music, played, saxophone, big band, orchestra division, tag ensemble, music, saxophone, saxophone, big band, big band, big band, big band, big band

Qyteti i Durrësit njihet si një ndër njëqind qytetet e fondamentit kulturor botëror. Një qytet i tillë, me rreth tremijë vjet qytetërim, një qytet me tradita të lashta si Durrësi, e parakupton vetvetiu një jetë të pasur artistiko-kulturore. Të flasësh për Durrësin, për historinë e jetës së tij kulturore, do të na duhej t’u ktheheshim tremijë vjetëve të tij,gjë që, praktikisht, është e pamundur. Por, pa digresione të pafund, unë do të doja të përmendja vetëm njerin nga emblemat e tij, muzikantin e shekullit XI, të periudhës neobizantine, Jan Kukuzelin, i cili krijoi sistemin e notave muzikore, të njohur në historinë e muzikës botërore si sistemi kukuzelian. Emrin e tij e mori, ndonëse me vonesë, në 10-vjeçarin e fundit të shekullit XX, Shkolla e Mesme Artistike e Durrësit. Para se të shohim materialet që flasin për veprimtarinë e Orkestrës Simfonike dhe Orkestrës së Harqeve, të cilat janë qëmtuar në gazetat tona në vite, si edhe nga informacionet gojore të pjesëtarëve të orkestrës, dhe, themeluesit të saj, dirigjentit Ermir Dizdari, më duhet të ndalem te tradita e njohur muzikore e këtij qyteti, jo mbi referencat ndër shekuj, por mbi fakte të shekullit që sapo kaloi. Në aspektin kulturor në përgjithësi dhe në atë muzikor në veçanti, ishte pikërisht kjo traditë, e cila formoi shtratin e ngrohtë për mjaft dukuri të rëndësishme në fushën e muzikës. Dhe këtu kemi parasysh sidomos formimin e Orkestrës Simfonike të qytetit të Durrësit, orkestër e cila do të krijonte kushtet edhe për krijimin e Orkestrës së Harqeve. Por këto janë evenimente që, për t’u kuptuar, duhen ndjekur hap pas hapi, në vazhdimësinë e tyre. Krijimi i shkollave muzikore në mjaft qytete të Shqipërisë rreth viteve 1956- 1958, ishte një hap i rëndësishëm për perspektivën e krijimit të muzikës profesioniste shqiptare. Krijimtaria në gjini të ndryshme muzikore nga kompozitorët durrsakë, kërkoi vetvetiu edhe instrumentistë profesionistë dhe jo diletantë, siç edhe filloi të ndodhte në atë kohë në Durrës. Këto ishin arsyet më thelbësore që i paraprinë krijimit, në mënyrë profesionale, të gjinive muzikore nga më të voglat e deri tek ato për Orkestër Simfonike në Durrës. Arsyeja e krijimit të trupave profesioniste, erdhi padyshim edhe si pasojë e vetë kërkesave që shtronte jeta artistike-kulturore, sidomos ajo durrsake, që, siç u përmend më sipër, trashëgonte një kulturë të lashtë mijëra vjeçare. Por kjo nuk do të thotë se jeta artistike në Durrës s’ka ekzistuar fare. Për ecurinë dhe zhvillimin e saj kanë dhënë kontribut mjaft artistë të njohur, si për shembull Pjetër Dungu, i cili ka qenë një figurë qendrore e jetës artistike të qytetit, bashkë me kompozitorin dhe dirigjentin Enver Mara.

Mungesa e instrumentistëve profesionistë solli padyshim edhe mungesën e orkestrës profesioniste. Deri aty nga fillimi i viteve ‘60, koncertet, dy festivalet e para, operetat etj, u realizuan nga muzikantë amatorë. Për më tepër, operetat, në mungesë të orkestrave të vërteta, u shoqëruan nga banda e qytetit apo, më mirë të themi, nga një mini “filarmoni”. Kjo e fundit përbëhej nga kori, solistët, orkestra dhe nga një grup vallesh. Dy festivalet e para që i përkasin viteve 1963-1966 u shoqëruan nga formacioni i Estradës së Pallatit të Kulturës ‘Aleksandër Moisiu’, Durrës. Para formimit të orkestrës së parë simfonike, kompozitorët durrsakë Pjetër Dungu dhe Enver Mara kishin krijuar disa opereta, midis të cilave mund të veçohen: opereta ‘Miqësia’ e Dungut, e vitit 1956, dhe ‘Këngë për detin’, me autor Marën, kompozuar më 1963. Në shkrimin e tij të gazetës ‘Zëri i Popullit’, dt 11.01. 1963, kushtuar premierës së operetës Këngë për detin, (libreti Gjergj Vlashi), vënë në skenën e teatrit të Durrësit ‘Aleksander Moisiu’ më 1963, Misto Zoto, atë kohë regjisor i teatrit, midis të tjerash shprehet:’ … Eshtë një vepër origjinale që na lë të shpresojmë për vepra më të mira në të ardhmen…Orkestra, nën drejtimin e E. Marës, e plotësoi mirë detyrën …Megjithë këto të meta, vënia në skenë e Këngës për detin është një sukses për trupën e estradës së Durrësit.’ Krahas operetave, do të përmendja edhe festivalet e këngës. Në një artikull të gazetës ‘Drita’, viti 1966, ku jepet informacion mbi diskutimet e mbajtura për Festivalin e Dytë të Këngës në Durrës, shënohet midis të tjerash: ‘Kompozitori A.Grimci u bëri një analizë të hollësishme të 21 këngëve që u ekzekutuan gjatë tri mbrëmjeve të festivalit. Interesi i rinisë dhe i popullit artëdashës të Durrësit për këtë festival- tha referuesi – qe i madh. … Forcat ekzekutuese si solistët këngëtarë, orkestrantët e dirigjentët kanë ecur përpara dhe janë shumuar …’ Ky ishte me pak fjalë realiteti muzikor i qytetit të Durrësit gjatë viteve 1957-1968, të cilat i paraprinë historikut të formimit të Orkestrës Simfonike. Duhet nënvizuar gjithashtu, se gjatë asaj periudhe, një ndikim akoma edhe më të madh për formimin në të ardhmen të orkestrës simfonike, e luajti krijimi për herë të parë i shkollës 7-vjeçare të muzikës së qytetit. Shkolla u hap në vitin 1957 dhe mori emrin Dalip Tabaku. Një rol të rëndësishëm për formimin e shkollës së re luajti drejtori i saj i parë Pjetër Dungu, si dhe mësuesit Muhamed Çerisha, Stathi Qehajaj (violinë), Sulë Kavaja dhe Jani Jakova (violinçel). Brezi i parë i instrumentistëve profesionistë, që i nisën studimet e tyre muzikore në këtë shkollë dhe i vazhduan më pas, në Liceun Artistik të Tiranës dhe në ILA, doli në vitet 1966-1970. Ardhja e tyre bëri të mundur, në tetor të viti 1966, organizimin në Durrës të Takimit Kombëtar Artistik të Ansambleve, një aktivitet ky shumë i suksesshëm për kohën. Por evenimenti më i madh dhe i shumëpritur në jetën muzikore durrsake ishte, padyshim, krijimi i orkestrës së parë simfonike të qytetit…Shumë shpejt qyteti i Durrësit do të njihte një tjetër ngjarje të rëndësishme artistike, e cila lidhet me vënien për herë të parë në skenë të një vepre skenike të përmasave të mëdha: opera ‘Bijtë e Skënderbeut’ me kompozitor Abdulla Grimcin dhe me libret nga Matish Gjeluci. Lidhur me operan janë shkruar disa artikuj në gazetat ‘Puna’, ‘Bashkimi’, ‘Drita’ dhe ‘Zëri i Rinisë’, ku, për fat të keq, mbisundojnë trajtime kryesisht ideologjike, në dëm të analizave apo të informacionit të saktë profesional mbi arritjet artistike. Nënviziohet si arritje pjesëmarrja masive e amatorëve të qytetit dhe për paradoks, shkrimet janë të mbushura me opinione nga njerëz jo kompetentë, si një punëtor porti, një marangoz etj. Duke e lënë mënjanë politizimin absurd të shtypit të kohës apo fjalët boshe të diletantëve, nuk ka sesi të mos ndjesh keqardhje, që në artikujt e gazetave nuk përmendet Orkestra Simfonike, jo vetëm si një orkestër e parë e llojit në Durrës, por edhe si e vetmja trupë profesioniste e shfaqjes!

Përjashtim bën një fjali e vetme në artikullin e fundit, ku përmendet si rastësisht orkestra dhe drejtuesi i saj:… Në këtë operë marrin pjesë afërsisht 150 vetë duke përjashtuar këtu 40 orkestranëtët e orkestrës sinfonike të pallatit nën drejtimin e E. Dizdarit…. (F. Seidaj, Zëri i Rinisë,janar 1968)

Gjithësesi, realizimi skenik nga trupat amatore dhe profesioniste të qytetit të Durrësit të operas ‘Bijtë e Skënderbeut’ mund të konsiderohet si një ndërmarrje serioze, e cila bëri dhe jehonën e vet, duke u rivënë në skenë në disa qytete të tjera të vendit gjatë vitin 1969.

Në analizë të fundit,’ Bijtë e Skënderbeut’ përbën një nga ato evenimente të rëndësishmë të traditës artistike të Durrësit, të cilat i dhanë nxitjen e duhur zhvillimit të jetës muzikore profesioniste të qytetit, duke shënuar njëherësh edhe paraqitjen e parë të rëndësishme të Orkestrës Simfonike durrsake.

Tjetër pjesëmarrje e rëndësishme e Orkestrës Simfonike, tashmë nën drejtimin e Shaqir Kodrës, ishte realizimi më 1970 i operetës Dallgët e kuqe e kompozitorit Enver Mara, me libret nga H. Ramës dhe M. Gjelucit, nën drejtimin e dirigjentit Shaqir Kodra. (Shiko artikujt në gazetat Adriatiku dhe Drita, janar-shkurt 1970)

Atë kohë Orkestra Simfonike e Durrësit përbëhej nga 45- instrumentistë, të përfaqësuar në katër sektorët bazë të orkestrës simfonike tradicionale. Merrnin pjesë mësuesit e Shkollës së Muzikës së qytetit dhe nxënësit më të talentuar. Në përbërje të orkestrës u dallua kuinteti i harqeve, i cili, mund të thuhet, se mbahej si një ndër kuintetet më të mira të orkestrave simfonike në mbarë vendin. Këto arritje të rëndësishme për kohën dhe, sidomos, niveli i lartë profesional i muzikantëve, çuan natyrshëm në njohjen zyrtare të orkestrës, tashmë me emrin ‘Aleksandër Moisiu’, më 1971. Kjo erdhi edhe si pasojë e zhvillimit të jetës artistiko-kulturore në tërë Shqipërinë, në kuadrin e së cilës u bë i mundur edhe krijimi në të njëjtin vit i Shkollës së Mesme Artisike ‘Mujo Ulqinaku’ të Durrësit.

Si për të vërtetuar atë emër të mirë që krijoi, në vitin 1971 orkestra durrsake u vlerësua me çmimin e parë në Takimin Kombëtar të Orkestrave Simfonike në qytetin e Korçës. Ngjarja ishte, padyshim, e rëndësishme, mbasi dëshmon se orkestra po luante së fundmi repertor simfonik, duke fituar fizionominë reale të saj. (Në periudhën 1968-1971, pavarësisht se e pazyrtarizuar, repertori i orkestrës nuk përmbante asnjë pjesë simfonike.)

Nga informacioni i mbledhur prej anëtarëve të orkestrës, (meqenëse gazetat e kohës nuk përmbajnë asnjë lloj informacioni), do të përmend disa nga veprimtaritë më të rëndësishme të saj.

Në vitin 1969 orkestra shoqëron për herë të parë Festivalin e Këngës në Durrës (Festivali III). Kjo përbënte një hap serioz për ngritjen e nivelit artistik të festivaleve të këngës së qytetit të Durrësit, mbasi, më parë, një gjë e tillë vështirë se mund të realizohej. Me fillimin e viteve ‘70 orkestra mbajti shumë koncerte simfonike në Durrës dhe në Tiranë, duke shoqëruar ndërkohë edhe festivalet e këngës dhe të pionierëve të viteve 1970-1988.

Lidhur me këtë pjesë të aktivitetit të orkestrës, mund të informohemi edhe nga një artikull i gazetës ‘Puna’ i vitit 1974, kushtuar Festivalit të Shtatë të Këngës. Ndërsa në një shkrim të gazetës ‘Adriatiku’ të vitit 1977, me autor Kozma Larën (mbi Festivalin IX), midis të tjerash shkruhet: Okestra nga ana e saj qe një shoqëruese e mirë gjatë gjithë kohës. Viti 1974 përmendet edhe për diçka tjetër: nën shoqërimin e Orkestrës Simfonike u zhvillua në Pallatin e Sportit të qytetit Takimi Kombëtar i Ansambleve Artistike.

Vite më pas, më datë 08.10.1981, në artikullin e gazetës ‘Adriatiku’: ‘Arritje dhe probleme të krijuesve dhe ekzekutuesve të muzikës’, E. Dizdari do të bënte bilancin e tërë veprimtarisë artistike të qytetit të Durrësit, duke vlerësuar posaçërisht punën dhe arritjet e orkestrës simfonike. Në një tjetër artikull të gazetës ”Adriatiku'( 13.02.1983), me autor A. Rozarin, pasqyrohet një etapë tjetër e këtyre veprimtarive: Krahas koncerteve të bukur të dhënë kohët e fundit në Durrës, orkestra simfonike e pallatit të kulturës “A. Moisiu” ka ndërmarrë një turne nëpër qytete të ndryshëm të vendit. Etapa e parë e këtij turneu : Shkodra.

Trajtime të tjera të veprimtaria së Orkestrës Simfonike të Durrësit gjejmë kohë mbas kohe edhe në faqe të tjera të shtypit shqiptar, si p. sh. në një shkrim të Lisen Bashkurtit (Zëri i Popullit, viti 1985) dhe përsëri tek ‘Zëri i Popullit’ me 1986, me rastin e ‘Takimit Kombëtar të Orkestrave Simfonike’ E. Dizdari përshkruan në mënyrë profesionale lojën dhe arritjet e Orkestrës Simfonike të Durrësit.

Që nga viti 1977 e deri më 1987, Orkestra Simfonike ka marrë pjesë aktive në Koncertet e Majit në Durrës, duke ekzekutuar vepra të reja nga autorë durrsakë. Për një periudhë të gjatë kohe orkestra u drejtua nga dy dirigjentë, nga E. Dizdari dhe Sh. Kodra. Në periudha të ndryshme kanë punuar dhe dirigjentë të tjerë të njohur si M. Krantja, P. Afezolli apo dhe emra të tillë si K. Kote, Sh. Tafaj, F. Vlashi etj. Orkestra Simfonike e Durrësit u shpërbë në vitin 1990. Vazhdon….me shpresën që të vazhdoj dhe një historik i denjë ashtu siç e ka historinë dhe personalitetet që ka nxjerrë shkolla jonë Jan Kukuzeli Durres .

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *