Teatri “Aleksandër Moisiu” sjell në skenë dramën “Gruaja me Sirtarë”, një prodhim që flet me gjuhën e thjeshtë, por goditëse të realitetit, ku kujtesa personale shndërrohet në pasqyrë sociale. E shkruar nga autorja Anisa Markarian, vepra eksploron jetën dhe brengat e një gruaje që jeton mes kujtimeve, sakrificave dhe heshtjeve të mbledhura ndër vite.

Aktorja Mimoza Marjanaku mban mbi vete të gjithë peshën e rrëfimit, duke interpretuar një rol kompleks, ku fjalët nuk mjaftojnë pa ritmin e frymëmarrjes, pa pauzat e qëllimshme dhe pa tensionin e brendshëm që karakterizon dramën. Monologu i saj është sfida e gruas : i gjatë, i trazuar, plot zhytje e ku personazhi lëviz mes të shkuarës dhe të tashmes.

Ky lloj monologu kërkon disiplinë të hekurt aktoreske, ruajtje të emocioneve, kontroll të tonit dhe aftësi për të mbajtur publikun të lidhur pas çdo fjalie — dhe Marjanaku ia del ta bëjë këtë me një intensitet të rrallë. Ajo ndërton një grua që përballet me kujtimet si me plagë të hapura, duke e kthyer skenën në një rrëfim të brendshëm gati dokumentar. Përballë saj, Romir Zalla krijon një energji të kundërt që e pasuron dialogun dramatik të veprës.

Regjisorja Suela Bako ndërton një regji të përmbajtur, të fokusuar te detaji dhe simbolika, duke i dhënë veprës ritëm të ngadaltë, por emocionalisht të ngjeshur.

Skenografia e Alketa Tragaj, e plotësuar nga bashkëpunimi me Erti Bejdo dhe Lira Zahiri, është një nga elementet më të forta të shfaqjes: një hapësirë me stilim te asaj periudhe, e ftohtë, ku objektet e shpërndara në skenë funksionojnë si “sirtarë” të hapur të së shkuarës. Çdo send bëhet dëshmi e një jete, duke sjellë në të njëjtën hapësirë nostalgji, dhimbje dhe ironi.

Në aspektin estetik, shfaqja rritet edhe nga ndërhyrjet vokale të këngëtares Kiara Juba, e cila vendos një ton emocional që lëviz mes brishtësisë dhe dramës.

Gruaja me Sirtarë” është një shfaqje që kërkon reflektim dhe e fton publikun të rikthehet tek roli i gruas në familje dhe shoqëri, tek ngarkesa që ajo mbart shpesh në heshtje dhe tek historia e përbashkët që na bashkon të gjithëve. Një prodhim teatror i realizuar me seriozitet artistik dhe me një mesazh që mbetet gjatë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *