“Zogjtë as nuk mbjellin, as nuk korrin
zambakët as nuk mbjellin, as nuk tjerrin, as nuk thurin
këndonin shtegtarët
teksa prisnin Birin e Njeriut për shtegtimin e gjatë
te tempujt e Jerusalemit të ri
Pastaj Isaia
iu kthye sermonit tjetër
Bekuar qofsh ti që nuk e ke mjeruar njeriun e zotit në nevojë, dhe,
kur ai të ka trokitur në portë, ia ke hapur
bekuar qofsh dhe ti që nuk ia ke grabitur virgjëreshat
familjeve njeri pa njeri
Ishte viti i Jubileut të Madh
viti i Pajtimit dhe i Larjes së mëkateve
Gjatë gjithë kësaj jave, para shtegtimit të madh
ata ua kishin falur borxhet e vitit njëri-tjetrit
kishin fshirë kamatat e pashlyera të defterëve
dhe regjistrat e supermarketeve të getove elektronike
Ata që nuk flisnin me njeri-tjetrin, ishin pajtuar
ata që ua kishin grabitur tokat të tjerëve me mujshi, intriga dhe fajde, ua kishin kthyer
dhe i kishin lënë dyert e shtëpive të tyre të hapura për të gjithë nevojtarët
Që kalojnë atypari
Kur ranë te hijet e pemëve të lumit Jordan, ata ishin me qindra
pastaj, në mesditë, ia behën shtegtarët e tempullit të Delfit
( Ata që lahen me ujërat e shenjta të burimit të Castalias
ku pinte ujë Pitia, para orakujve të saj)
më vonë, ia behën shtegtarët benediktinë të lumenjve Po e Tibër
kurse pak para muzgut, ia behën shtegtarët e katedrales së Compostelës me mushkat e Guadalkivirit plot e përplot me zahire e
mandolina
kurse, në mbrëmje vonë, nga kurrizet e kodrinave zunë të zbrisnin përrenjtë e shtegtarëve të lumit Potomak
të distriktit Columbia
2
Ishte Jubileu i Madh dhe shtegtarët e të gjitha viseve, tabiateve e profecive
ishin drejtuar te tempulli i tempujve
Si ra nata, ndezën zjarret, shkundën mësallat
dhe i shtrinë rreth e rreth vëllazërive të reja që krijoheshin aty për aty
me ndonjë pipzë, mandolinë a fyell në qendër
dhe hapën torbat e ushqimeve ….
Shtegtarët e Delfit me tunika të lehta apo ato të maleve të Pindit me zhgune dhish e sakica kleftësh në brez
ishin kashtisur me përrenjtë e shtegtarëve të bogomilëve të paepur a ato të husitëve kokëshkretë
të franceskanëve të Asisit apo të kastanjetave të Guadalkivirit
në kurrizet e kodrinave të Jerikos e Betonias
të Jerusalemit të Ri
Kishin mbetur pa fjalë:
Teksa ngjiteshin në kurrizet e Galilesë, para muzgut
kishin vënë re se gjethet e fiqve fëshfërinin, po kokrra nuk kishin
gjethet e ferrave nuk kishin kokrra
madje, edhe bistakët e rreshkur të ullinjve, deje-deje,
ngjasonin me sisat e deleve shterpa
Gjithsecili përtypej në muzgjet e heshtjes së vet, rreth zjarrit
Të vetmit që mund të shpjegonin ndonjë gjë rreth fiqve pa kokrra
ishin shtegtarët e qytetit të shenjtë të dikurshëm ose shtegtarët e gjindjes rreth lumit të largët Potomak
që seç thonin për G-&-tën, inteligjencën artificiale dhe UFO-t
duke pëshpëritur
Pastaj pëshpëritjet zunë të fryhen e të përhapeshin rreth zjarreve të tjerë që zbrisnin nga kurrizet e kodrinave drejt lumit
dhe zunë të thonin se Tempulli nuk ishte më ai i pari
ai që kujtonin naivët se ishte
e as ai që kujtonin ata që kujtonin se nuk ishin naivë
Ju s’e besoni, po te Tempulli
Ungjijtë edhe sermonët janë bërë lesh e li
paragrafët e katekizmit të etërve tonë kushtetues ka kohë që po lexohen së prapthi dhe formulës së pagëzimit i kanë vënë brirë
kurse këshillin e lartë të sinedrit e kanë zaptuar disa hije që telekomandojnë bedelët e politikës dhe ekraneve
po që nuk i sheh askush
dhe vendin e pëllumbave të Birit të Njeriut e kanë zënë shqiponjat e apoteozave të të vdekshmëve
që besojnë se janë zota
që bubullijnë
madje, dhe armiqtë e rinj tani i prodhojmë vetë
i stërvisim me taktikat tona të luftës, i dendim me ëisky, çokollata e video të droguara
dhe pastaj i hedhim në kontinentet e diamanteve, floririt e metaleve të rënda
dhe pastaj i shpallim terroristë
Po ka akoma dhe më keq
Ja, edhe vetë papa po i bekon çiftet homoseksuale
burrat ka kohë që po bëhen gra, ose gjysëm gra, ose çerek gra, ose në mëngjes grua, në drekë gjysëm burrë, në darkë si të ndjehet
Mosozotmosozotmosozot
Gratë po bëhen burra ose gjysëm burra ose çerekburra dhe dashurohen e puthen nëpër studio televizione me robotë nën
duartrokitjet e marionetave
në përputhje të plotë me axhendën Gender
që po financon partitë politike, parlamentet, gjykatat, sinodet, testatat televizive, gazetarët, opinionistët, analistët, influencierët,
formatet e debateve
dhe parlamentet
Prite, prite
Kur të shohim në ndonjë ekran lindjen e fëmijës së parë të një femre humanoid
ose të një mashkulli humanoid
me një robot hemafrodit të eugjenistëve të Elon Maskut
Ruajnazot
Ruajnazot
Ruajnazot…
Pastaj, ca nga ca i zuri gjumi
Nën hijen e fiqve të Birit të Njeriut
3
Dielli i Jubileut të madh kishte zënë e po treste vesën e e qerpikëve të parë të agut
dhe shtegtarët zunë e po tundnin njëri-tjetrin nga bërryli
nën hijet e hënës që po fikej
Ja tek po zgjohen e po zhveshën kapuçët e natës
e pas pak nisën të mbërthejnë ushkurët e rripat e manteleve
pastaj hodhën torbet supeve, morën bokshet e gamiljeve, mushkave e gomerëve e shkopat nyje-nyje
dhe u nisën
Me stapin e bariut në dorë
printe Eremia, Isaia, Ezekieli, Danieli
Biri i Njeriut çapiste pas tyre i rrethuar nga lypësit e Galileas, leprozët, fshesaret e Kostandinopojës, prostitutat e Pigalit, barbonët
e shtëpive të kartonit të Harlemit që përtypnin fara luledielli
Ja dhe një kodër me ullinj
Ja dhe një kodër tjetër
Pas pak do të shfaqeshin konturet e mureve ciklopikë të tempullit
pastaj bedenat, heshtat e truprojeve
pastaj rruga e shenjtë që të çonte te hyrja kryesore
te ajo me portikun e dymbëdhjetë kapiteleve të veshur me ar
ja dhe kuadratet e taracave me bronxin vetëtitës ku ulen pëllumbat
ja dhe taraca tjetër e hollit të grave, pastaj ajo e sallonit të Nazaretinëve
ca më lart, ja ku duket salloni i Vajrave të shenjtë dhe Verërave
vestibuli i sallonit të Shenjtë, pak më lart
dhe pastaj vetë Arka e Shenjtë,
ajo që mban pllakat e Moisiut, mananë dhe stapin e Aaronit
Atje, më në thellësi, nën dritën verbuese të Hyjnisë
ishte veli i artë i tabusë mijëravjeçare
ai vel që e ndante Hyjninë nga njerëzit e vet e që Biri i Njeriut e ndau më dysh me një vështrim
dhe çdekretoi pushtetin e tabuve
4
Ec e ec
Ec e ec
Dhe ja, teksa zbrisnin poshtë nga kurrizet e shtatë kodrinave të Campidolios
panë kupolën verbuese të tempullit të gjithëpotershëm
të mitit të Jerusalemit te ri
E soditën për pak çaste
Të nemitur
Pas pak ranë poshtë e u përhapën në perimetrin e gjerë të zallit të lumit
e nisën të zhvishen për larjet e tyre të shenjta
pastaj u përhapën në qytetin e madh të tezgave dhe supermarketeve për harxhet e tyre
të rrethuar nga kërshëria e gjindjes
pa e ditur që po skanoheshin dhe po klasifikoheshin nga satelitët dhe akrepat e algoritmave
secili sipas sasisë së parave që kishte me vete
Ishte Panoptikoni
Shtegtarët s’ia kishin idenë
teksa e shihnin renë e tij që hepohej sa majtas djathtas mbi qiellgërryesit e metropolit
kujtonin se qe smog
Pastaj, me thasët plastikë të zahireve mbi shpinë
u kthyen sërish te zalli i përrenjve
në pritje të Jubileut të madh
në vitin e Mëshirës së zotit
bekuar qofsh ti që nuk ke mjeruar njeri dhe ti që nuk ke rrëmbyer tokat e të tjerëve,
ti që nuk ua ke ulur mëditjet punotorëve
dhe ti që nuk ua ke rritur orët e punës duke i trembur se do t’i nxjerrësh në rrugë të madhe
Bekuar qofshi ju
për jetë të jetëve
Dhe pastaj, nën fjollat e lehta të temjanit që digjej përreth lutjeve të tyre
u nisën:
Ishte një vargan i gjatë aq i gjatë sa që nuk ishte parë ndonjëherë
dhe, si të zotët e shtëpisë që ishin,
barbonët e metrove dhe blloqeve të magazinave të getove me mizanskena shtëpish kartoni
dolën të parët.
Dhe ja
pak para se t’i aviteshin temenosit të tempullit
mbajtën hapat:
Para tyre , lart, panë për herë të parë policët plastikë dhe helmetat C7 të inteligjencës artificiale…
Ishte policia kibernetike e tempullit, shpjeguan barbonët e mizanskenave të kartonit
s’ke çi bën, nuk e dinit, po kudo jemi të kontrolluar nga satelitët dhe radarët e Panoptikonit që raportojnë në kohë reale për të
gjithë ne
as dhe vetë ne nuk e dimë se çfarë dreq valësh e atomesh na depërtojnë në trup
dimë vetëm se jemi alergjikë dhe kruhemi, kruhemi vazhdimisht
Ja dhe tempulli
Që ngrihej pak nga pak,teksa ecnin drejt tij
Por dhe dukej, dhe nuk dukej si tempull:
Rruga e shenjtë që ngjitej lart ishte e mbushur me kulla që ngjasonin me babilonin imagjinar
atje janë strofullat e lobistëve të shumëkombësheve, shpjeguan barbonët, këta vijnë të të parët
Pastaj, sipas rëndësisë
vijnë sarajet e sheikëve të naftës
pastaj sarajet e sheikëve të diamantëve me njëmijë hyritë e tyre
ec e ec
dhe ja
më në fund fare, po në periferi, ishin vilat e lobistëve të diktaturave
të rajoneve rrufjane
të atyre që fryhen si kacagjelë para elektorateve të veta
(Këta, s’duan ndonjë gjë të madhe, shpjeguan barbonët
po vetëm ndonjë foto njëqindmijë dollarëshe me kandidatët e fushatave elektorale ose, me ndonjë presidentët, po pa i dhënë as
dorën këtij të fundit, se kjo do një milion kokërr më kokërr,
të keqen vëllai im ty)
Ja dhe hyrja e vizitorëve
Hyrjet e tjera janë të mbrojtura me rreze lazer, thanë barbonët, ka shkallë që zbresin poshtë, shkallë që ngjiten lart,
shkallë që shpërndahen anash e askush s’e din kush hyn e kush del që andej, as që mendohet, pooor, por, dhe kur dikujt nga
presidentët i merr koka erë
dhe tenton të zbresë në territoret e misterrit
del sakaq dikush me kartelë dhe e vret mes njëqindmijë truprojave të veta
Tempulli edhe ishte
Edhe s’ishte tempull:
P.sh., atje ku duhej të ishte salloni i Madh i vajrave dhe i Verërave të shenjta
tani ishin ngritur studiot e kuratorëve, masaxhatorëve dhe terapistëve të imazhit
si dhe laboratorët e distopive, histerive kolektive, transhumanëve
sidhe ato të zëvëndësimit të gjuhës me ikona
si fj.vj.
emoji a pittogramma
Atje ku dikur kishin qenë oborri i bujarëve, në njërin krah
dhe oborri i grave në krahun tjetër, me sallonet e tyre të purifikimit
tani gjendej dhoma e ulët dhe dhoma e lartë e sinodit të shenjtë me telepromterat përkatës
për fjalimet e radhës
Po edhe vetë dhomat
ndaheshin në dy pjesë të barabarta për secilën nga partitë politike
atje ku flitet e flitet pambarimisht
po secili dëgjon vetëm predikatorët e vet
dhe është kategorikisht e ndaluar të dëgjosh predikatorët e krahut tjetër
Më lart,
ja ku e keni dhe Altarin e shenjtë të flijimeve
po tani as që bëhet më fjalë për flijime simbolike qingjash e pëllumbash –
këto rite qesharake
Altarin tani e menaxhojnë molokidët e kompanive të prodhimit të armëve dhe
SHPK-të e fabrikimit të armiqve rajonalë, kontinentalë dhe kozmikë
altarë tani kemi qytetet dhe parqet dhe spitalet dhe kuartalet e dhe kopshtet e fëmijëve të qyteteve armike
mbi të cilët tani aplikohen bombardime tapet
naaaa fushë ta bëjnë humanizmin tënd raketat hipersonike
thanë barbonët
Disa hapa më tej dhe, ja
po i afroheshin qendrës së tempullit
Mbajtën këmbët
S’po u besonin syve të vet:
Atje ku duhej të ishte Arka e Shenjtë e Ligjeve dhe kerubinët
tani ngriheshin muret e lartë të Ëall- Streat-it dhe boaboat e billbordeve dhe reklamave me rrezatime epileptike
kurse te rotonda
te kjo rotonda që është në qendër të qendrave të etërve tanë kushtetues
edhe ishte, dhe nuk ishte kriptë, thanë burbonët
ja, ngrijeni kokën lart e shihni
te afresket e kupolës s’ka më Mikelanxhelo me skena hyjnore
po mizanskena nga jeta e etërve të vdekshëm te tempullit që aty hyjnizohen
Dhe, po të dalësh jashtë e të shohësh, ja, ja ku duket
sipër kupolës, siç e shihni, është shqiponja, –
shqiponja e apoteozave të Romës imperiale që fluturon lart e më lart
nëpër skutat e pafund të kolonizimit të galaktikave
Shqiponja, pra, që i bën të vdekshmit të perëndishëm
si perandorët romakë
5
Shtegtarët e dinin:
Mbi Arkën e Shenjtë
Atje ku edhe vetë kryeprifti madhor hynte një herë në vit
vetëm për vetëm me Hyjin
atje pra, mbi flatrat diellore të kerubinëve
duhej të zbriste nga lart veli qiellor që ndante tokësoren
nga hyjnorja
Ishte bash ai vel, që Biri i Njeriut e ndau në dysh
dhe çdekretoi tabunë
Por, ata sërish s’po u besonin syve
dhe shihnin shoshoqin me mosbesim:
Pothuajse në të njëjtin vend
tani ngrihej reja e lartë e Panoptikonit digjital-
një pelte pa ngjyrë që herë fryhej e herë shfryhej
teksa përtypte eshtrat dixhitale të informacionit
Frymonte
Hera herës ajo hapej mbi qiellgërryesit kontinentalë si elbazeja e bishtit të një fazani –
dhe sakaq, atje lart, xixëllinin miliona e miliona sy veshtullorë
që hipnotizojnë gjindjen e metropoleve
Elbazeja regëtinte
Heraherës hepohej e palosej më dysh ose më katërsh
heraherës dukej sikur po shfryhej si tollumbace e do të binte sakaq në trotuar
heraherës dukej sikur këputej në mes e, ja, për pak desh ra në Avenunë e Shtatë
Por ajo ngrihej sërish
dhe me kokërdhokët e saj pa qerpikë shihte përreth, mospërfillëse
teksa përtypte online
BIG DATTA
Poshtë
Nëpër bodrumet e tempullit
Të dhënat përpunoheshin sërish, pastaj transmetoheshin online tek entet e pafund,ose dhe stampoheshin sipas nevojave
të dhënat më të fundit
të shijeve tona kulinare, modës, spektakleve, shoë-bizit
orientimet tona seksuale,
orientimet tona estetike
orientimet tona politike,
për kë kemi votuar herën e fundit e për kë do të votojmë kësaj radhe
çfarë menticidesh duhen përdorur për trullosjen e poetëve, shkrimtarëve e përgjithësisht rebelëve
cilat do të ishin psikopandemitë e reja që mund të marrin vota më shumë dhe që, gjithsesi
do të mund të zëvëndësonin esesët e pandemisë naziste
etj.
etj.
Pastaj, sipas kërkesave të biznesit
bëhej klasifikimi i klientelës, grafikët, pikat e dobëta të tregut, pikat e forta të picave me karkaleca fushe apo mishit sintetik
Tabela e klasifikimit ,zakonisht, kishte 70 kategori
Sipas sasisë së shpenzimeve ditore
( Kuptohet, përjashtoheshin nga klasifikimi priorët e Edenit)
Në krye
zakonisht në vendin e parë
dilnin pothuajse gjithnjë aristokratët e përdhunimit të engjëjve –
njëqindmijë dollarë shpenzime në ditë për agjensitë e specializuara të blerjes së jetimëve të Indokinës, plus faturat e çarterave të
transportit të presë, plus shepzimet për personelin e ishujve, pastaj shpenzimet ditore për kështjellat e orgjive të ishujve ofshore,
pastaj shpenzimet ditore për mbrojtjen e privacisë së ishujve…
poshtë tyre, zakonisht, vinin shpenzimet e kuklusklanit të kartelit të luftës
më poshtë karteli i prodhimit të pandemive
etj. etj.
(Zakonisht, në fund të tabelës gjendeshin getot e të pastrehëve dhe të papunëve që shpenzonin rreth 3 dollarë në ditë, ose më keq,
kurse në fund fare ishin 47% e të pastrehëve të Kalifornisë – vendit të katërt më të zhvilluar të globalistëve)
Dje, siç e thamë
shtegtarët qenë shpërndarë në Nju – Jork për shpezat e domosdoshme dhe pastaj ishin kthyer në zallet e përrenjve rreth tempullit
në pritje të Jubileut
Por vetëm barbonët e Nju-Jorkut e dinin që ata po klasifikoheshin pa e ditur
dhe njëri syresh- jo vetëm kureshtar
zbriti sakaq nën katet e poshtme të tempullit
dhe atje stampoi vetëm tabelën e klasifikimit të një ditë më parë
Kur pa tabelën
Fërkoi sytë
Po
Po
Shtegtarët i kishin klasifikuar që ç’ke me të dhe i kishin plasur te mbeturinat
dmth te ata që shpenzonin një dollar në ditë
Barboni u ngjit me shpejtësi lart
Pas pak ai zuri të çante me bërryle gjindjen që rrethonte Qingjin e zotit, hapi rrugën e iu drejtua atij me tabelën e stampuar në
dorë
Dridhej
“Ëaste, tha
Na kanë klasifikuar Ëaste”
MBETURINA
Një heshtje sipërane
Sakaq, Biri i Njeriut po lexonte
pastaj ngriti sytë nga elbazeja e Panoptikonin që regëtinte me gushën e saj të argjendtë
teksa përtypej me nofullat e algoritmave
Pastaj Biri i Njeriut zgjati dorën anash, në zbrazëtinë e qiejve
E për një çast u duk sikur ngrinë sakaq satelitët, radarët dhe platfomrat qiellore të enteve koloniale
Së lartmi
në dorën e Birit të Njeriut
zbriti kamxhiku që ai kishte rrëmbyer dymijë vjet më parë
për të përzënë fajdexhinjtë nga tempulli…
Zogjtë as nuk korrin, as nuk mbjellin
as orkidet
durrës, dhjetor-janar 2024

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *