Sara Caca, studente e muzikologjise, ne klasen e As.Prof. Holta Sina
Gjyzepina Kosturi i përket atij brezi artistësh, pionerë të artit tonë operistik, që e filluan aktivitetin e tyre artistik jashtë shtetit dhe që gjithçka e lidhën me dashurinë për atdheun.[1]
Jeta, familja, shkollimi
Gjyzepina Kosturi u lind më 12 prill 1912, në një familje shkodrane në Tivar dhe vdiq më 25 janar të vitit 1985 në Tiranë). Duke u rritur në një familje me tradita patriotike dhe kulturore, mund të thuhet se dashuria e saj për artin lidhet ngushtë edhe me faktin se ajo ishte mbesa e Marubëve, piktorë dhe fotografë të shquar; ajo ishte vajza e Gjokë Mislocës dhe Paolina Kodheli (Marubit), e cila ishte mbesa e fotografit të njohur shqiptar Kel Marubi (Kodheli). Gjithashtu lidhjet e saj familjare nuk ishin të lidhura vetëm me pikturën, por edhe me muzikën, Tonin Harapi ishte djali i hallës së saj.
Pas shkollës së mesme, studimet e larta i kreu në vitin 1937 për kanto, në Konservatorin “Santa Çeçilia” në Itali dhe pas kthimit sërish në Shqipëri ajo u angazhua me koncerte të ndryshme nëpër qytetet kryesore. Në marsin e vitit 1945 rregjistrohet edhe debutimi i saj në Radio-Tirana. Me hapjen e Liceut Artistik J. Misja në Tiranë, në vitin 1946, Gj. Kosturi ishte ndër pedagoget e para të kantos në këtë Lice. Por kontributi i saj në arsim nuk u ndal vetëm në Liceun Artistik, ajo u bë pjesë edhe e stafit pedagogjik të Konservatorit Shtetëror të Tiranës (me hapjen e tij më 1962), ku përgatiti me nivel të lartë me dhjetra breza solistësh të TOB.
Për këto arritje Gjyzepina Kosturi u nderua me urdhra, çmime si dhe mban titullin “Artiste e Merituar”[2].
Zhani Ciko[3] ishte një ndër njerëzit që e ka njohur nga afër Gjyzepina Kosurin dhe, përmes këtij fakti, ndërton një portret artistik për të. Së pari është i ati i tij, Mihal Ciko, i cili dëshmon se Gjyzepina ishte rritur me një kujdes të veçantë dhe me ndjeshmëri për fushën e muzikës, ku kjo ndjeshmëri ishte spikatur nga të gjithë, familja e shoqëria, e cila transpetohej e kuptohej që sytë e me pas në të gjithë qenien e saj. Ndër intelektualët e viteve 30-40 do të bënte pjesë edhe bashkëshorti i Gjyzepinës, Rexhai Kosturi, një familje tepër e rëndësishme në qytetin e Tiranës. Ai ishte një personalitet mjaft i formuar, ku mes çdo bisede edhe ato familjare, ai tregonte një kopetencë enciklopedike, gjithashtu njihte edhe shumë gjuhë të huaja. Përmendur këtu, që ishte përkthyesi i vetëm nga rusishtja i operës “Rusalka” kur ajo filloi te vihej në Teatrin e Operës. Drita Kosturi, e motra e tij, femër e avangarës të zhvillimeve politike e kulturore.
Gjyzepina e nisi rrugëtimin e saj në Radio-Tirana si këngëtare, ku shfaqej në emisione të ndryshme, ajo shquhej për zërin e saj emotiv dhe të veçantë. Ajo kishte një ngjyrë vokale që e përdorte me shumë mjeshtëri në funksion të përmbajtjes, mësohej me personazhin, të cilin ajo e mishëronte në arie apo veprat skenike.
Ciko rrëfen se edhe pse ajo ishte një natyrë e tërhequr në botën e saj shpirtërore pa lajka ndaj regjimit, nuk e pati të lehtë rrugën e saj artistike.
Ndërsa Volfang Kosturi[4], i biri pohon se: Nëna na shpëtoi nga internimi; Jeta nën diktaturë me damkën e ‘borgjezëve’; “Hallë Dritën e takonim fshehurazi. Ishte idealiste”.
Ai jeton prej kohësh në Itali dhe vjen me një intervistë në shtypin shqiptar (me titujt e mësipërm) ku tregon detaje mbi familjen dhe kujtimet e ruajtura me fanatizëm pë vështirësitë e jetës në ‘persekutim’, që në asnjë moment nuk i larguan ëmbëlsinë dhe ndjeshmërinë e së ëmës.
Volfang shprehet se e ëma kishte gjithë peshën në familje duke e bërë jetë e saj në ato vite vetëm punë-shtëpi, ishte e bukur dhe punëtore, ku shprehet se nëse nuk do të ishte ajo, ata do të ishin të gjithe në internim, ishte ajo që i mbrojti nga ana politike.
Ai tregon për të atin i cili ishte drejtor turizmi para komunizmit, dhe pasi u vendos komunizmi nuk kërkoi më punë por punoi si përkthyes privatisht në shtëpi dhe pikturonte. Nga miqtë e tij shtëpia u kthye në një vend ku luhej brixh, deri sa në shtëpi vijnë punonjës të Sigurimit të Shtetit dhe e ndalojnë të takohet më me ta, në këtë moment ai nuk del më nga shtëpia derisa ndërron jetë në moshë 62-vjeçare (1968).
Ata klasifikoheshin si familje borgjeze edhe pse kishin një familjar dëshmor, Skënder Kosturin (xhaxhai) si dhe aludohej se e ëma e Gjyzepina Kosturit ishte italiane.
Në familjen e tyre dinin të gjithë italisht por edhe turqisht dhe rreth viteve ’20 siç thotë dhe i biri “na thoshin soji i xhindeve” ndërkohë që dhe ishin të vëzhguar nga sistemi. Ai pranon se e ëma iu përkushtua familjes, të atit dhe tre vëllezërve, përmes të tjerash edhe me moralin e kokëfortësinë e saj.
Volfangu flet edhe mbi Drita Kosturin hallën e tij, e cila ishte një idealiste, por në shtëpi nuk flitej për të; e ëma i ruante fotografitë, ndërsa i ati thoshte se e gjithë kjo histori nuk ishte e vërtetë. Ndër të tjera tregon se D. Kosturi nuk duhet të vinte te ata, por edhe nëse vinte duhet ta bënte fshehurazi, kurse kur sistemi ra, konkretisht në vitin ’92 ajo shkon në Itali dhe nuk e besonte ende se ishte e lirë në të gjitha aspektet e jetës.
Në vitin 1976 arrestojnë Valterin (djalin tjetër të Gjyzepinës), i cili për ekstravagancën e tij (merrej me gara me motorë), u përfshi në luftën e klasave dhe u gjet një justifikim që ai të futej në burg. Doli nga burgu në vitin 1981, por e ëma Gjyzepina vdiq e helmuar katër vite më vonë, në fund të jetës së saj, ajo përjetoi edhe largimin nga jeta publike e artistike, pasi nuk e ftonin më në asnjë festë.

Faksmile për ndarjen nga jeta të sopranos më 25 janar 1985
(nga dosja e Gj. Kosturit në Arkivin Artistik të TOB)
Edhe pse ishin të mbikqyrur nga sistemi, familja Kosturi nuk mbeteshin kurrë pa miq, edhe sot që nuk janë më të zotët e shtëpisë dhe shumë prej miqve nuk jetojnë më, kanë mbetur pas kujtimet.
Në vijim të këtij shkrimi portret të artistes në fjalë, vijnë edhe mendimet dhe vlerismet e miqve të familjes si Amik Kasoruho dhe Mark Shkreli, të cilët me konsideratat dhe kujtimet e tyre plotësojnë akoma më shumë portretin e munguar të sopranos, por edhe të familjes së saj, veçanërisht të bashkëshortit Rexhai Kosturi, që me të drejtë Kasoruho e cilëson si “dinjitoz deri në fund”.[5] Pikërisht Amik Kasoruho mban një qëndrim mbi figurën e Rexhaiut, bashkëshortit të Gjyzepinës, si një njeri me moral të lartë, ruajtës i mendimeve dhe i mëyrës së tij të jetesës deri në fund; njeri me respekt dhe dinjitet për veten. Këto vlera ai i çmon më shumë për periudhën e vështirë në të cilën Rexhaiu jetoi, ku dinjiteti quhej ‘krenari e kalbur borgjeze’.
Ndërsa Mark Shkreli, miku tjetër i familjes shtron pyetjen se: Pse na pëlqente shtëpia e Kosturëve?![6] Dhe përgjigjia vjen e lidhur me mikpritjen që bëhej në shtëpinë e Kosturëve, jo vetëm atyre si shokë të djemëve, por të gjithë miqve e dashamirësve të tyre. Shkreli tregon se në shtëpinë e tyre ka gjetur gjithmonë thjeshtsinë dhe bujarinë. ‘Aty në madhoren intelektuale gjeje vetë dinjitet e çiltërsi’. Kujton gjithashtu sa shumë artistë ka takuar në atë shtëpi, të cilët gëzonin respekt të madh për Rexhaiun dhe Gjyzepinën.
Nga një shoqëri paradoksale ku pas gjysmë shekullit të diktaturës mohojnë çdo gjë që ka ndidhur madje dhe lidhjet e tyre, publicisti A. Kasoruho[7] shpreh këndvështrimin e tij mbi Rexhai Kosturin, i cili për të ruajti gjithmonë qëndrueshmërinë e mendimeve dhe stilit të jetesës, pa u ndikuar nga qasjet politike të kohës.
Duke cituar shkrimtarin Gjergj Zheji[8], në një koment pas viteve ’90 për një libër të diktaturës, thuhej se: “…ajo që të bën përshtypje …autori nuk i bie gjoksit ….si disident i vërtetë, siç po na rastis të shikojmë shpesh, për fat të keq, madje dhe me njerëz që me disidencën nuk kanë patur asgjë të përbashkët.”[9] Këto fjalë për publicistin zinin vend në figurën e R. Kosturit, i cili bënte pjesë në një familje që kishte kontribuar për luftën edhe me gjak, por nuk kishte pritur kurrë asgjë në këmbim të kësaj. Ka ndenjur ftohtë dhe larg pushtetit, pasi për të ‘të sulesh për të zhvatur pak nga pushteti i vendosur, do të thotë të humbasësh diçka nga persomaliteti yt’. Kënaqësia e tij vinte nëpërmjet familjes, tek shihte bashkëshorten e tij, e cila prej tij u la pak mënjanë në botën artistike shqiptare, fëmijët e tij, ku i shihte larg rinisë së rritur me vlerat e diktaturës, miqt e tij, pikturën dhe leximin. Kasoruhu jep detaje edhe nga takimet e tij me Rexhaiun, ku për të ishte kënaqësi të uleshe e të bisedoje me të, jo vetëm se ishte një hapsirë për të mësuar gjëra të reja, apo edhe për të harruar vështirësitë e kohës, me rëndës ishte se para tij do të ishe i barabartë, pasi si një cilësi e një njeriu të formuar ai fshinte caqet e moshës.
Gjithashtu në këtë shkrim njihemi me një fakt interesant, në San Demetrio Coronet të Kalabrisë, shkollë në të cilën janë shkolluar mjaft shqiptarë, ndër emra të njohur në kolegjin e Shën Mitrit, tempull ku nuk fitohej vetëm dije po ku mëkohej shqiptarizma, si vetë arbëreshët dinë, gjendej edhe emri i Rexhai Kosturit.
Aktiviteti artistik
Me krijimin e TOB më 1953, ajo ishte ndër solistet e para të teatrit, e cila dha kontributin e saj të çmuar në interpretime me nivel të lart artistik e muzikor. Gjyzepina Kosturi merr pjesë që në operën e parë të vënë në skenë, opera “Rusallka” më 1953, ku interpreton rolin e vështirë të princeshës[10]. Disa nga rolet e tjera mund të përmendim: Ludmilla nga opera “Nusja e shitur”, Violeta nga opera “La Traviatta”, Santuca nga “Kavaleria Rustikana”, Tatiana nga “Evgjeni Onjegin” si dhe kulmin e karrierës së saj artistike, ndonëse në moshë të madhe ishte interpretimi i Butterfly-t në operën “Madama Batterfly” në vitin 1961.

“Rusallka” – 1953, Gjyzepina Kosturi në rolin e Knjoginës

“La Traviatta” – 1958; Alfredi: Ilia Josifov (bullgar), Violeta: Gj. Kosturi[11]
Aktiviteti i saj artistik u pasurua edhe më shumë me jetën koncertale brenda dhe jashtë vendit. Këngët poullore, ariet, romancat e interpretuara në skena të ndryshme, u kthye si një dëshmi për të dhe nivelin e saj të lartë artistik. Zëri dramatik, teknika e lartë, diksioni i pastër dhe unifikimi i partit muzikor me tekstin ishin karakteristikat që e bënin atë të pëlqyer e të duartrokitur kudo.
Duke marrë shkas nga rivënia në skenë e operës “Madam Batërflaj”, e cila u shfaq më 31. 01. 2007, në një artikull të shkruar mbi këtë premierë, rikujtohen gjithashtu emocionet e premierës së parë ku spektatorët e asaj kohe kujtojnë ‘butterfly’-n e parë shqiptare. Thuhet se ishte vetem 50 vjeçe atëherë dhe duhet të interpretonte rolin e një 15- vjeçareje, i cili kujtohet edhe sot si një interpretim i papërsëritshëm edhe pas njëzet e dy vitesh pas largimit të saj nga jeta. Shkrimi vazhdon duke vënë në pah punën e arkivistit të TOB Zamir Këlliçit, i cili të gjitha dosjet dhe dokumentet (të Stavri Rafaelit, Lukë Kaçajt e ndonjë tjetër) i ka ruajtur me fanatizëm dhe janë tregues të suksesit të kësaj opera në vitin 1961, vënë në skenë në TOB[12].
Për të plotësuar portretin e saj artistik, duke pasur mungesë materialesh të publikuara, na vijnë në ndihmë materialet e dosjes së saj arkivale të TOB dhe, konkretisht, një shkrim i gazetës Panorama (i përfshirë në këtë dosje), ku dalin në pah karakteristikat e personalitetit të saj kompleks si dhe të familjes së saj në një Portret artisti sipas të birit Volfangut dhe Zhani Cikos (konkterisht nëntitulli i shkrimit në fjalë)[13]:
Gjyzepina ose Gjyzja siç e thërrisnin familjarët dhe miqtë e saj, kishte portretin e një femre te bukur plotë stil dhe elegancë, një gruaje e cila ishtë gjithmonë e komentuar për qëndrimin e saj, por në aspektin e ngushtë familjar ishte e detyruar të bënte edhe rolin e gruas dhe atë të burrit (pas i shoqi nuk punonte). Me finesën dhe delikatesën e saj, Gjyzepina ishte ndër të vetmet këngëtare lirike të operës shqiptare, që solli frymën origjinale.
Me talentin e saj “rrëmbeu” rolet më të rëndësishme operistike. Interpretoi: “Rusalka”, rolin e mbretëreshës, në krah të Jorgjie Trujës; opera “Ivan Susan” dhe “Cavalleria Rusticana”. Në këtë operë të fundit sipas artistit Zhani Ciko thotë se ajo ‘nxorri kompleksitetin e personazhit që interpretonte’ shton më tej se imazhi i saj jashtë skenës i vjen si ‘një grua e pashme që vishej me shije dhe që gatuante në një mënyrë të mrekullueshme’.
Ndër të tjera në këtë shkrim me interes është fakti, ku thuhet se Gjyzepina realizoi “një Butterfly 50-vjeçare”, ku pikërisht në rolin e Cio Cio Sanit në operën “Madam Butterfly” pati një tjetër sukses, e veshur si një vajzë japoneze, me gjestikulacionin e zakonshëm të aziatikeve e japonezeve, dku vinte me një freski në të gjitha lëvizjen, diçka ndryshme nga të gjithë rolet e tjera edhe pse ishte në një moshë të avancuar rreth të 50-ve.

“Madam Batërflaj”, Premiera 29 – 03 – 1961, Gj. Kosturi (Batërflaj)[14]
Një interpretim tjetër mjaft i arrirë është edhe roli i ‘Tatianës’ në operën “Eugjen Onjegin” nga Çajkovski ku siç pohohet nga Zh. Ciko “nuk kam gjetur akoma Tatjanë shqiptare, emocionuese si Gjyzepina”[15].
Për Cikon mbreslënëse ka qënë dhe realizmi i rolit të ‘Violetës’ në operën “Traviata”, të cilin e ngriti në moshë disi më madhore, sepse në atë periudhë ideologjikisht të frenuar, Gjyzepina nuk ishte e preferuar për disa arsye. Pra Traviatën u detyruan t’ia jepnin, kur nuk kishte mundësi ta bënte dikush tjetër.
Në një kohë të caktuar në jetën e saj Gjyzepina pati problem me dëgjimin dhe gjatë performancave të saj mbante një aparat në vesh. Për këtë arsye mund të vëreheshin ndonjë lëvizje intonative të pavullnetshëm, ku gjithmonë shqetësohej e pyeste si ishte dhe se a kishte patur probleme.
Ajo e ruajti zërin e saj të freskët deri në moshë të madhe, ku si një dëshmi është koncerti i mbajtur në moshë 70 – vjecare, në të cilin këndoi repertorin e saj mjaft të gjerë të arieve. Ciko shprehet se ajo të mahniste me potencialin e saj, me besimin në shpirtin, emocionalitetin dhe realizinn e figurës, ku për të figura skenike dhe ajo vokale ishte një. “Është vërtet një nga emrat më të rëndësishëm të muzikës sonë operistike, që ka inspiruar shumë edhe artistët e rinj, që e kanë dëgjuar dhe përjetuar emocionet e saj.”[16]
Në operën “Rusalka” (1953) ajo paraqet me mjeshtëri princeshën fatkeqe, që ndjehet e braktisur dhe e tradhëtuar. Më 1956 opera “Nusja e Shitur”, interpreton bukur rolin e Ludmillës, duke rritur aftësitë e saj interpretuese në rolin e Santucës në operën: “Cavalieria Rusticana” (1958). Mishëroi mjeshtërisht rolin e Tatianës në operën: “Eugjeni Onjegin” (1959), tjetër nivel të lartë interpretimi Gj. Kosturi e shfaqi në operën “Madam Baterflaji” në rolin e Çio Çio Sanit (1961), duke shënuar një sukses të madh në edhe në operën “Traviata” të Verdit me rolin e Violetës më 1956.[17]
Me rastin e 95-vjetorit të sopranos Gjyzepina Kosturi[18], Zamir Këlliçi ndodhej në përfundim të librit mbi jetën e saj, materiale të cilat janë siguruar nga djali i saj Volfang, i cili jeton në Udine si dhe gjithashtu ka qënë miku i tij i fëmijërisë.
Po ashtu në dosjen e sopranos Gj. Kosturi gjendet edhe një intervistë (kohë në të cilën Gj. Kosturi ishte ndarë nga jeta) ndërthuret me një tjetër intervistë e bërë rreth të 60-ve të saj.[19]
Sopranoja shprehet se pas studimeve detyrohet të mos ushtroj prfesionin e saj si këngëtare për shkak të regjimit të kohës, për këtë arsye u kthye në një grua shtëpiake deri në çlirimin e Shqipërisë. Koncerti i parë pas kësaj periudhe ishte më 17 dhjetor, 1944 së bashku me shoqen e saj Tefta Tashko Koço, për partizanët, të cilët kishin çliruar Shqipërinë.
Në krijimin e trupës së Operës ajo ishte ndër të parat që mori pjesë, në fillim me rolin e Knjaginës në operën “Rusalka”, duke vazhduar kështu me operat klasike si “Nusja e Shitur”, “Kavaleria Rustikana”, “Evgjeni Onegin”, “Traviata” dhe në fund me “Batërflajn”.
Profesor M. Krantja ka krijuar një konsideratë për Gjyzepina Kosturin me virtytet e saj, i cili i njeh vlerën si një prej ‘primadonave’ të rralla të skenës sonë lirike.[20]
Pas studimeve në Konservatorin “Santa Çeçilia” në Romë, debutimi i saj regjistrohet në mars të vitit 1945, me një program të transmetuar nga Radio – Tirana. Në vijim të këtij afirmimi të vlerave të saj, ajo orientoi angazhimin e personalitetit, si fillim në hapjen e Liceut artistik në pedagogjinë e kantos, në 1951 hapjen e institucionit të parë specifik Filarmonia Shqiptare, ku si qëllim kishte përhapjen e muzikës kulte dhe të krijonte hap pas hapi opinionin dhe kushtet materiale për entin e madh lirik shqiptar, TOB-në.
Ajo shfaqte përvojat e një mësueseje të pjekur, ku në Filarmoni pati mundësi të shprehte dëshirat dhe synimet e saj, të fshehura prej vitesh në një shpirt të trazuar.
Jo vetëm në skenat e kryeqytetit, por edhe më gjerë Gjyzepina interpretonte pjesë dhe skena operistike më të njohura botërore, të cilat i kishte përvetësuar në Konservatorin e Romës, gjithashu pa lënë pas edhe këngët popullore të interpretuara së bashku me kolege të saj si Tefta Tasho Koco, Jorigjie Truja, Marie Kraja, K. Antoniu, H. Pelingu, M. Ciko.
Ndër të tjera Jorigjie Truja shprehet mbi preferencat e Gjyzepina Kosturit, se cilat ishin këngët e saj të parapëlqyera, ajo veçon këngën ‘Mori drandofileja e vogël’, ku intonacionet e së cilës ajo gjente më shumë veten, dhe arien e operës “Aida” të Verdit, në këtë arie shpërthen gjithë diapazoni vokal dhe ndjeshmëria ekspresive që ishte karakteristike për interpretimin e saj’.
Pikërisht në dosjen e saj në Arkivin e TOB (të cituar më sipër) gjendet dhe një e dhënë me inters (një ftesë) për një botim monografik dedikuar ‘zonjës me shpirt të operës shqitare’ me rastin e 95-vjetorit të lindjes së saj dhe kjo e dhënë del në pah konkretisht në 60-vjetorin e arkivistit të TOB-it, Zamir Këlliçit (që është dhe një nga autorët e librit për Gj. Kosturin së bashku me Nexhat Agollin).[21] Pikërisht, thuhet ndër të tjera se “Në hollin koncertor të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit një javë më parë u promovua libri “Gjyzepina Kosturi, zonja me shpirt e operës shqiptare”. Në këtë aktivitet ishin të ftuar pjesëtarë të familjes Kosturi dhe Milocaj, dashamirës të saj, personalitete të artit si dhe artistë nga qyteti i Shkodrës.[22]

Ftesa që gjendet në dosjen e Gj. Kosturit në Arkivin Artistik të TOB
Karakteristikat interpretative nga syri i kohës[23]
Përpos njohjes së sopranos Gjyzepina Kosturi nga ana perosnale dhe ajo familjare, një tjetër këndvështrim për plotësimin e figurës së saj artistike, janë edhe njësërë mendimesh dhe konsideratash të personaliteteve të artit shqiptar.
Në këtë kontekst, dirigjenti i njohur Mustafa Krantja (një ndër themeluesit e dirizhimit te ne) ndër të tjera shprehet se ‘vokali i saj, shumë ekspansiv, ekspresioni shumë i fuqishëm i këtij vokali, me të cilin Gjyzja ka vizatuar e skalitur personazhe që mbeten me të vërtetë të paharruar të ati publiku që e ka ndjekur të gjallë në skenë. Veç kësaj Gjyzja ishte pajisur me dhunti të mëdha interpretuese. Prandaj kur bëhet fjalë për Gjyzen si këngëtare në skenë, kjo duhet marrë ashtu siç është vetë kërkesa e teatrit lirik, operistik. Duhet marrë e ngjeshur, nga të dy anët, vokali dhe dhuntitë e saja të vecanta interpretuese. Por si gjithnjë, vokali i saj, ishte fjala në fund të fundit, e përcaktimit e deri te përmasave më të thella të artit të saj të madh interpretues.’
Ndërsa baritoni Ramiz Kovaçi flet mbi Gj. Kosturin mbi intepretimin e saj në operën “Rusallka”, ku evidenton se ‘ngrohtësia vokale që e karakterizonte Gj. Kosturin ne rolin e Violetës krijonte një atmosferë të gjërë dhe plane të diferencuara. Interptretimi i saj, krejt i brendshëm dhe psikologjik, i arritur teknikisht me lehtësi, krijonte emocione direkte […]. Nga akti në akt, Violeta ngrihej, pasurohej, plotësohej, zëri i saj nuk ndjente lodhje’. Ai shprehet ndër të tjera për protagonisten e operës “Evgjeni Onjegin” të Çajkovskit, Gj. Kosturin se “me të gjitha mjetet e saj artistike, ajo përballoi në një nivel te admirueshëm protagonisten e Kavalerisë rustikana, me të cilën kengëtarja emociononte edhe partnerët e saj të skenës. Mbahet mend gjithashtu prej Kosturit, në të cilën, edhe pse poetika s’mungon, është mënjanuar çdo emfazë melodramatike, çdo teprim sentimental në dobi të një thjeshtësie, të komunikimit spontan”.
Kurse ‘babai’ i kompozicionit shqiptar Ç. Zadeja shkroi në prillin e vitit 1961 për Çio Çio Sanin e Kosturit: ‘Publiku ynë u dashurua me të drejtë me artisten tonë të shquar Gjyzepina Kosturi. Kjo vepër ka pretendime të mëdha nga ana vokale dhe jo vetëm për kantilenën e saj, e cila kërkon qoftë teknikë të lartë, qoftë muzikalitet të hollë. Dhe ajo e realizoi me sukses këtë detyrë të vështirë’.
Ata të cilët e njohën Gjyzepina Kosturin si një artiste me një komunikim spontan, ekspresivitet dhe bukuri vokale, ku në të bënë pjesë edhe akutja si një veçori që ajo e shfrytëzonte me vetëdije dhe kontroll të rreptë, që çdo vepër të kishte origjinalitet. Po këta njerëz shfaqën në shkrimet e tyre tiparet e çmuara të saj si fisnikërinë, barasvlerën e së cilës edhe profesor Krantja e gjen në brendinë e vargjeve të Floria Toskës në arien “Sublimet e saj” para tiranit Skarpia “Jetova me art, jetova me dashuri, nuk i bëra kurrë keq asnjë shpirti të gjallë”, cituar për të karakterizuar botën e thellë të kësaj artistje të madhe, një nga fatet e rrallë të skenës sonë.[24]
Opera “Skënderbeu” nga Prenk Jakova, në arien e Donikës, nënvizon Tonin Harapi për Gjyzepina Kosturin, kur pohon se “Gjyzepina kishte një thellim e zbërthim psikologjik dhe ideor të rrallë duke vënë në reliev dhe duke gërshetuar dy planet e kundërta emocionale që kërkon kjo arie. Tek interpretimi i Tatjanës tek “Eugjen Onjegin” ajo ruan një fisnikëri të madhe shpirtërore e thellim psikologjik, kurse tek “Kavaleria Rustikana” ajo do të emociononte edhe partnerët e saj të skenës”.[25]
Violeta (në operën La Traviatta të Verdit) e Gjyzepina Kosturit kishte gjerësi e pasuri ndjenjash të tendosura që rrëmbente dëgjuesit.[26]
Gjyzepina ishte këngëtare me një diapazon të shtrirë dhe zotëronte gjithë tufën e ngjyrave që nga sfumaturat e holla dhe gjer tek gjyrat e errëta dramatike, Me mjeshtri të veçantë këto ngjyra të zërit të saj ajo vinte në shërbim të përmbajtjes interpretative të personazheve që luante.[27]
Roli i saj më i arrirë, në të cilin pati edhe suksesin më të madh, vlerësuar nga spektatorët e shumtë, kritikë e vlerësues të artit, ishte ai i Çio-Çio San-it në operën “Madam Baterflaj” të Puçinit. Me punën e saj serioze dhe këmbënguljen ajo shfaqi tragjedizëm, forcë emocionale dhe sensibilitet, për të krijuar një figurë dramatike, të thellë, e cila vinte natyrshëm. në këtë opera ajo shfaqet e plotësuar në të gjitha drejtimet si ai vokal, interpretim i thjeshtë, duke nisur nga dueti me tenorin Stavri Refael, në rolin e Pinkertonit, deri te aria e njohur ‘Do të shohim një ditë’, gjithashtu finalja tragjike e papërsëritshme. Ferid Bala në librin e tij “Në lulishtën e këngës popullore dhe të këngëtarëve” shkruante për Gjyzepinën: ‘Ajo është e papërsëritshme dhe në vlerat vokale që paraqiti në ato vite. Megjthëse në moshën dyzetvjeçare ajo i tregoi gjithkujt se si duhet përdorë vokali e çfarë mund të përfitosh nga ai kur atë e përdor me kulturë e shije të lartë. Ajo kishte vokal me dimensione të mëdha dramatike, me një vibracion të shkëlqyer që mbështetesh nga një ndjenjë e fuqishme dhe e brendëshme. Kishte shumë të zhvilluar teknikën e dhënies së tërë vokalit që nga forte e deri në pianisimo deri në shuarjen e plotë të zërit si një puhizë që vjen pas një stuhie.[28]
Kritikëve, analistëve, studiuesve të artit muzikor i’u ka bërë përshtypje se si Gjyzepina ka përdorur vokalin e saj deri në moshë të madhe, duke i mundësuar vetes të këndonte në çdo kohë me një pastërti zanore që të tjerët i habiste.
Gjyljana Curani (vajza e xhaxhait të saj) shprehet se ‘Ta dëgjoje kur këndonte në 70 – vjetorin e lindjes së saj me atë zë aq të kthjellët, ashtu të bukur gati si të rinisë së saj, habiteshe se si ishte e mundur që ajo ta ruante aq mirë atë vokal të mrekullueshëm. Giyzepina, ishte një vajzë me kulturë dhe edukatë, një bashkëshorte e shkëlqyer dhe një nënë që edukoi fëmijë kaq të mirë dhe të sjellshëm’.
Ndër të tjera edhe violonçelisti Gjovalin Lazari flet me një konsideratë të lartë për figurën e këngëtares Gj. Kosturi, pasi e konsideron atë edhe si inisiatoren e parë për të, për t’u bërë artist i skenës.[29] Në këtë artikull ai prek koncertin e fundit, i cili përkonte me 70-vjetorin e saj, ku ishin të ftuar këngëtarë, instrumentistë, kompozitorë si dhe personalitete të artit. Ishte një koncert mjaft dinjitoz i shoqëruar nga pianistja Lili Tafaj me një organizim mjaft të arrirë dhe një interpretim me nivel të lartë të arieve antike, arie nga operat dhe nga repertori kombëtar. E vetmja gjë që asokohe i mundonte të gjithë edhe atë natë, ishte shëndeti i artistes, ata tashmë e dini se ky ishte koncerti i fundit i saj[30].
Gj. Lazari shprehet ndër të tjera se me ndarjen e saj nga jeta “u nda vetëm fizikisht, por zërin që la pas, talentin e saj të madh, virtytet e larta njerëzore, fjalën e ëmbël dhe sjelljen e saj kaq të kulturuar do ta kujtojmë përjetësisht mbarë artistët që ajo përgatiti dhe la pas…”
Edhe regjisori i TOB Luigj Gurakuqi është shprehur: “Gjyzepina Kosturi, një Batterflai e papërsëritshme shqiptare, ajo ka qenë dhe mbetet një nga heroinat më të suksesshme të periudhës së 1955-1965. Një ndër këngëtaret e para operistike, që krahas artistëve të tillë si Maria Kraja, Zeni Berati, Kristaq Antoniu, Hysen Pejniku i përkasin brezit të parë apo, më mirë, pionerëve të artit operistik shqiptar.”[31]
Dirigjenti Mustafa Krantja shton se “Gjyzepina Kosturi, një ndër Prima Donat e rralla të skenës sonë me gjuhën dhe komportamentin e ekzaltues të saj përgjatë shfaqjeve arriti të kristalizojë në personazhet që mishëroi, cilësi, tipare, elemente, karaktere dhe dukuri artistike tejet origjinale, tejet shqiptare, dhe këto me një transarencë të qartë psikologjike ndjenjash”.[32]
Jorgjie Truja, këngëtare lirike dhe regjisore shprehet për Gjyzepinën se “e gjente më shumë veten tek opera e Verdit “Aida”, tek e cila shpërthente gjithë diapazoni vokal dhe ndjeshmëria ekspresive që ishte karakteristikë për interpretimin e saj”.[33]
Po kështu edhe kompozitori ynë i njohur Tonin Harapi nxjerr në pah cilësitë e saj vokale kur thotë se: “Gjyzepina ka qenë një nga këngëtaret me timbër të bukur e të manovrueshëm dhe me veti shumë të mira zanore, me një regjistër të plotë, që nga notat më të ulëta e deri te më të lartat. Interpretimi skenik i këngëtares ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fondin e vlerave të skenës sonë lirike”.[34]
Ndërsa Zhani Ciko, ish-drejtor i Teatrit të Operës dhe Baletit, thekso dhe anën e saj interpretative pasi siç pohin ai “Gjyzepina Kosturi, ishte një soprano me interpretim aktorial dramatik të theksuar. Kishte një natyrë emocionale shumë të veçantë. E megjithatë ajo arriti ta dominojë Violetën e Verdit”.[35]
B. Goce në një artikull për gazetën Metropol[36] shkruan se një kasetë e vitit 1982, e cila përmbante inçizimin e 70-vjetorit të Gjyzepina Kosturit, ishte një indicie për përgjegjësin e Arkivit të Teatrit të Operës dhe Baletit, Zamir Këlliçi, tre vite më pas për të sjell një libër për të.
Tahsim Aga[37]: “Gjyzepina ‘të impononte’ ta thërrisje ‘Zonja e madhe’, thjeshtësisht e komunikueshme, me një elegancë në qëndrim, në të folur, në ecje dhe në veshje ishte një nga gratë më të bukura të atyre viteve”.
Edith Mihali: Një prej kontakteve të saj me Gj. Kosturin ishte në provat e operës “Traviata” me rolin e Violetës, ku Editi impresionohet “kur sheh zonjën e madhe që demonstron skenikisht dhe vokalisht dhe nga mënyra se si u emocionua” – thotë me tej ajo “mendova për vitin ’56, kur duhet të ketë realizuar rolin e Violetës në mënyrë të shkëlqyer”.
Po ashtu edhe sopranoja Fitore Mamaqi në artikullin e saj,[38] i cili i dedikohet një koncerti të një grupi këngëtaresh të TOB, ndër të tjera shprehet se “nuk mund të mos emocionoheshe nga dalja e tyre në skenë. U përtëritën përsëri vitet e shkuara kur Marie Kraja (Artiste e Popullit), Jorgji Truja (Artiste e Merituar) e Lola Gjoka dolën në skenë dhe me zërin e interpretimin e tyre prekën gjithë masën e spektatorëve. Ajo thekson faktin se “ishin shoqet tona veteran të artit tonë ato që provuan të parat emocionet e vënies në skenë të operave tona të para shqiptare. Ato u dashuruan pas heroinave shqiptare, si Mrika, Olimbia, Donika etj. dhe i interpretuan ato plot art e dashuri, ndaj në këtë koncert jubilar Artistja e Popullit Marie Kraja dhe Artistja e Merituar Gjyzepina Kosturi kënduan bukur dhe plot pasion, e para duetin e Olimbisë me Kriston (me baritonin Ramiz Kovaçi) nga opera Lulja e Kujtimit e kompozitorit K. Kono dhe e dyta arien e Donikës nga opera Skënderbeu e P. Jakovës.
Shtojcë:
- Përshkrim i diskut që gjendet në dosjen e Gj. Kosturit në Arkivin Artistik të TOB
Në dosjen e nxjerrë nga arkivi i TOB është gjetur pikërisht një disk me po të njëjtin titull me atë të librit “Zonja me shpirt e operës shqipare” të Z. Këlliçit dhe N. Agollit, i cili në përmbajtje të tij ka një video (në formë dokumentari) kushtuar Gjyzepina Kosturit, ku në sfond dëgjohet intepretimi i një arieje nga vet ajo e shoqëruar me fotot e saj, artikuj gazetash dhe copëza momentesh nga opera ‘Madam Butterfly’, komente nga artdashësit si dhe falenderimet e familjes Kosturi.
Disku me titullin “Zonja me shpirt e operës shqiptare” në hyrje të tij, hapet me citimin e muzikantit Zhani Ciko, ku thuhet se “quhet Gjyzepina Kosturi zonja e veçantë e operës shqiptare për të mos dhënë një epitet që dikush do të habitej, por që për mua e meriton tërësisht”. Më tej flet edhe dirigjenti Mustafa Kantja në një intervistë për sopranon.
Shfaqet ë pas nga AQSHF një fragment nga opera “Madam Butterfly”, nën interpretimin e saj, të realizuar në vitin 1961.
Edhe mexosopranoja dhe mjeshtrja e korit Rozmari Jorganxhi, shpreh emocionet e saj në 70-vjetorin e Gjyzepina Kosturit “…më emociononte aq shumë sa qaja vërtetë në skenë…”.
Në fillim dhe në fund të videos shfaqet kopertina e librit.
Në përfundim të këtij dokumetari, familja Kosturi falenderon përzemërsisht të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij aktiviteti për nder të 95-vjetorit të Gj. Kosturit.

Gjyzepina Kosturi në koncertin jubilar të 20-vjetorit të Teatrit Operës dhe Baletit, Tiranë 8/12/1973, dirigjent M. Krantja

“Artistja e Merituar” Gjyzepina Kosturi gjatë interpretimit të aries së Donikës
nga opera “Skënderbeu” e kompozitorit P. Jakova

Gjyzepina Kosturi, këngëtare lirike
- Repertori
Repertori operistik dhe koncertor i Gj. Kosturit:
Opera “Rusallka” roli – Knjezna (princesha e huaj)– Dorgomizhskij (1953)
Opera “Evgjeni Onjegin” roli – Tatiana – Çajkovski (1959)
Opera “Kavaleria Rustikana” roli – Santuca – Maskanji – (1958)
Opera “Madam Baterflaj” roli – Çio-Çio San – Puçini – (1961)
Opera “Traviata” roli – Violeta – Verdi – (1956)
Opera “Nusja e shitur” roli – Ludmilla – Smetana – (1956)
Repertori koncertor
Aria ‘Kostadinës’ (opera “Norma” Belini)
Aria ‘Vissi d’arte’ (opera “Toska” Puçini)
Aria ‘La mamma morta’ (opera “Andre Chenier” Giordano)
Canto Tuoreg (Romancë)
Cosa che e l’amor (Romancë – V. Pietrini)
Tempo ma grigia attesa (Romancë – V. Pietrini)
Il Mura (Romancë – V. Pietrini)
Gjithmonë (Romancë – T. Harapi)
Aria e Donikës (opera “Skënderbeu” – P. Jakova)
O Sole Mio (traskriptuar për soprano – D. Capurro)
Kur vjen vjeshta (Romancë – Frenkel)
Aria e madhe (opera “Fuqia e Fatit’ – Verdi)
Aria ‘La Vally’ nga Catalani
Arie antike
Nevicata – O. Respighi
O’cieli azzurri – arie nga opera ‘Aida’ – Verdi.
Repertori koncertor i Gj. Kosturit ka qënë i pasur edhe me këngë popullore të përpunuara sidomos këngë shkodrane; si dhe me këngë arbëreshe[39].
32 romanca, këngë nga Balakierev, të shqipëruara nga Rexhai Kosturi (28) dhe (4) nga Nexhat Hakiu:
‘Mbi liqen’ – Balakirev
‘Shumë kohë kaloj’ – Balakierev
‘Deti nuk shkumon’ – Balakierev
‘Kur gruri i verdh’ valon’ – Balakiriev
‘Unë e kam dashtë atë’ – Balakierev
‘Plepi’ – Balakierev
‘Nokturn’ – Balakierev
‘Në mehanë – Balakierev
‘Në kopsht’ – Balakierev
‘Po shuhet perëndimi i zjarrtë – Balakierev
‘Stonelloi’ – Balakierev (shqipëroi Nexhat Hakiu)
‘Ëndrra’ – Balakierev
‘Kënga e trimit – Balakierev
‘Më përqafo’ – Balakierev
‘Barcarola’ – Balakierev
‘Këngë djepi’ – Balakierev
‘Dielli hëna e zbet’ – Balakierev
‘Kur ti vogëlushe lot e ç’kujdesur’ – Balakierev (shqipëroi Nexhat Hakiu)
‘Kalorsi’ – Balakierev
‘Për mua trim me famë’ – Balakierev
‘Eja tek unë’ – Balakierev
‘Eja pranë meje’ – Balakierev
‘Kënga e Selimit’ – Balakierev
‘Më ço o nat tinzisht’ – Balakierev
‘Melodia e Ebrejvet’- Balakierev (shqipëroi Nexhat Hakiu)
‘Ah! Kush mund të më pagoj?’ – Balakierev
‘Pse?’ – Balakierev
‘Shiko si peshqit rrojnë’ – Balakierev
‘Do ta kap rinin time’ – Balakierev
‘Zërin tend kur dëgjoj’ – Balakierev
‘Këngë Gregoriane’ – Balakierev (shqipëroi Nexhat Hakiu)
‘Ëndrra’ – Balakierev
[1]Ref. Slatina F. Portrete Artistësh, 55 x 2, Botimi i Gazetës 55, Tiranë 1999, f. 66.
[2] Gjatë kërkimit arkival në dosjen e Gjyzepina Kosturit, gjendet një disk me titull: “Zonja me shpirt e operës shqiptare” si dhe një kasetë me mbishkrimin “Gjyzepina Kosturi 70 – vjetori i lindjes, Tiranë 12. 6. 1982.
[3]Goce, B. Gjyzepina, sopranoja e persekutuar për shkak të Drita Kosturit, “Portret i artistes sipas të birit Volfangut dhe Zhani Cikos”, Gazeta “Panorama online” (Unë Gruaja), 24 Nentor, 2014. Referuar nga dosja me të dhënat: 12 Prill 1912 – 25 Janar 1985, Gjyzepina Kosturi (këngëtare lirike – soprano), Artiste e Merituar, Arkivi Artistik i TOB.
[4] Ibid.
[5] Ibid.
[6] Ibid.
[7] Kasoruho, A. Rexhai (Reks) Kosturi 05.05.1905 – 27.11.1968, Monopoli-Itali, 2006, shkrim i përfshirë në dosjen personale të Gj. Kosturit në arkivin e TOB (të cituar më sipër), me shënimin numër 8 me shkrim dore ku thuhet se ky shkrim është përgatitur enkas për librin “Zonja me shpirt e operës shqiptare”, nga disidenti Amik Kasoruho, publicist. Libri në fjalë është i autorëve Zamir Këlliçi dhe Nexhat Agolli, 2008.
[8] Zheji, Gj. Një Makth Gjysmëshekullor, Hylli i Dritës, Nr. 3-4 1994, Tiranë, f.141.
[9] Ibid.
[10]Ref. Shupo S. Enciklopedia e muzikës shqiptare, ASMUS, Tiranë, 2002, f. 72.
[11] Nga të dhënat e fotos origjinale, pjesë e dosjes së Gj. Kosturit në Arkivin Artistik të TOB, me shënimet: DP 26 dhe vulën e këtij Arkivi.
[12] Mile, A. Artikull mbi premierën e operës “Madam Batërflaj”, Gazeta “Shekulli”, 1. 02. 2007 (material i mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[13] Goce, B. Gjyzepina, sopranoja e persekutuar për shkak të Drita Kosturit, “Portret i artistes sipas të birit Volfangut dhe Zhani Cikos”, Gazeta Panorama online (Unë Gruaja), 24 Nentor, 2014. (material i mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[14] Nga të dhënat e fotos origjinale të dosjes së arkivit të TOB, të Gj. Kosturit me shënimet: DP 26 dhe vulën e arkivit të TOB.
[15] Ibid.
[16] Ibid.
[17] Gurakuqi. L, Brezat e këngëtarëve të Operas – Pionierët e artit operistik shqiptar, Gazeta 55, Art – Kulturë, 1 Gusht 1998, f. 14 (material i mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[18] Këlliçi Z, Aty ku jetojnë artistët e ikur…, revista “Kult” – Arkivi – 7 Shkurt (faqe e shkëputur nga revista Kult, me mungesë të vitit të botimit; material i mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[19] Emision në radio mbas vdekjes, shkurt 1985 (material i mundësur nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[20] Hajro. R, Nuk i bëra kurrë keq asnjë shpirti të gjallë… nxjerrë nga libri “Për të kujtuar një kohë”, viti 1998, f. 166.
[21]Shima, M. Jubileu i një muzikologu, “Kult”, 30.01. 2008 (material mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB)
[22] Ibid.
[23]Konkretisht, në dosjen e Arkivit të TOB, gjenden edhe mendime e konsiderata të artistëve të tjerë për të.
[24] Hajro, R. “Për të kujtuar një kohë”, f. 166, viti 1998.
[25] Dibra, Z. Bijat e Rozafës – gra të shquara të hapësirës shkodrane, Camaj-Pipa, 2004. (faqe e shkëputur nga libri në fjalë; material i mundësuar nga dosja e saj në arkivin e TOB).
[26] Harapi, T. “Artiste e shquar e artit skenik”, Gazeta “Drita”, 3 shkurt 1958.
[27] Truja, J. “Këngëtare me diapazon të gjerë”, revista “Skena dhe ekrani”, nr. 1/1958.
[28] Bala, F. “Në lulishtën e këngës shkodrane dhe të këngëtarëve”, Shkodër, 2000, f.85.
[29] Lazri, Gj. EN BRIEF/ Jam më në fund çeli në skenën e Operas Shqiptare “Flutura puçiniane” – Xhuzepina Kosturi, “flutura” e parë”, Gazeta Tema, Kultura, 2 Shkurt 2007, f. 21.
[30] Ibid.
[31] Mungon autori, Gjyzepina Kosturi, një “Prima Dona” shqiptare – Gjyzepina Kosturi në rolin e “Madam Baterflaj”, gazeta ABC, “Kulturë”, 13 Nëntor 2006, f. 12.
[32] Ibid.
[33] Ibid.
[34] Ibid.
[35] Ibid.
[36]Goce, B. Gjyzepina Kosturi – “rrëfimi” në 95-vjetorin e lindjes, Gazeta Metropol, Kulturë, 17 shkurt, 2007, f. 18.
[37]Ibid., Me rrënjë te Marubët…
[38] Gazeta “Shqiptarja e re”, nr.2, 1974, f. 28, “Veteranet e Operas përsëri në skenë”.
[39] Në dosjen personale të hulumtuar në arkiv, përkatësisht dosja me të dhënat: 12 Prill 1912 – 25 Janar 1985, Gjyzepina Kosturi (këngëtare lirike – soprano), Artiste e Merituar, Arkivi Artistik i TOB, gjendet edhe ky repertor operistik dhe koncertor i Gjyzepina Kosturit me një shenim në fund të fletës të shkruar me dorë, ku thohet se: nxjerr nga dosja personale me parte Gj. Kosturit që më pruri në arkiv Gjovalin Lazri (me të drejtë kthimi) shkurt 2007, mendojmë se firma në fund është e punonjësit të arkivit Zamir Këlliçit.