarrjen e shtëpive kryesore botuese nga Shqipëria dhe Kosova, përfshirë Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, ky panair synon të kthehet në një pikëtakim vlerash letrare, ku libri shfaqet si urë komunikimi mes lexuesit dhe autorit.

Jam shumë i lumtur që më së fundi, pas sa e sa viteve punë në fushën e bibliotekave dhe si drejtues i tyre, arrita të shoh të organizuar një panair libri në qytetin e Shkodrës. Ky është panairi i parë dhe mendoj që pas tij do të vijnë të tjerë,” deklaroi Gjovalin Çuni, drejtor i bibliotekës “Zoja e Shkodrës”.

Programi treditor i panairit “Libri të ban të lirë” përfshin promovime librash, takime me autorë, leksione të hapura dhe lexime artistike nga emra të njohur të letërsisë shqipe, pjesëmarrje të botuesve të rëndësishëm, koncerte, si dhe net letrare në amfiteatrin e hapur pranë Katedrales “Shën Shtjefni” të Shkodrës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *