Sa jeni të gatshëm të bëni kompromis për të ruajtur martesën tuaj? Në rastin e “Çifti i hapur” mesa duket shumë.
Vepra e shkruar nga autori fitues i çmimit Nobel, Dario Fo dhe gruaja e tij, Franca Rame, erdhi premierë mbrëmjen e së enjtes në teatrin e Durrësit, me regji të Sulejman Rushitit.
Gjithçka fillon me çiftin: burrin kontabilist dhe gruan e tij, Antonia, një shtëpiake në depresion.
Ajo kërcënon me vetëvrasje për shkak se burri e tradhëton. Ky i fundit, me pretekstin se do të shpëtojë martesën, tenton ta bindë që të hyjnë në një “marrëdhënie të hapur” dhe nuk e kupton pse nuk mund të ketë edhe grua, edhe të dashur. Kjo deri në momentin, kur edhe gruaja i bën të njejtën gjë.
“Në këtë pjesë është vënë theksi në raportin ballkanik do thoja. Pra, si do të funksiononte ideja e çiftit të hapur në raportin ballkanik, në një ambient maskilist”, është shprehur regjisori Sulejman Rushiti.
“Ne jemi dëshmitarë, për fat të keq, që për shkak të raporteve të tilla regjistrohen edhe viktima, pra prej kësaj qasjeje, prej dominimit të mashkullit”, tha ai më tej.
“Sigurisht që ne këtë duam ta përcjellim përmes satirës dhe humorit, përmes asaj që teatri e ka si strumbullar në qenien e vet, në ekzistencën e vet, që është ‘sikur’-i”, shtoi ai.
Po si vjen ky version modern i çiftit në realitetin ballkanik?
Këtë na e tregon Romir Zalla dhe partnerja e tij në jetë e në skenë, Suela Bako.
“Vepra është e ndarë në dy gjysma, ku në njërën pjesë ajo është e rrënuar dhe ai në kulmin e lulëzimit prej marrëdhënies me femra të tjera, ndërsa në pjesën e dytë ndërrohen portat, ai fillon të rrënohet dhe ajo e rimerr jetën e saj në dorë”, tha aktori Romir Zalla.
“Unë them që këtu e gjejnë veten të gjitha. Besoj që të gjitha në një moment të jetës jemi lënduar. Të martuarat e kanë edhe më të vështirë, sepse kanë përgjegjësi më të mëdha, sepse janë fëmijët, familja dhe duhet ta mbajnë lidhjen me zor, sepse kanë edhe opinionin, mentalitetin. Ndodh kështu dhe për një vajzë të re, që duhet të qëndrojë me të dashurin e saj edhe nëse ai nuk sillet mirë, në kuptimin e besnikërisë”, tha aktorja Suela Bako.
“Çifti i hapur” është një produksion mes teatrove të Gostivarit dhe Durrësit.
Pasi u prit me të qeshura e duartrokitje të enjten, ajo do të vihet në skenë për artdashësit durrsakë edhe për një mbrëmje tjetër, atë të së premtes.