Takimi përmbyllës për këtë sezon i Klubit të librit “Gjergj Vlashi” u zhvillua në verandën e mrekullueshme të lokalit “Charli Max Marina”.
Nën përkëdheljen e përëndimit të pashoq dhe tingujve të kitarës, u sollën disa nga tregimet e shkurtra të shkëputura nga libri me dy vëllime “Bonsai me tregime” i autorit Gjergj Vlashi.
U diskutua për Simbolikën vizuale dhe emocionale që sjell kopertina e këtyre vëllimeve; Formën e tyre të shkurtër dhe përmbajtjes së thellë; Emocionin e përmbajtur, rrëfimin ku jo gjithçka thuhet por ndihet; Temat delikate që trajtohen, të cilat janë të vogla në dukje, por me rrënjë të thella.
Të dy librat janë si një bonsai i lulëzuar e plot degëzime.
Në leximin tonë tregimet nuk erdhën të ndara, por si degë të së njëjtës pemë, me lidhje tematike dhe që rrefejnë plot emocion për: mungesën, ndarjen, kujtesën, të pathënat.
Autori i ka përzgjedhur dhe renditur si pjesë të një strukture të qëllimshme, pjesë të një bonsai emocional që përmes ironisë së hollë dhe rrëfimit elegant na foli shumë ne lexuesve, që përjetuam një zhvillim të heshtur, ku tregimi i fundit ndriçonte të parin.
Ajo çfarë e bëri edhe më të veçantë këtë takim, ishte prezenca e muzikantit, violinistit dhe kompozitorit Florian Vlashi, bashkëshortes së tij, violonçelistes Rediana Llukaçi-Vlashi dhe djalit Martin Vlashi.
Violinisti Florian Vlashi i mësuar tanimë me emocionin e skenave të mëdha, ku ai ka interpretuar plot sukses duke na bërë krenar, u shpreh se ndihej i emocionuar që ishte mes nesh. Mes anëtarëve të Klubit të librit që mban emrin e atit të tij, të regjisorit, shkrimtarit dhe përkthyesit, “Nderit të Kombit”, Gjergj Vlashi.
Kësaj here në takim ishin prezent edhe miq të artit dhe kulturës, që jetojnë jashtë Shqipërisë, por pushimet në atdhe bën të mundur t’i kishim mes nesh.
Miqtë e klubit të librit u përfshinë në biseda dhe diskutime ku mbizotëruan ato që i referoheshin: projekteve të ardhshme të Klubit; Çfarë kemi arritur deri tani dhe si mund të punojmë më mirë, për të shtuar numrin e frekuentuesve në klubin tonë dhe si të jemi frymëzues për më të rinjtë.
Për të gjithë anëtarët e Klubit u shpërndanë shenjuese libri që mbanin shënimin:
“Një klub. Një libër. Shumë zëra. Një përvojë.”
“Një faqe e lexuar, është një hap drejt vetes”
Falënderojmë përzemërsisht çdo anëtar të Klubit të librit “Gjergj Vlashi” për kohën që i kanë dedikuar leximit dhe diskutimeve. Për prezencën e tyre dhe impenjimin maksimal, përpos impenjimeve të tyre profesionale.
Falenderojmë Bled Shuaipin që që na mikpriti në mjediset e mrekullueshme të “Charli Max Marina”- ndërtuar si një përqafim i heshtur midis qiellit dhe ujit, ku gotat që trokasin miqtë, tingëllojnë si tinguj lirie, dhe çdo çast përzihet me përjetësinë që horizonti ofron.
Falënderojmë Mjeshtër Gëzim Domin që ishte mes nesh në këtë takim, për ta dokumentuar atë me foto.
Një falënderim i veçantë për librarinë “Redon” që na ka mirëpritur në mjediset e saj përgjatë gjithë vitit.
Ju urojmë pushime të gëzuara!
Mos harroni, në çantë fusni një libër
Mirë u takofshim në shtator!