Në kuadër të shënimit të 82-vjetorit të lindjes së atdhetarit të shquar, Ukshin Hoti, komuna e Rahovecit të martën mbrëma në kompleksin muzeor “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe ndau dekoratën komunale “Ukshin Hoti”, shkrimtarit, studiuesit, arkeologut, eruditit Dr. Moikom Zeqos.

Kjo dekoratë, që i jepet pas vdekjes, është tregues i vlerësimit të Komunës së Rahovecit për figurat e shquara të kombit shqiptar, ndër të cilët Moikom Zeqo zë një vend të veçantë. Ai pati njohje personale me Ukshin Hotin dhe e quante mik të tij. Shkrimet dhe vëmendja e Moikomit për fatin e Ukshin Hotit kanë ndjeshmërinë e thellë për fatin tragjik të një figure madhore të kombit tonë. Ai u kujdes për redaktimin e veprave të Ukshinit dhe më pas e ngriti zërin, kurdo që iu dha mundësia, për lirimin e tij nga burgu serb.

Moikomi e kishte kuptuar që Ukshin Hoti e dinte mirë thelbin e politikës, duke e refuzuar politikanizmin e stilit barok, dogmatik, apo të llojit folklorik e të vulgarizuar. Ukshin Hoti në analizat e tij të guximshme dhe aspak konformiste i shikon realitetet politike në optikën shqiptare, por edhe në atë globale-botërore. Për të bota euro-amerikane nuk duhet t’i kundërvihet çështjes shqiptare, pavarësisht nga pengu tragjik i së kaluarës, pavarësisht nga luhatjet dhe marrëzitë e sotme të politikave të liderëve të përkohshëm shqiptarë.

Më tej, Moikom Zeqo e portretizon Ukshin Hotin të ngjashëm me një luftëtar që lufton me armë në dorë për lirinë e popullit të tij. Ndër të tjera ai shkruan: “Duart e heronjve të armëve të UÇK-së dhe dora që shkruan librat, janë e njëjta gjë, të formësuara nga liria. Historia nuk pranon asnjë lloj alibie, sado e formuluar mjeshtërisht… Luftëtari i mendimit, i epikës shqiptare dhe ndërkombëtare, Ukshin Hoti, nuk u fsheh, nuk iu shmang martirizimit.”

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi pati kënaqësinë e veçantë që këtë dekoratë t’ia dorëzoj znj. Dr. Lida Miraj-Zeqo, e cila shprehu dashamirësinë e saj për Ukshin Hotin dhe Komunën e Rahovecit.

Në kuadër të shënimit të ditëlindjes së Ukshin Hotit, u kremtua edhe 50-vjetori i themelimit të SHKA “Bajram Curri” të Krushës së Madhe, shoqëri që i ka ruajtur me fanatizëm vlerat e trashëgimisë kulturore, ndërsa nga gjiri i vet ka nxjerrë edhe heronj e luftëtarë lirie, ndër të cilët shquhet profesori Muhamet Malsori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *