Nga Ardita Bufaj

Muzika ishte thelbi më i fshehtë i shpirtit të filozofit të madh gjerman Friedrich Nietzsche. Jo vetëm që ai gjeti në muzikë një temë për reflektim filozofik, por e kondsieroi atë edhe si një medium për shprehjen e prirjeve të tij inviduale- artistike.

I lindur më 15 tetor 1844 pranë Leipzigut, në shtëpinë e një pastori luteran, Nietzsche pati një kontakt të hershëm me muzikën, i cili u ndikua thellësisht nga muzika protestante e kishës që në moshë të re. Më vonë, gjatë kohës që ishte nxënës i gjimnazit në Naumburg, ai merrte pjesë në mbrëmje muzikore në shtëpinë e mikut të tij Gustav Krug, ku iu forcua bindja se muzika ishte thirrja e tij. Këto mbrëmje e prezantuan filozofin me shumë kompozitorë bashkëkohorë, ku ai zhvilloi një afinitet të veçantë për kompozitorët e njohur gjermanë si: Bach, Haydn, Mozart, Beethoven, Schubert, Mendelssohn, të cilët i konsideronte përfaqësues të shpirtit të muzikës gjermane. Ai mbeti besnik ndaj tyre deri në takimin e tij me Richard Wagner, i cili do të ndryshonte rrjedhën e krijimtarisë dhe mendimit të tij.

Nietzsche u angazhua thellë me muzikën përmes klubit privat “Germania”, të themeluar në vitin 1860 me Gustav Krug dhe Wilhelm Pinder. Kompozimi, eseja dhe debatet mbi artin dhe kulturën muzikore ishin pjesë e zhvillimit të tij intelektual. Në këtë periudhë ai kaloi një fazë të romantizmit kombëtar, por interesat e tij shtriheshin përtej kufijve gjermanë: mitologjia nordike, legjendat e mbretit gotik Ermanaric, folklori serb dhe muzika hungareze e polake. Edhe pse kompozimet e tij nuk arritën formën e veprave të mëdha, ato shfaqin ndjeshmëri poetike dhe kërkim shpirtëror. Ai kompozoi miniatura për piano, për zë e piano, pjesë për violinë e piano dhe për kor, si Wie sich Rebenranken Schëingen (1863) “Si dredhen hardhitë e rrushit”, Eine Sylvesternacht (1864) “Një natë e Vitit të Ri” dhe Kirchengeschichtliches Responsorium (1871) “Responsorium historiko-kishtar”. Megjithatë, Nietzsche e dinte se muzika ishte pasioni dhe jo profesioni i tij. Ai do të shkruante më vonë se muzika që krijonte nuk mund të arrinte kurrë pjekurinë e mendimit filozofik, por që mbetej gjuha më e sinqertë e shpirtit të tij.

Në këtë periudhë Nietzsche u ndikua thellë nga filozofia e Schopenhauer-it, i cili e quante muzikën “kopje të vetë vullnetit”, një art që flet për thelbin e gjërave dhe jo për hijen e tyre. Kjo ide do të përforcohej në mendimin e Nietzsche-s dhe do ta çonte drejt afrimit me Wagnerin, që gjithashtu ishte ndjekës i Schopenhauer-it. Takimi i tyre në vitin 1868 hapi një kapitull të ri në jetën e tij, ku për Nietzsche-n,W agner ishte mishërimi i idealit artistik gjerman. Në veprën “Tristan und Isolde”, ai pa realizimin muzikor të ideve të Schopenhauer-it për dashurinë, dhimbjen dhe vullnetin. Por kjo miqësi do të kthehej në një konflikt të thellë intelektual dhe shpirtëror. Midis viteve 1868 dhe 1888, Nietzsche do të kalonte nga adhurimi te kundërshtimi. Wagner mbeti figura përmes së cilës Nietzsche e përkufizoi marrëdhënien e vet me muzikën, artin dhe njeriun.

Nietzsche e konsideronte muzikën si një forcë që çlironte shpirtin dhe i jepte krahë mendimit. Ai besonte se sa më shumë bëhej njeriu filozof, aq më shumë krijonte personalitetin si muzikant. Filozofia e tij, edhe pse pa një sistem të unifikuar, ishte e përshkuar nga muzika. Për të, çdo frazë filozofike kishte muzikalitetin e vet, dhe komunikimi stilistik ishte shenjë e gjendjes shpirtërore. Marrëdhënia e tij me muzikën mbeti e dyfishtë: një dashuri që e shëronte dhe një pasion që e sfiliste. Nietzsche vuante nga sëmundje kronike, dhe shpesh përdorte muzikën si ilaç shpirtëror. Ai e quante “kurë universale”, një mënyrë për të rishpërndarë energjinë jetësore. Në letrat e fundit, ai pranon se dëgjimi i Carmen të Bizet-it i sillte qetësi dhe ekuilibër, ndërsa muzika e Wagner e rëndonte dhe i shkaktonte revoltë fizike: “Trupi im nuk e duron më këtë muzikë; këmbët e mia rebelohen, zemra ime proteston.” Kjo përmbysje estetike tregon edhe distancimin e tij filozofik, pasi muzika franceze u bë simbol i kthjelltësisë dhe masës, ndërsa ajo gjermane, e përfaqësuar nga Wagner ishte shenjë e dekadencës. Me këtë llogjikë, Nietzsche shpalli ndarjen e tij përfundimtare nga idhulli i dikurshëm, Wagner.Nuk ka asnjë dëshmi se kompozimet e Nietzsche-s të jenë interpretuar ndonjëherë në publik gjatë jetës së tij; duket se ai kurrë nuk pati mundësinë ta dëgjonte muzikën e tij të interpretuar nga dikush tjetër. Interpretimet, përgjithësisht nën drejtimin e Nietzsche-s, ishin ngjarje private, të rezervuara për familjen dhe miqtë. Nuk ka prova që Nietzsche ta ketë promovuar ndonjëherë veprën e tij apo ta ketë konsideruar veten dhe si kompozitor, megjithëse ai dërgoi tre pjesë për vlerësim tek Hans von Bülow. Vetëm një vepër iu botua gjatë jetës së tij, “Hymnus an das Leben” (Himni i Jetës) 1887, për kor miks dhe orkestër, Edhe pse karriera e tij kompozicionale ishte e shkurtër, aktiviteti si pianist zgjati deri në fillimin e problemeve të tij shëndetësore. Interpretimet në piano, ishin për të një formë lehtësimi terapeutik. Ai luante për familjen dhe miqtë, e megjithëse mungonte profesionalizmi, teknika e tij ishte e avancuar. Heinrich Köselitz e dëgjonte shpesh Nietzsche-n, nga ku shënoi dy momente domethënëse: në mesin e viteve 1870, gjatë interpretimit të Hymnus auf die Einsamkeit, ai përshkruante një ekzekutim të fuqishëm, në azilin e Jena-s, ku dëshmoi se improvizimet e tij ishin mjaft të ndikuara nga teknikat kompozicionale të Wagner dhe Beethoven. Ai mbeti aq i habitur nga forca shpirtërore e këtyre momenteve sa dyshoi nëse çrregullimi mendor i Nietzsche-s ishte real. Pavarësisht këtyre dëshmive, shkrimi i tij për piano dukej shpesh i vështirë, jo idiomatik, ndonjëherë afër së pamundurës, dhe shpesh më orkestral se pianistik, në përputhje me vëzhgimet e Köselitz-it për luajtjen e tij.

Në veprën e fundit muzikore Hymnus an das Leben, të përfunduar më 1887, Nietzsche arriti të përmbledhë gjithë përvojën e tij jetësore dhe shpirtërore. Përdori një poemë të Lou Salomé, me temën e dashurisë për jetën, pavarësisht dhimbjes. Ai e kompozoi këtë himn në një periudhë “patosi tragjik”, duke e parë si testament filozofik. Pjesa u orkestrua me ndihmën e mikut të tij, Johann Heinrich Köselitz (Peter Gast), i cili e ndihmoi në harmonizim e formë. Struktura e thjeshtë, hyrja në Re maxhor dhe melodia e qartë e bëjnë veprën një lutje poetike ndaj jetës. Nietzsche shpresonte që pas vdekjes së tij, kjo muzikë të këndohej në kujtim të tij, si një përqafim i fundit i jetës që ai kishte filozofuar.
Në vitin 1887, ai i shkruajti dirigjentit Hermann Levi: “Ndoshta nuk ka pasur kurrë një filozof që në realitet të ketë qenë muzikant në atë shkallë sa unë jam. Kjo nuk do të thotë që unë mund të isha natyrshëm një muzikant plotësisht i dështuar.” Një vetëdije ironike për kufijtë e talentit të tij, por edhe një pohim i thellë për unitetin midis mendimit dhe tingullit. Kompozimet e tij, të botuara më vonë në Bazel nga Bärenreiter (1976), dëshmojnë këtë pasion të sinqertë. Edhe pse dirigjenti von Büloë e quajti muzikën e tij “antimuzikale”, ku të tjerë si Friedrich Hegar e vlerësuan si spontane, poetike dhe evokuese. Nietzsche vetë pohonte: “Kam shkruar një fugë që nga fëmijëria dhe mund të kompozoj në stil të pastër me një farë shkalle pastërtie.” Ndikimi i tij në muzikën e mëvonshme është i gjerë. Wagner mbeti pikënisja e debatit të tij estetik, por shumë kompozitorë pas tij u frymëzuan nga filozofia e Nietzsche-s: Richard Strauss me “Also sprach Zarathustra” (1896), Gustav Mahler në Simfoninë nr. 3 me tekstin “O Mensch!

Gib acht!”, Frederick Delius me “A Mass of Life” (1905), “Hans Pfitzner” në reflektimet e tij mbi kulturën gjermane, Pierre Boulez dhe Luigi Nono në modernizmin e shek. XX. Të gjithë, gjetën te Nietzsche idenë e artit si tension i përhershëm midis rendit dhe kaosit. Për Nietzsche-n, muzika dhe filozofia janë dy fytyra të së njëjtës ndjesi: dëshira për të përjetuar botën përmes artit. Ai ishte shembulli i “kompozitorit-filozof” që kërkoi të shpjegojë filozofinë e tij jo me rregulla, por me ritëm, frymë dhe pasion. Nga Lindja e Tragjedisë deri te Eçe Homo, muzika mbetet qendra e vizionit të tij për njeriun, një qenie që lëkundet midis Apollinianit dhe Dionisianit, midis rendit dhe çmendurisë, për të krijuar artin e vet jetësor. Së shpejti, për publikun shqiptar, për herë të parë do të interpretohen veprat e tij pianistike, në një mbrëmje të veçantë, nga pianistja dhe pedagogia Ardita Bufaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *