lindi 1951 në Durrës – ndërroi jetë në 2005. Punonte me mediumet e tekstilit, pikturës, vizatimit dhe instalacionit. Kreu studimet në vitin 1973, në Universitetin e Arteve, ku diplomoi për pikturë në specialitetin e tekstilit. Nga viti 1998 deri 2005, ajo punoi si mësimdhënëse e artit në Liceun Artistik Jordan Misja në Tiranë.
Dëshira e Dianës për të ndjekur rrugën e artit ishte personale por e pranuar dhe e mbështetur nga familja. Gjatë fëmijërisë dhe rinisë së hershme mori pjesë në rrethet e vizatimit, siç quheshin në atë kohë, në qytetin e saj të lindjes, Durrës. Më pas ajo vazhdoi studimet e larta në Akademinë e Arteve, në degën Tekstil ku dhe u diplomua në vitin 1972-1973. Sipas rregullave të kohës, tekstili ishte një degë që ju paracaktua por që edhe u mirëprit prej saj1. Kësaj dege së cilës artistja do t’i përkushtohej aq shumë, do të kthehej në mediumin kryesor të praktikës së saj.
Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve, sot Universiteti i Arteve, punoi tek byroja e projektimit pranë Fabrikës së Sixhadeve, Kavajë si dizenjatore e modeleve të qilimave, kryesisht për eksport. Në vitin 1973 transferohet në Tiranë ku caktohet mësuese vizatimi pranë shkollës “Mihal Grameno” dhe tek “Rrethi i Arteve Figurative” pranë Pallatit të Pionerëve. Në të dy rastet ka dhënë kontributin e saj duke përgatitur dhe nxitur breza nxënësish drejt rrugës së artit pamor. Pas një periudhe krijimtarie jo shumë të frytshme, në mungesë të një ambienti atelier, merr për disa vite me radhë “Leje-n krijuese” dhe realizon disa vepra, kryesisht vaj në telajo. Shumica e tyre janë dhuruar dhe nuk ka një dokumentim të saktë, përveç një portreti të djalit të saj.
Ajo ishte tepër e lidhur me artin dhe e quante pjesë të identitetit të saj, ndërsa punën në mësimdhënie e konsideronte si profesion. Krjimtarinë artistike e ka patur pjesë të pandashme dhe formë shprehjeje të mendimeve dhe ndjenjave, sidomos në vitet e vështira të komunizimit, ku kjo gjë nuk ishte e lehtë. Po ashtu edhe më vonë pas ndërrimit të pushteteve, kohët ishin të trazuara dhe për të arti ishte një veprimtari kuptimdhënëse dhe në të njëjtën kohë dhe çliruese. Me ardhjen e demokracisë, artistët gjetën më në fund LIRINË, duke u çliruar nga dogma figurative që impononte Realizmi Socialist. Artistja solli në fokus të praktikës së saj, intuitiven2 dhe largimin nga format klasike të kompozimit në radhë të parë, si dhe implementimin në planin teknik. Arti i saj i pas viteve ‘90 ishte i prirur drejt improvizimit, ku ajo besonte se disa momente ishin më frymëzuese në raport me disa të tjera, dhe për rrjedhojë, përgjithësisht nuk hidhte idetë në skica, kroki, bocete etj. Si pasojë e spontanitetit të saj, pati periudha krijimtarie frutdhënëse si dhe të tjera më pak të tilla.
Ndryshimet e viteve ‘90, sollën dhe një zhvillim të ri në praktikën e saj krijuese që u reflektua edhe tek vepra e saj. I rikthehet tekstilit tashmë me një perceptim të ri kompozicional, ku tipari dallues nga pikëpamja e konceptimit është tendenca krijuese drejt abstraksionit gjeometrik3 të lirë dhe atij më organik4.
Sa i përket teknikës, krijimet e kësaj periudhe janë të krijuara me materiale të varfra organike dhe shpesh herë të përdorura më parë (kryesisht si ambalazhe) ose të mbetura nga industria e para viteve ’90. Duke marrë parasysh që në vitet e tranzicionit në Shqipëri kishte mungesa të mëdha në materiale e mjete për realizimin e veprave në tekstil, artistja u shty të përdorte materiale të mbetura nga industria e tekstilit të periudhës së komunizmit, por edhe t’i përziente ato me materiale që mbeteshin nga produktet e importit, si thasë kafeje, orizi5, fije te ndryshme pambuku, leshi, lini6, etj. Një pjesë e tyre ngjyroseshin manualisht për të arritur koloritin e nevojshëm7. Si rrjedhojë, shumë prej veprave karakterizohen nga një qasje ricikluese dhe ripërdoruese. Në shumë raste artistja ka realizuar thurje me grep me fije/fibra pambuku, frymëzuar nga teknikat tradicionale popullore, duke i përdorur ato në realizimin e imazheve me frymë moderne e bashkëkohore. Këto aplikime mund të përmenden si një vlerë e re e shtuar në veprimtarinë e saj krijuese.
Idetë dhe kompozicionet e saj në tekstil ishin krijime të çastit, ndijore dhe dekorative, të cilat kryesisht nuk ndiqnin tematika konkrete. Kompozimi i veprave lidhej ngushtë me materialet e përdorura, dhe si e tillë ndjesitë që i jepte materiali dhe loja midis materialeve kishin ndikim vendimtar në veprën përfundimtare8.
Të qënurit familjare dhe nënë, kanë ndikuar që krijimtaria e saj të kishte periudha më pak aktive. Megjithatë, ajo gjithnjë e gjente kohën për të krijuar. Familjarët e saj e kujtojnë atë çdo ditë duke punuar, qoftë edhe diçka të vogël. Shumica e veprave të saj janë realizuar në ambientin e shtëpisë, i përshtatur si studio, ku të gjithë pjesëtarët e familjes përfshiheshin në procese të ndryshme për prodhimin e materialeve të nevojshme për tekstil: si krijimi i fijeve prej leshi, çtjerrja e thasëve, ngjyrosja e tyre, struktura mbështetëse për të qëndisur etj. Inovacion ishte përdorimi i materialeve të çfarëdoshme, të gjendura edhe rastësisht, të cilat ajo me kreativitet i përshtaste dhe i transformonte sipas nevojës. Çdo punim i saj në tekstil realizohej pa ndihmën e asnjë lloj makinerie, tezgjah, por kishte përshtatur struktura ndihmëse (tip gjergjefi) tek të cilat mbante copat të cilat i thurte. Thurja kryesisht bëhej me gjilpëra të mëdha, deri në 15 cm të gjata, të krijuara nga vetë ajo dhe me ndihmën e bashkëshortit, kryesisht me fije leshi. Disa prej krijimeve në tekstil, të realizuara kanë si bashkëautorësi dhe bashkëshortin e saj, Fatmir Miziri, i cili gjithashtu është artist.
Rreth vitit 1995 puna krijuese vijoi në studio. Në këto vite të fundit filloi te eksperimentonte me teknika te tjera, duke krijuar vepra në instalacion, ku vlen të përmendet ndërthurja e tekstilit me teknikën e adezivit në xham9 apo krijimi i siluetave në negativ filmi10, të cilat do të projektoheshin në mur. Eksperimentoi edhe me struktura të vogla metalike të ndërthurura me tekstilin, të cilat mbetën të papërfunduara dhe të paekspozuara11.
Ka qenë pjesë e shoqatës së artisteve gra “Lindart” dhe ka marrë pjesë në shumë prej ekspozitave të organizuara prej saj. Gjatë viteve 1984-2001 mori pjesë rregullisht në ekspozita kombëtare të Tekstilit, në konkursin Onufri, dhe në ekspozita ndërkombëtare të tekstilit në Zvicër, Itali, Francë e Gjermani.
Nga viti 1998 dha mësim në lëndën e vizatimit dhe pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja” deri sa u nda nga jeta në vitin 2005.
Teksti u shkrua nga Adela Demetja.
Riperteritje 2025
Diana (1951–2005) dhe Fatmir Miziri (l. 1950) janë një nga çiftet më të spikatura dhe aktivë të skenës së artit shqiptar. Që prej periudhës 1969–1973, kur u takuan gjatë studimeve në Institutin e Lartë të Arteve, ata ndanë jetën dhe shpesh edhe praktikën e tyre artistike. Të dy i përkasin brezit të parë të studentëve të programit të reformuar që përfshinte specialitete të arteve të aplikuara si tekstili, qelqi, qeramika, grafika etj. Ky model studimi, i udhëhequr nga profesorë si Danish Jukniu dhe Thoma Thomai—artistë që kishin studiuar jashtë Shqipërisë dhe sollen atje eksperiencën e tyre—ishte i ngjashëm me sistemin e Bauhaus-it dhe synonte të përgatiste artistë që më pas do të kontribuonin në industrinë vendore të prodhimit.

Diana u diplomua si piktore në specialitetin e tekstilit, një degë që i ishte caktuar në fillim pa dëshirën e saj, por që do të bëhej mediumi i saj i preferuar deri në ndarjen nga jeta në 2005. Fatmiri u diplomua si piktor në specialitetin e qelqit dhe vazhdoi të punonte me dizajn industrial, dizajn grafik, skenografi-kostumografi, tekstil dhe arte të aplikuara me materiale të forta.

Pas ardhjes së demokracisë, artistët gjetën lirinë duke u çliruar nga dogmat figurative të realizmit socialist, dhe përjetuan një shpërthim krijues gjatë viteve ’90. Në 1992, Diana dhe Fatmiri hapën ekspozitën e përbashkët me tekstil dhe skulpturë në Galerinë Kombëtare të Arteve, me punë të krijuara nga fundi i viteve ’80 deri në 1992.

Ekspozita “RIPËRTËRITJE” na jep mundësinë të shohim veprat e Dianës dhe Fatmirit të vendosura pranë njëra-tjetrës, 32 vjet pas ekspozitës së tyre të vitit 1992. Ajo përmbledh tekstile nga Diana Miziri, të krijuara gjatë viteve ’90, dhe objekte nga Fatmir Miziri, të realizuara në vazhdimësi nga vitet 1995 deri sot.

Kjo ekspozitë, përveçse sjell veprat e mrekullueshme të dy artistëve kryeqytetas me karriera të spikatura, i bën jehonë fuqisë ripërtëritëse të artit: aftësisë së tij për t’u gjallëruar dhe përçuar përmbajtje të reja sa herë që ekspozohet. Titulli i ekspozitës i referohet gjithashtu mënyrës së punës së të dy artistëve, të cilët kombinojnë materiale të gjetura dhe të ricikluara në veprat e tyre. Ekspozita nxjerr në pah edhe historinë unike të këtij çifti, i cili punoi bashkë dhe mbështeti vazhdimisht praktikën e njëritjetrit, përtej konkurrencës. Fatkeqësisht, Diana u nda herët dhe papritur nga jeta në 2005, dhe veprat e saj janë ende pak të njohura për brezat e rinj.

Diana Miziri lindi në 1951 në Durrës dhe studimet i kreu në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e pikturës në specialitetin e tekstilit, dhe u diplomua në 1973. Pas diplomimit, punoi si dizenjatore qilimash në Byronë e Projektimit pranë Fabrikës së Sixhadëve, Kavajë. Më pas u transferua në Tiranë, ku u bë mësuese vizatimi në Shkollën “Mihal Grameno” dhe më vonë në Liceun Artistik “Jordan Misja” deri në 2005. Pas ’90, punoi me mediume të tekstilit, pikturës, vizatimit dhe instalacionit dhe u orientua drejt abstraksionit gjeometrik dhe organik të lirë, me vepra që karakterizoheshin nga riciklimi i materialeve dhe teknikave tradicionale popullore në frymë moderne. Ka qenë pjesë e shoqatës së artisteve gra “Lindart” dhe ka marrë pjesë në shumë prej ekspozitave të organizuara prej saj. Diana u nda nga jeta në 2005.

Fatmir Miziri lindi në Gjirokastër në 1950 dhe u diplomua për pikturë në specialitetin e qelqit, në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në 1973. Pas viteve ’90, praktika e tij multimediale — që përfshin vitrazh, mozaik, pikturë, tekstil dhe skulpturë — reflekton transformimet e periudhës post-komuniste. Ai ka eksperimentuar me materiale të ndryshme, përfshirë metale dhe materiale të gjetura, dhe ka qenë pjesëmarrës aktiv në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga 1998, ka qenë Dekan e Shef i Departamentit të Arteve të Bukura dhe drejtues i Atelies së Pikturës Monumentale në Universitetin e Arteve, duke frymëzuar breza të rinj artistësh.

Adela Demetja, kuratore dhe autore e lindur në Tiranë, ka mbaruar studimet Master në “Curatorial and Critical Studies” në Städelschule dhe Universitetin Goethe, Frankfurt/Main, Gjermani. Nga 2010 është drejtoreshë e Tirana Art Lab – Qendra për Artin Bashkëkohor, institucion të cilin e themeloi. Në Bienalen e 59-të të Venecias, ajo kuruoi Pavijonin Shqiptar të përfaqësuar nga Lume Blloshmi.
RIPËRTËRITJE është një bashkëpunim i Tirana Art Lab dhe Galerisë së Artit Tiranë, dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
